Ka shumë brenga Emiljano Mekolli ndaj nënës së tij, të cilën tre ditë më parë e masakroi i ati me sqepar. Në një intervistë nga Italia ku ndodhet, djali 16- vjeçar tregon se ka qenë ai që e ka rikthyer nënën në shtëpi, pasi kishte ikur prej dhunës së të atit. Më pas ka patur ëndërr të punojë në emigrim që nëna e tij të mos vuante më. Por s’ka mundur të bëjë asgjë. Madje ai i kërkon ndjesë nënës që nuk i shkoi dot as në varrim për shkak se ishte ilegal në Itali. Me Emiljanon bisedoi në Facebook gazetari Spartak Koka.
“Atë kriminelin nuk dua ta shoh më me sy dhe t’ja dëgjoj zërin”.
Këto janë fjalët që Emiljano Mekolli mund të thotë për të atin, që i masakroi nënën. Mes shumë brengave që i ka lënë kjo tragjedi, djali 16-vjeçar gjen forcën të bëjë publik ferrin e jetës së tij. Telefonata e fundit sipas tij ka qenë vetëm pak minuta para krimit, përmes të cilës ka dëgjuar thirrjet e nënës.
“Më ka telefonuar babai dhe më ka pyetur, Emiljano si je? Mirë, ti si je? Kam dëgjuar zërin e nënës … duke thirrur Emiljano jo, jo gjëra të tjera dhe më pas e mbylli”.
Emiljano tregon se në 6 vitet e fundit, pasi i ati ishte kthyer nga emigrimi dhe kur kishte rënduar përdorimin e alkoolit, dhuna ishte e përditshme.
“Ai na dhunonte barbarisht të dyve dhe konsumonte alkool, këto 6 vitet e fundit kam parë tmerr me sy”.
Edhe pse në kushtet e varfërisë ekstreme, Bashkimi kishte preferuar që me paratë e një muaji punë në Greqi të blinte një armë, me të cilën kishte shtuar edhe presionin mbi gruan dhe djalin.
“Lekët që mori në Greqi, bleu armë dhe në darkë e merrte dhe e vendoste poshtë krevatit”.
Një përpjekje për të denoncuar dhunën e të atit përmes telefonit nuk kishte mjaftuar për të vënë në lëvizje policinë e Pogradecit. Ndërsa sot nuk i mbetet tjetër veçse ta kujtojë nënën e tij si heroinë, si gruan që bënte punë të renda për të ushqyer atë, dhe të atin vrasës.
“Ajo ka qenë një nënë për mua të cilën unë ja fal jetën pa masë. Ajo më rriti me sakrificë dhe mbillte çdo lloj lule natyrale për ta shitur. Punonte ajo, për të ngrenë ai horri aty”.
Djali kujton se i ati kishte tentuar të vriste veten kur kishte qenë ushtar. Kjo për shkak të një drame dashurie, mes tij dhe një vajze fshati, të cilën gjyshi i Emiljanos nuk e kishte lejuar. Nuk dihet nëse kjo ka qenë fillesa e traumës që do ta shoqëronte më tej Bashkim Mekollin, por sot Emiljano numëron brengat dhe pendesat, që nuk arriti ta shpëtonte dot nënën e tij, apo edhe që luftoi që familja e tij të mbetej e bashkuar me shpresën se do të ishte i lumtur një ditë.
“Ka qenë njëherë kur e ka rrahur nënë time barbarisht. Unë nuk kam qenë në ato momente dhe jemi larguar në Lushnje në të afërmit e mamit, kemi ndenjur 6 muaj dhe kam qenë unë ai që i kam thënë mamit, hajde të ikim se nuk do e bëjë më. Nuk e dija se do ndodhte kjo gjë. Jam penduar shumë dhe të më falë për këtë gjë që kam bërë”.
Ëndrra e tij ka qenë të siguronte lejen e qëndrimit në Itali dhe të punonte për mos lejuar me vuajtjet e nënës.
“Kur të bëhesha me letra italiane doja që ajo të mos vuante më dhe nuk doja të punonte sepse ka vuajtur shumë vite me radhë”.
Por, brenga e fundit është edhe më e madhe.
“Më ka ngelur shumë peng që nuk mora pjesë në varrimin e nënës sime dhe të më falë për këtë gjë”.
Intervista e plotë me Emiljano Mekollin
Si e mësuat lajmin e humbjes së jetës së nënës tuaj, Demirkë Mekolli?
