Drejtori i ARSH, Afrim Qendro deklaroi se ende nuk ka një datë të saktë se kur do të hapet sensi i bllokuar i rrugës nga Elbasani në Tiranë. Në një prononcim për mediat si u shpreh se po bëhet studimi gjeologjik, ndërsa pas analizës do të dalin edhe përgjegjësitë e firmës që e ndërtoi.
“Ende nuk ka një datë se kur do të jetë e hapur plotësisht. Rruga do të hapet, pasi të jemi të sigurt që jeta e qytetarëve nuk rrezikohet. Nuk jam në dijeni për rrëshqitje të tjera, rruga është marrë në dorëzim nëntorin e vitit të kaluar. Përsa i përket përgjegjësive të firmës do të dalin pas analizës së plotë.
Pasi të dalë studimi gjeologjik dhe analizat do të flasim për shkaqet dhe masat. Është shumë shpejt për të arritur në konkluzione dhe për të folur për përgjegjësitë’ deklaroi ai.
Pranë zonës që ka rrëshqitje ndodhet edhe një shtyllë elektrike, por drejtori i ARRSH theksoi se nuk rrezikohet, ndërsa vijon monitorimi i zonës nga autoritetet. E ndërsa ekspertët kanë nisur studimin dhe analizën, vijon puna për të zhbllokuar rrugën.
Lëvizja nga Elbasani në Tiranë vijon që të bëhet prej ditës së djeshme nga rruga e vjetër e Krrabës, ndërsa që nga Tirana për në Elbasan vijon normalisht qarkullimi nga tuneli










