Pavarësisht se nuk ka të dhëna të sakta, sipas disa hulumtimeve, numri i përdoruesve të kohëpaskohshëm të substancave narkotike në Kosovë është rreth 20 mijë, ndërsa atyre që e përdorin rregullisht është rreth 5 mijë.
Njëkohësisht, viteve të fundit, mosha e atyre të cilët fillojnë të abuzojnë me drogë vazhdimisht po bëhet më e re. Para shtatë viteve, mosha mesatare e atyre që e kanë përdorur drogën për herë të parë ka qenë 19 vjeç, kurse sot është 16,2 vjeç, thotë për Anadolu Agency, Safet Blakaj, drejtori i Qendrës Specialistike Psikiatrike “Labyrinth” nga Prishtina, që merret me problemin e abuzuesve me droga.
Veç kësaj, ai thekson se në dy tri vitet e fundit është rritur shumë, numri i të rinjve nën moshën 18 vjeçare të cilët e përdorin lëndën narkotike kanabis (marihuanën).
Në bazë të dhënave të “Labyrinthit” i cili gjatë 6 viteve të fundit po përcjell rregullisht se çfarë po ndodh me klientët e tyre, në vitin 2012 ka pasur 17 raste fatale për shkak të të tej dozimit. Ky ishte një prej viteve më tragjike në Kosovë, sa i përket fataliteteve për shkak të abuzimit me droga.









