Qeveria spanjolle ka akuzuar Rusinë për përhapjen e dezinformatave rreth krizës në Katalonjës.Ajo frikësohet se një ndërhyrje e tillë e jashtme mund të ketë kontribuar në ndarjet sociale. Rusia mohon pretendimet, duke i hedhur poshtë si “histeri”. Pretendime të tilla janë tallur edhe nga vetë katalanasit.
Ekipi i kontrollit të fakteve të BE-së – East Stratcom Task Force – ka nxjerrë në pah shembuj të “dezinformimit” nga mediat e mbështetura nga Rusia rreth situatës së Katalonjës. Spanja shpalli votimin e pavarësisë katalane në tetor si të paligjshëm dhe hodhi poshtë udhëheqësit separatistë të rajonit.
Ish-ministrat katalanas po presin gjyqin me akuzat për rebelim dhe kryengritje. Udhëheqësi separatist Carles Puigdemont dhe disa aleatë janë në Belgjikë, në mërgim të vetëshpallur.Pretendimet për përpjekjen e ndërhyrjes së rusëve përputhen me pretendimet më të gjëra rreth përfshirjes së dyshuar të Rusisë në politikën perëndimore.
Ka shqetësime në Shtetet e Bashkuara se mediat sociale janë manipuluar nga grupet ruse gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.Kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar Theresa May ka akuzuar Moskën për ndërhyrje në zgjedhje dhe kryerjen e spiunazhit kibernetik.
Një zëdhënës i Kremlinit për Presidentin Vladimir Putin, tha se pretendimet spanjolle ishin “të pabaza”. Ata ishin “një vazhdimësi e një histerie të njëjtë që tani po ndodh në Shtetet e Bashkuara dhe një numër vendesh të tjera”.A kërkoi Rusia që të përfshihej në referendumin katalanas nëpërmjet “lajmeve të rreme”?
‘Llogari Zombie’
Prof Javier Lesaca të Universitetit George Washington në Shtetet e Bashkuara analizoi më shumë se pesë milionë mesazhe të përbashkëta të mediave sociale nga platformat e lajmeve të mbështetura nga Kremlini, si RT dhe Sputnik midis 29 shtatorit dhe 5 tetorit.
Ai tha se kërkimet e tij e kishin çuar në “zbulimin e një ushtrie të tërë të llogarive mumje që janë të koordinuara në mënyrë të përkryer”. Nga llogaritë e studiuara, 30% ishin anonime dhe të përkushtuar për përhapjen e përmbajtjeve nga ato organizata të lajmeve. Vetëm 3% ishin profile reale.
Studimi thotë se RT dhe Sputnik morën pjesë në një “strategji të vazhdueshme të përçarjes” mbi Kataloninë.
Titujt përdorën gjuhën emocionale për të ndikuar lexuesit, duke u fokusuar në dhunën e policisë spanjolle kundër atyre që kërkonin të votonin në referendumin “e paligjshëm” të Katalonjës.
Nënkryetari i socialistëve në Parlamentin Evropian, Viktor Bostinaru, gjithashtu thotë se rusët mund të kenë ndërhyrë në politikën katalanase.
“Disa nga ata që qëndronin pas fushatave të caktuara në internet kishin qenë në Rusi”, tha Bostinaru.
Zëdhënësi i Kremlinit Dimitri Peskov u kundërpërgjigj, duke thënë se “autoritetet spanjolle, NATO dhe gazetat nuk paraqitën një argument të vetëm të vlefshëm për t’i mbështetur këto pretendime”.
Disa katalanas pro pavarësisë kanë vënë në dukje në mediat sociale se vështirë se kishin nevojë që Rusia t’u mbështeste ankesat e tyre.
Një skicë sarkastike tregon ndikimin e “hakerëve rusë” në ngjarjet të Katalonjës që shkojnë mbrapa disa shekujsh …
‘Lufta e informacionit’
Një studim i Institutit Mbretëror Elcano, një institut me qendër në Madrid, tha se lajmet nga produksionet pro-Kremlinit ishin pjesë e “luftës së informacionit rus” në Katalunjë”, që thuhet që “kishte mbështetjen e qeverisë ruse”.
Megjithatë, Klaus-Jurgen Nagel, një ekspert për nacionalizmin në Universitetin Pompeu Fabra në Barcelonë, nuk u pajtua.
Ai tha se roli i Rusisë ishte “ekzagjeruar nga ata që duan të tregojnë se miqtë e vetëm që kanë separatistët janë sistemet e dyshimta demokratike, si Rusia, Venezuela dhe Kuba”.
Francesc Pallarés, një profesor i shkencave politike në të njëjtën universitet katalanas, i tha BBC-së se raportimi rus në Kataloni ishte pjesë e rivalitetit më të gjerë midis Rusisë dhe Perëndimit.
“Mediat ruse ofrojnë një perspektivë të Katalonjës, bazuar në interesat e tyre gjeopolitike, të cilat mund të jenë në kundërshtim me interesat perëndimore”, tha z. Pallarés.
“Ne jemi në një ‘luftë informacioni’ bazuar në zgjedhjen dhe paraqitjen e informacionit si në Perëndim ashtu edhe në Rusi për të krijuar opinion të favorshëm për interesat dominues”.
Spanja ka një histori të gjatë ndërhyrjesh nga jashtë.
Gjatë Luftës Civile Spanjolle në vitet 1930, Rusia Sovjetike mbështeti republikanët e majtë – të cilët donin autonomi më të madhe katalane – ndërsa nacionalistët u mbështetën nga Gjermania naziste dhe Italia fashiste.
Pra, nuk do të ishte befasi që Rusia, duke e parë veten si një fuqi globale, të ndikojë në opinionin publik spanjoll tani.
Kontrolli i fakteve të lajmeve ruse për Kataloninë
Disa degë të lajmeve ruse kanë botuar lajme mbi Katalonjën që Stratcom Task Force e BE-së etiketojnë si të rreme.
Gazeta ruse PolitExpert shkroi një artikull se si deklarata e pavarësisë katalanase dhe konflikti në Ukrainë ishin pjesë e një plani nga “fuqitë globale” të paidentifikuara për të përgatitur terrenin për një luftë në Evropë.
Kontrolluesit e fakteve të BE-së e përshkruan atë si një “teori komploti”.
Versioni spanjoll i faqes së internetit të mbështetur nga Kremlini, Sputnik tha se Ishujt Balearikë kishin kërkuar gjithashtu një votë për pavarësinë nga Spanja.
Kjo nuk është e vërtetë dhe raporti përmend një dokument nga një anëtar i pakicës i koalicionit qeverisës atje.
Kanali i lajmeve ruse Vesti deklaroi gabimisht se spanjishtja po mësohej si gjuhë e huaj në shkollat e Katalonjës.
Megjithatë, kurrikula e themeluar nga qeveria katalane për arsimin e mesëm bën dallimin midis gjuhëve katalane, spanjolle dhe ato të huaja./lexo.al