Një pallat në zonën e Kopshtit Botanik në kryeqytet rrezikon të shembet. Shkak janë bërë rrëshqitjet e dherave, pas punimeve të lëna përgjysmë prej një viti e gjysmë nga një firmë ndërtimi. Sakaq, bëhet e ditur se kjo firmë ka gërmuar shumë pranë pallatit, i cili tashmë rrezikon të shembet.
Në gjendje alarmante, banorët e këtij pallati kanë njoftuar me urgjencë policinë, e cila sapo mbërriti në vendngjarje nisi evakuimin e tyre. Nga të dhënat paraprake mësohet se evakuimi i rreth 20 familjeve ka nisur që ditën e djeshme. Ndërkohë, në vendin e ngjarjes përveç pranisë së policisë së Shtetit dhe asaj bashkiake, janë dhe ambulanca, për të marrë masa në çdo lloj rreziku.