Ruga e fshatit Radomirë, që shtrihet rrëzë malit të Korabit, prej vitesh është e shkatërruar. Pa asfalt janë 4 kilometrat e rrugës që lidhin fshatin me aksin Kukës-Peshkopi, por që në këtë gjendje bëhen pengesë serioze për turizmin.
“Ka shumë turistë që shkojnë andej nga Maqedonia. Pse ta shfrytëzojë maqedonsi Korabin që është i Shqipërisë?”, shprehet një banor.
Çdo vit, kjo zonë vizitohet nga rreth 500 turistë të huaj, kryesisht gjermanë e çekë, të cilët përshkojnë me mjetet e tyre këtë segment rruge e më pas nisen në këmbë drejt majës së Korabit.
“Mban gjysmë ore deri këtu nga rruga kryesore. Është e parregulluar. As e majta, as e djatha s’ka vënë dorë këtu. Turistët vijnë vetëm një herë e nuk kthehen nga infrastruktura”, thonë banorët, raporton tch.
Jo rrallë, banorëve u është dashur të mbledhin para’ për mirëmbajtjen e rrugës, siç janë mësuar edhe më parë të ndërtojnë vetë. Shembull është xhamia në qendër të fshatit, e ngritur nga banorët e zonës, kryesisht emigrantë.