Emiljano Mekolli: Lajmin e mëova në fillim fare në mëngjes rreth orës 8 pa u bërë krimi, më ka marrë babai në telefon dhe më ka pyetur “Emiljano, çkemi si je, mirë?” Pyeti si je, unë kam dëgjuar vetëm zërin e nënës duke thirrur Emiljanos, jo gjëra të tjera dhe më vonë nuk dëgjova zë, vetëm e mbylli, vetëm kaq, hajt mirupafshim tha.
Po më pas nga e morët vesh lajmin e hidhur?
Më pas më ka marrë djali i xhaxhait të babit i cili jeton në fshat edhe më ka telefonur disa herë, por ngaqë nuk kemi patur valë nuk e kemi patur të mundur që të flasim. Dola më vonë dhe më telefonoi ai duke më thënë ku je, thashë unë në shtëpi. Tha ke njerëz në shtëpi, jo thashë unë vetëm tezja se xhaxhi është në punë. Më tha ma jep pak tezen. Ia dhashë tezen unë dhe në atë kohë djali i xhaxhai të babit i dha lajmin e hidhur për nënën time.
Si ishte sjellja brenda banesës e babait tuaj? Ishte një rast i izoluar rasti i së dielës apo ishte një rast i përsëritur për të cilën ju herë pas here mund edhe të jeni larguar nga banesa?
Ka patur shumë raste dhe ne, bashkë me mamanë që nuk jeton më jemi larguar nga banesa në të cilën jetonim ne bashkë dhe kemi shkuar tek të afërmit e mamit të cilët jetojnë në Lushnje.
Po përse jeni larguar nga banesa?
Për arsye sepse ai na dhunonte barbarisht dhe u sëmurte atë orë. Të dyve.
Prej sa kohësh ndodhte kjo dhunë?
Kjo ka ndodhur shumë herë, të cilat unë tashmë jam 16 vjeç dhe këto 6 vjetët e fundit kam parë tmerr.
A keni tentuar ndonjëherë ta denonconi dhunën, ti drejtoheni institucioneve ligjzbatuese?
Përpara nuk kam tentuar për ta denoncuar në polici po përpara se të nisesha për në Itali, kam qenë te të afërmit e mamit në Lushnje te të cilët vajta vetëm unë se kisha ditëlindjen e djalit të tezes edhe pas nja dy ditësh më merr në telefon e shoqja e djalit të xhaxhait të babit dhe thotë që… Nuk dua të përmend emrin e atij kriminelit.
Po?
Ai ka blerë, se para një muaji ai ishte në Greqi dhe punoi. Me lekët që mori në Greqi, me të cilat ai bleu armë, dhe nuk e di se kujt ia bleu armën.
Çfarë ndodhi? Çfarë i bëri lekët?
Mori lekët në Greqi që punoi dhe erdhi bleu armë ndërkohë që unë isha në Lushnje. Në darkë e fshihte poshtë krevatit.
Pse nuk e denoncuat në polici?
Atëhere, që kur bëra denoncimin që ku isha në Lushnje dhe më doli komisariati i Lushnjës dhe i kam thënë se e dija që nuk lidhesha direkt me komisariatin e Pogradecit. Dhe i thashë “Mund të më lidhësh pak me komisariatin e Pogradecit?” Ai tha “Çfarë flet more djalë,” dhe pastaj e mbylli telefonin dhe nuk tha gjë.
Kur ke folur me komisariatin e Lushnjes? Në çfarë periudhe? Në çfarë muaji ka qenë, përafërsisht?
Prit pak të kujtohem. Ka qenë koha 19 korrik, të cilën kishte ditëlindjen edhe djali i tezes time.
Pra me 19 Korrik ju keni telefonuar policinë që të denonconi dhunën të babait tuaj ndaj nënës? Apo jo?
Që ta denoncoja për këtë dhe për armëmbajtje pa leje.
Përse mendoni se ka ndodhur dhuna? Ju thoni prej 6 vitesh. A është varfëria apo ndonjë arsye tjetër ajo që e detyronte babain tuaj të ushtronte dhunë?
Në rradhë të parë është varfëria. Në rradhë të dytë ai e kishte të alkoolit atë dhe çfarë flet ai horr. Nuk e lejoj kurrë atë të fliste (llafoste) ashtu, veçse jam këtu se të isha atje s’do ta kishte të mundur të fliste (llafoste) të tilla fjalë.
A mund të na e përshkruani nënën tuaj? Kush ishte Demirkë Mekolli?
Ajo ishte një nënë për mua të cilës unë ia fal jetën pa masë e cila më rriti me sakrificë derisa u bëra unë 16 vjeç. Ka vuajtur 18 vjet në atë shtëpi. Edhe punonte ajo që hanim neve, hante ai horr aty. Nëna ime mblidhte çdo lloj luleje natyrale për ta shitur.
