Nga Lorenc Vangjeli/
Helmi është “provokacija”. Dhe “provokacija” ka një rend të pafundëm në marrëdhëniet mes dy vendeve. Do të duhet të rrjedhë shumë ujë në Adriatik që të mbetet kujtim i të shkuarës. Si Alsace Lorraine, për shembull, në ish-kufirin franko-gjerman. Që shkonte e vinte sa andej, këtej. Një tokë e riemëruar ndryshe sot nga evropianët që kanë Brukselin si kryeqytet, që më shumë se andej dhe këtej, është në Evropë. Rama e merr shpesh si shembull, Gjermaninë e Francën për të ardhmen e marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe serbëve. Dy vende që dje kanë bërë luftë dhe që sot garantojnë paqen.
Mes fqinjëve shqiptarë e serbë ka pasur luftë për gjithçka, që nga sherri se kush ka ardhur i pari në këto vise, kush i ka kënduar i pari këngët në foklor e kush e ka folklorin më të vjetër, kush ka luftuar më shumë kundër otomanëve, kush ka vrarë sulltan Muratin e Parë e deri kush ka të drejtë hyjnore mbijetese përballë tjetrit. Vizita e parë e Ramës në Beograd dhe rikthimi i saj nga Vuçiç në Tiranë, po shihet gjerësisht si një luftë ku duhej të ishte dikush patjetër fitues. Në fakt është një marrëdhënie ku po humbi njëra palë, tjetra nuk fiton dot asgjë. Domethënë, është një marrëdhënie ku ose fitojnë të dyja, ose humbasin të dyja palët. Dhe për të fituar nevojitet paqe. Si ajo që i bëri edhe Gjermaninë, edhe Francën, edhe vetë Evropën fituese e triumfuese. Që mund ta bëjë të tillë edhe Tiranën, edhe Prishtinën, edhe Beogradin të tillë.
Mediat e të dy vendeve, ku më shumë e ku më pak e kanë përjetuar me ndjesinë e një ndeshjeje revanshi mes palësh vizitën e Vuçiç në Tiranë. Deri dhe ngjyrat e kravatave u bënë objekt i hulumtimit të gazetave dhe mund të bëhet të tilla edhe shuajt e këpucëve që bëjnë njërin të duket më i gjatë se tjetri. Duke harruar se ndodh ndonjëherë që lajmi më i mirë është kur nuk ka lajm: “Provokacija” është rruga më e shkurtër që nuk të çon askund. Edhe pse për shkak të helmit që ka sulmuar shpirtërat shqiptarë e serbë në shekuj, edhe ngjyra e kravatës, edhe teshtima quhen “Provokacija”









