Ekuipazhi i një anijeje të rojës bregdetare greke qëlloi të shtëna paralajmërimi ndaj një mjeti të rojës bregdetare turke, që po përpiqej ta pengonte teksa lundronte në lindje të detit Egje.
Lajmin e konfirmuan autoritetet në Athinë. Sipas një komunikate për shtyp, ekuipazhi qëlloi në ajër në një zonë të sigurt dhe mjeti turk u largua drejt brigjeve të Turqisë.
Në komunikatë nuk flitet për lëndime në njerëz apo dëme materiale gjatë incidentit, i verifikuar në juglindje të ishullit grek Farmakonisi, 1.5 milje detare brenda ujërave territoriale helene.
Ndërkohë, autoritetet turke dhanë një version tjetër të ngjarjes. Sipas Ankarasë zyrtare, pala greke kishte bezdisur disa varka turke që po peshkonin në brigjet e lokalitetit të Didimit.
E ndodhur në këtë situatë, roja bregdetare turke angazhoi një nga patrullat e saj, e cila reagoi ndaj të shtënave duke qëlluar gjithashtu në ajër.
Për pasojë, mjeti lundrues grek u detyrua të largohej nga rajoni, duke u mundësuar varkave të peshkimit të vijonin të qeta aktivitetet e tyre.
Nga ana e saj, qeveria helene pretendon se varkat në fjalë po vepronin në ujërat territoriale helene, ndaj dhe roja bregdetare kishte ndërhyrë.
/e.d
Kure dote ndodhe ne te vertete ja 100 vjet qe kercenojne njera tjetren dhe nuk ndodhe asgje,vetem fjale boshe por vetem dua te them se Turqise mundet ti ndodhe si ne viti 1912 ku duhej te luftonte me te gjitha vendet e Ballkanit ,edhe tash dote mbetet i vetmi se askush nuk doti ndihmoj,por kete e dine edhe vet .