“Hiqni dorë nga patatinat, pijet me gaz dhe ushqimet e përpunuara! Fëmijë e të rritur merrni me vete ushqim nga shtëpia!”
Edhe shoqëria shqiptare po vuan nga obeziteti dhe pasojat e tij. 60% e shqiptarëve janë mbipeshë, ndërsa 1 në10 fëmijë janë obezë.
Shifrat alarmante raportohen nga ekspertët e Shëndetit Publik në Ditën Botërore të Obezitetit. Dekadën e fundit është dyfishuar obeziteti fëminor në vendin tonë. Një nga faktorët kryesorë është ulja e ushqyerjes me gji nga nënat, ndjekur nga kequshqyerja.
Ekspertët e shëndetit publik bëjnë thirrje për parandalimin e mbipeshës për të ulur rrezikun nga diabeti, sëmundjet kardiovaskulore dhe probleme të tjera shëndetësore.
1.7 milionë njerëz në botë humbin jetën në mënyrë të parakohshme nga komplikacionet që sjell mbipesha.
Në fillim të 2026 Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmbysën piramidën ushqimore duke i dhënë përparësi produkteve natyrale. Ushqyerja e shëndetshme dhe aktiviteti fizik janë faktorët kryesorë që mund të ndikojnë në uljen e mbipeshës.











