Nga Gjergj Erebara
Çfarë është “sundimi i ligjit?” Gjatë dekadave të fundit ne kemi dëgjuar shpesh se kriteri kryesor për integrim në Bashkimin Europian është që të kesh “sundim ligji”.
Pavarësisht se e kemi dëgjuar shumë herë, duket se ne shqiptarët nuk e kemi brendësuar mirë këtë koncept. Para së gjithash se ai bie ndesh me traditën tonë, të mishëruar jo vetëm në historinë e trazuar të vendit, por edhe në shprehje popullore të llojit “unë bëj ligjin”, “ai bën ligjin” apo “fjala e tij është ligj”, të treja shprehje për të shpjeguar një figurë autoritare, i cili mund të na urdhërojë dhe ne duhet të bindemi sepse “ai është vetë ligji”.
Kjo në vetvete është e kundërta e Sundimit të Ligjit, atij konceptit Europian që ne duhet të mësojmë mirë si pjesë e rrugëtimit tonë në Bashkimin Europian. Nëse kërkojmë në Google me termin “sundim i ligjit”, marrim një seri përgjigjesh që sillen rreth këtij koncepti: “Kufizimi i ushtrimit arbitrar të pushtetit duke ia nënshtruar pushtetin ligjeve të mirëpërcaktuara dhe ekzistuese”.
Chris Patten, ish guvernatori i fundit i Hong Kongut, u përpoq ta shpjegojë më mirë këtë koncept në kontekstin e Kinës moderne, ku, si në Shqipëri, qeveria jo thjeshtë i nënshtrohet ligjeve, ajo i bën ligjet si të dojë.
Thotë Patten: “Qeveritë autoritare duket se e kanë të vështirë ta kuptojnë këtë koncept. Unë mbaj mend negociatat me homologun tim kinez kur unë isha Guvernator i Hong Kongut. Unë po përpiqesha t’i shpjegoja se pse sundimi i ligjit kishte kaq shumë rëndësi për të ardhmen e këtij territori dhe unë vërejtja se kur isha në qeverinë e Britanisë, ligji zbatohej mbi mua po aq sa mbi ata për të cilët unë ndihmoja të qeveriseshin.Bashkëbiseduesi im mendoi se po bëja shaka. Në praktikën kineze kjo është sundim përmes ligjit – ligjit të hartuar nga Partia Komuniste për interes të vet”.
Në vitin 2015, një kompani shtetërore kineze erdhi në Shqipëri dhe u interesua për ndërtimin e rrugës së Arbrit.
Nuk dihet se si ndodhi, por kjo kompani kineze nuk iu nënshtrua ligjeve ekzistuese të vendit. Ajo mori një ligj të vetin, ligjin 41/2015, “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës koncesionare/PPP, me objekt ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Rrugës së Arbrit, ndërmjet shtetit shqiptar dhe shoqërisë “China State Construction Company”.
Parlamenti shqiptar, i cili nuk është tamam parlament, pasi funksionon thjeshtë si një noteri e kryeministrit të rradhës, e miratoi këtë “ligj të veçantë” pa e vrarë mendjen shumë. Ne të tjerët nuk arritëm të vinim re se çfarë po ndodhte.
Në fund të fundit, Rruga e Arbrit është një nevojë për zonën e Dibrës dhe këtu, qëllimi rezultoi më i rëndësishëm se sa mjeti.
Por përmes një ligji të tillë, kinezët dhe qeveria shqiptare bënë tre gjëra: e para, anashkaluan kuadrin ligjor ekzistues, i cili kërkon që nëse shteti dëshiron të bëjë ndonjë punë, duhet që t’i nënshtrohet ligjeve dhe jo “të bëjë ligjin”. E dyta, me një ligj të veçantë, qeveria i dha të drejtë vetes të bëjë pazar me interesat ekonomike të taksapaguesve pa i dhënë kurrfarë llogarie këtyre të fundit. E treta, ligji në fjalë i lejoi qeverisë që fillimisht të negocionte me kinezët jashtë çdo lloj kuadri ligjor dhe pasi të arrinte çfarë të pëlqente, ta çonte rezultatin e negociatave për miratim në Kuvend përmes “procedurës së veçantë të negociimit”.
Me një veprim të thjeshtë, qeveria shqiptare kopjoi praktikën e Partisë Komuniste të Kinës, e cila, si forcë diktatoriale që është, bën çfarë të dojë me ligjet e vendit.
