Sot, më 27 mars, Porti i Tregtisë së Lirë në Hainan feston 100 ditë nga fillimi i mbylljes doganore. Ndërkohë, aktualisht në Hainan po mbahet Forumi Boao për Azinë, i pari takim vjetor që prej nisjes së politikës së mbylljes doganore, në këtë provincë të Kinës Jugore. Në konferencën për shtyp me këtë rast, fjala kyçe u bë ‘hapja’.
Zv/Kryetari i Këshillit Ekzekutiv të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC) u shpreh se në një epokë pasigurie, hapja nuk është një dobësi, por një forcë strategjike. Që nga mbyllja e doganave në të gjithë ishullin më 18 dhjetor 2025, Hainani ka optimizuar vazhdimisht teknologjinë, logjistikën dhe sistemin e tij tatimor, të cilat janë të gjitha të dobishme për bizneset.
Zv/Drejtor i Zyrës së Thellimit të Reformës së Komitetit të PKK në Hainan, Wang Fengli, u shpreh se nëse do të përdornim një fjalë kyçe, “përshpejtimi” do të ishte një përshkrim realist dhe metaforik. Pas mbylljes së doganave, fluksi i njerëzve, mallrave dhe kapitalit në Hainan është përshpejtuar. Ndërtimi i Portit të Tregtisë së Lirë të Hainanit ka hyrë në një “pistë të shpejtë”.
Libri “Fjalë kyçe të Kinës”, i prezantuar në këtë aktivitet, dokumenton hapjen në nivel të lartë të Hainanit ndaj botës së jashtme, ndërsa një sërë të dhënash, japin përshtypje më konkrete për arritjet e mbylljes doganore të Hainanit.
Cai Qiang, Sekretar i Përgjithshëm i Qeverisë Provinciale Hainan tha: Në 100 ditët që nga fillimi i mbylljes doganore, janë regjistruar 7503 kompani të reja të tregtisë së jashtme, një rritje vjetore prej 65.7%. Një total prej 11.773 subjektesh biznesi janë miratuar për trajtim preferencial “zero tarifë”. Importet dhe eksportet e tregtisë së jashtme tejkaluan 80 miliardë juanë, një rritje vjetore prej 32.9%. Numri i pasagjerëve hyrës dhe dalës arriti në 861 mijë, një rritje prej 36.3%.
Programi i Forumit Boao për Azinë, tregon se tre ngjarje të veçanta me fokus Portin e Tregtisë së Lirë të Hainanit, janë mbajtur në tre ditët e para të takimit vjetor. Nga ekspozitat e veçanta deri tek raporti 100-ditor, rruga e hapjes së Hainanit po bëhet gjithnjë e më e gjerë, dhe sipas pritshmërive të pjesëmarrësve, bota po i afrohet gjithnjë e më shumë Hainanit.
Jack Perry, Kryetar i Grupit 48 nga Britania e Madhe tha: Politika prej 15% e taksës mbi të ardhurat personale dhe të korporatave, e zbatuar në Hainan, është me rëndësi të madhe për kompanitë britanike. Ajo do t’i japë Mbretërisë së Bashkuar akses më të mirë në treg, gjë që është shumë e rëndësishme për tregtinë dhe rritjen e biznesit. Kompania jonë e robotikës, do të jetë më e gatshme të krijojë sipërmarrje të përbashkëta me kompanitë kineze.
Cao Yuanzheng, Profesor i Menaxhimit Ekonomik në Universitetin Tsinghua dhe ekonomist u shpreh: Në të kaluarën, nëpërmjet eksperimenteve të tilla si Shenzhen dhe Zona e Madhe e Gjirit, Kina arriti industrializimin dhe u bë vendi më i madh prodhues në botë. Si pasojë, kemi pritshmëri të larta për Portin e Tregtisë së Lirë të Hainanit në hapjen e Kinës në industrinë e shërbimeve.












