Qeveria ka ndryshuar rregullat dhe ka përshpejtuar procedurat për privatizimin e pronave shtetërore. Përmes një udhëzimi të ri të publikuar në Fletoren Zyrtare, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka transformuar skemën e shitjes së aseteve publike, duke prekur drejtpërdrejt kontratat e qirasë “1 euro”, duke vendosur afate strikte pagese dhe duke favorizuar ish-pronarët.
Ky udhëzim i ri synon të zhbllokojë asetet shtetërore për të gjeneruar të ardhura më të shpejta në buxhet.
Fund pritjes për kontratat “1 Euro”
Ndryshimi më i rëndësishëm dhe me impaktin më të madh ekonomik lidhet me pronat shtetërore që janë dhënë me qira simbolike. Sipas udhëzimit të firmosur nga ministrja Delina Ibrahimaj, shteti tashmë ka të drejtë të nisë procedurat e privatizimit për këto objekte (për ato me sipërfaqe mbi 500 metra katrorë) edhe përpara se të përfundojë afati i kontratës së qirasë. Në rastet kur këto objekte nuk figurojnë në regjistrat kadastralë, trualli do të shitet dhe kontrata do të lidhet sipas Kodit Civil sapo të kryhet pagesa e plotë.
Trojet e lira në favor të ish-pronarëve
Një zhvillim vjen për shtetasit që presin kompensimin e pronave. Udhëzimi saktëson se gjatë procesit të vlerësimit, nëse ekspertët e licencuar zbulojnë sipërfaqe trualli të lira që tejkalojnë bazën dhe funksionin e objektit që po privatizohet, këto troje të tepërta nuk do t’i shiten blerësit. Ato do t’i kalojnë menjëherë Agjencisë së Trajtimit të Pronave (ATP) për t’u përdorur si fond kompensimi ose për kthim fizik te pronarët e ligjshëm.
Pagesa vetëm në lekë
Për të shmangur zvarritjet nga ana e biznesit apo individëve që fitojnë ankandet, ligji i ri vendos afate të forta. Fituesit kanë saktësisht 30 ditë kohë nga dita e ankandit për të derdhur shumën e plotë të blerjes. Pagesa do të pranohet vetëm në monedhën vendase (Lekë). Zgjatja e këtij afati do të lejohet vetëm në raste të justifikuara objektivisht, me autorizim të veçantë, dhe nuk mund të kalojë në asnjë rast më shumë se 15 ditë shtesë.
Për të shmangur abuzimet dhe për të përshpejtuar burokracinë mes institucioneve, është ngritur “Komisioni i Shqyrtimit dhe Transparencës”. Ky organ me pesë anëtarë, i drejtuar nga Zëvendësministri, do të ketë një afat të prerë prej vetëm 7 ditësh pune për të shqyrtuar dosjet dhe për të vendosur nëse prona do të kalojë për shitje apo do të kthehet për plotësim dokumentacioni. Gjithashtu, institucionet shtetërore dhe bashkitë do të kenë vetëm 30 ditë kohë për t’u përgjigjur nëse janë pro ose kundër privatizimit të një aseti që kanë në administrim.