Ligji “Për rrugën e Arbrit” dështoi. Marrëveshja nuk u miratua kurrë sepse bisedimet nuk u mbyllën kurrë. Megjithatë, precedenti i vendosur me këtë “procedurë të veçantë negociimi” i shërbeu Ramës edhe për tre kontrata të tilla.
Dy nga këto tre kontrata mund të interpretoheshin si tepër të mëdha, ose tepër të rëndësishme për t’u trajtuar me ligjet ekzistuese.
E dyta ishte “negocimi për Portin e Karpenit”, një ide fantazmagorike që kushtoi disa qindramijëra dollarë shpenzime “konsulence” për të mos sjellë asgjë, por që premtonte investime në masën 5 miliardë dollarë.
E treta ishte kontrata për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, e cila është ende në “negociim”. Sërish, ne e anashkaluam peshën e “sundimit përmes ligjit”.
Tani qeveria ka paraqitur një kontratë të katërt. Ajo për teatrin kombëtar. Jo vetëm që kontrata përbën “sundim përmes ligjit”, por ajo përbën edhe një nivel të ri banaliteti. Nuk bëhet më fjalë për rrugë me tunele, porte fantazmagorike apo aeroporte. Bëhet fjalë për një pronë publike rreth 8500 metra katrorë që duhet t’i jepet një kompanie vendëse për të ndërtuar pallate.
Në përputhje të plotë me praktikat e sundimit përmes ligjit, deputetët socialistë ia dhanë votën procedurës së përshpejtuar për trajtimin e projektligjit dhe pritet t’ia japin votën projektligjit në tërësi tani shpejt, pa kurrfarë brerjeje ndërgjegjeje. Figurat më të dritura socialiste, përfshirë ish-kryeministrin Pandeli Majko, nuk u menduan dy herë. As nuk debatuan, as nuk ngritën pyetje për qeverinë “Rama”.
Më shumë se sa ligjvënës, të gjithë deputetët në të majtë e në të djathtë janë shërbyes të kryetarit. Vendi efektivisht nuk ka një parlament dhe ky është rezultat i marrëveshjes Berisha-Rama të vitit 2008.
Shqipëria ka precedentë të hidhur mbi sundimin e kryeministrit përmes dekret-ligjeve. Dhe përveç predecentëve, ka edhe telashin se u ka mësuar fëmijëve nëpër shkolla përralla me Skënderbe dhe jo leksione mbi sistemet kushtetuese.
Në kohën e Komunizmit, zinxhiri sundues i vendit përbëhej nga të ashtuquajturat Dekret-Ligje, të cilat i firmoste Presidiumi i Kuvendit Popullor (organ kolegjial ekuivalent i Presidentit të Republikës). Dekretligjet hynin në fuqi menjëherë, ndërsa parlamenti mblidhej “dy herë në vit” për t’i miratuar ato. Në fakt, parlamenti mblidhej dy herë në vit thjeshtë për të duartrokitur dekretligjet e miratuara.
Dhe në lidhje me funksionet e parlamentit, edhe kryeministri i sotëm Edi Rama nuk e ka fshehur dëshirën që parlamenti të mos mblidhet një herë në javë, siç mblidhet aktualisht, por mundësisht të mblidhet një herë në muaj. Në janar të këtij viti, Taulant Balla, kryetar i grupit parlamentar socialist dhe një nga ata që votoi ligjin “për procedurë të veçantë negociimi” për Teatrin Kombëtar, propozoi ndryshime në rregulloren e kuvendit dhe mes të tjerash, kërkoi që Kuvendi të mblidhet më rrallë, mundësisht një herë në muaj.
Në këtë rast, qeveria do ta ketë më të lehtë që të bëjë çfarë të dojë me taksat dhe me pronën publike dhe më pas, t’ia dërgojë rrobat e veta të palara deputetëve të vet të përulur për t’i duartrokitur si arritje historike.
Por më shqetësuesja nga të gjitha duhet të jetë fakti se projektligji aktual për teatrin argumentohet në relacion si një dokument që “ka precedentë”, d.m.th., që qeveria ka në plan ta bëjë rrugë sundimin përmes ligjeve të veçanta.
Përveç faktit që projektligje të tilla duhet normalisht të konsiderohen antikushtetuese, ato formalizojnë në ligj një Shqipëri tashmë të ndarë më dysh. Një palë ligje që miratohen për elitën dhe klientelën e saj politike. Dhe një palë ligjesh të tjera për ne të gjithë të tjerët. Papritur ne do ta gjejmë veten qytetarë të dorës së dytë.