Rusia planifikon që të zbatojë “vaksinim në shkallë të gjerë” ndaj koronavirusit në muajin tetor, deklaroi ministri i Shëndetësisë së Rusisë, Mikhail Murashko.
Më herët gjatë javës, agjencia e lajmeve Reuters, duke u thirrur në një burim anonim, raportoi se vaksina e parë potenciale për COVID-19 e Rusisë pritet të marrë miratimin e qeverisë në muajin gusht.
Rusia raportohet se ka zhvilluar dy vaksina – një është zhvilluar nga Instituti Gamaleya në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes dhe një vaksinë tjetër po zhvillohet nga laboratori shtetëror për kërkime Vektor.
Gjatë dëshmisë së tij para Kongresit amerikan më 31 korrik, zyrtari kryesor i SHBA-së për sëmundje ngjitëse Anthony Fauci, shprehu shqetësimin e tij lidhur me raportimet se vaksinat kundër COVID-19 po zhvillohen në Rusi dhe Kinë.
“Shpresoj që kinezët dhe rusët po i testojnë vaksinat përpara se t’ua japin ato qytetarëve”, tha Fauci./rel