Nga Eduard Zaloshnja
Territori që deri në vitin 1990 përfshihej në njësinë administrative ‘Rrethi Tiranë’ ka një vazhdimësi të gjatë historike, gjeografike dhe administrative.
Si një pjesë e vogël e perandorisë gjigande osmane, kasabahja Tiranë e kishte qendrën te Xhamia e Ethem Beut, duke u shtrirë shumë e shumë kilometra në të gjitha drejtimet.
Nga pikpamja gjeografike, kufijtë natyralë të saj janë përcaktuar nga Lumi i Tapizës në veri, Qafa e Krrabës në jug, Kodrat e Ndroqit në perëndim, dhe Mali me Gropa në lindje.
Nga pikpamja administrative, ‘Rrethi Tiranë’ ka qenë në kufijtë historikë-gjeografikë qysh nga 1920-ta e këtej (pvarsisht se dikur quhej prefekturë dhe më vonë rreth).
Pas reformës territoriale të 2014-ës, ‘Rrethi Tiranë’ u nda në tri pjesë: Bashkia Tiranë, Bashkia Kamëz, dhe Bashkia Vorë. Një ndarje artificiale, që ndoshta u cyt nga llogari elektorale…
Tani që po diskutohet një rindarje territoriale, ndoshta vlen që Tirana të rikthehet në identitetin e saj historiko-gjeografik.
Pothuaj 30% e popullsisë së Shqipërisë banon në territorin e rrethit të dikurshëm Tiranë. Pothuaj 50% e Prodhimit të Brendshëm Bruto realizohet në territorin e tij. Të gjitha institucionet shtetërore kryesore janë përqendruar po ashtu në territorin e tij. Dhe ky është territori me infrastukturën më të zhvilluar të vendit!
Rrethi i dikurshëm Tiranë e meriton të jetë një superbashki në territorin e vet natyral, pavarësisht llogarive elektorale të çastit…