Pra nëna juaj punonte që të mbante edhe Bashkimin, të mbante familjen ekonomikisht?
Po, sepse ne nuk kishim të ardhura kështu edhe vetëm me një asistencë 3 mijë lekë të reja.
A kishte bërë ndonjëherë nëna juaj përpjekje për t’u divorcuar, për t’u larguar nga Bashkimi?
Asnjëherë. Edhe ka qenë një herë kur e ka rrahur mamanë time barbarisht dhe unë nuk kam qenë aty në ato momente dhe jemi larguar në Lushnje në të afërmit e mamit dhe kemi qëndruar 6 muaj. Kam qenë unë që i kam thënë mamasë time ec të ikim se nuk ka për të bërë më, nuk duroj dot më. Unë nuk e dija që do të ndodhte kjo gjë.
A jeni i penduar pse i keni thënë mamasë tuaj hajde ikim?
Po jam shumë i penduar edhe them të më fali për këtë gjë që kam bërë.
Një pyetje tjetër kam Emiljano, përse ju u larguat drejt Italisë, për shkak të dhunës?
Për shkak të dhunës dhe varfërisë që kisha në atë familje. Po e mendoja shumë dhe shpresoja kur të bëhesha me letra italiane të mos vuante më dhe nuk doja fare të punonte sepse ka punuar shumë vite me rradhë. E mendoja që ta merrja këtu bashkë me atë kriminelin që nuk dua ta shoh më me sy dhe t’ia dëgjoj zërin.
Si i kishit raportet personalisht me babain tuaj? Flisnit, komunikonit?
Në fakt nuk komunikoja shumë. Vetëm këto kohët e fundit kur do ikja për Itali komunikova për herë të parë se gjithmonë jo kam komunikua por jam zënë me të dhe i kam bërë shumë presion.
Por përse ziheshit? Cili ishte motivi i zënkës tuaj?
Motivi ishte alkooli.
Ai pinte vazhdimisht?
Sepse abuzonte me alkoolin dhe më dhunonte barbarisht. Këto kohët e fundit mbi meje nuk vinte dorë por më përpara ka vënë shumë.
Babai punonte diku, merreshe me punë apo ishte i papunë?
Po ai është marrë në vitet që kanë kaluar, ka ardhur këtu ku jam unë për momentin dhe ka qenë me letra dhe të kishte kokë nuk do ishte bërë kjo gjë por ç`pati që ai është kriminel, është gënjeshtar, ai i ka të gjitha. Dhe i dogji sepse të tërë i flisnin për mirë e atij i dukej sikur i flisnin për keq. Me kupton.
E kuptoj. Po nënën tuaj përse mendoni se e ka vrarë?
Në rradhë të parë se e thashë dhe pak më përpara, sepse ai abuzonte me alkoolin. Në rradhë të dytë, ai më përpara kur ka qenë i ri, i ka rënë vetes me kallash , sepse ka dashur një femër më përpara e cila jeton në Greqi për momentin, dhe nuk dua t’ia përmend emrin. E njoh si fytyrë por emrin nuk ia di dhe është nga fshati. Këtë ia ka treguar gjyshit tim, të cilin mund ta keni parë ju, mund të keni vajtur dhe i ka dërguar një letër që nga Blaca për në ushtri. Dhe në ato momente që ka marrë letrën ai ka qenë në ushtri dhe kur ka vajtur në darkë në dhomë i ka rënë vetes së tij.
Me nënën tuaj është martuar me mblesëri në dijeninë tuaj?
Po, është martuar me mblesëri. Dhe nëna ime deri në moshën 30 vjeçare nuk ka dashur të martohet. Sepse, sikur e ndjente ndjesinë që në kohët në vazhdim që po vinin, po dilnin të tërë pijanecë dhe kriminelë.
Cili do të jetë vijimi i jetës tuaj? Çfarë do të bëni? Tashmë, ju nënën e keni humbur, babi është në burg. Si do të mbijetoni? Si do të jetoni? Kush do t’iu gjendet pranë?
Unë, pavarësisht se nëna më vdiq dhe ai horr është në burg, unë kam njerëzit e nënës që i dua shumë dhe njerëzit e babait përveç atij horri i kam shumë të mirë. Pavarësisht, tani për momentin jam te njerëzit e nënës dhe këta do më mbajnë dhe pas disa kohësh që mund të krijoj familjen time mund të largohem prej shtëpisë. Në këtë vend por mund të largohem prej shtëpisë.
Emiljano dhe një pyetje të fundit. Përse e shitët shtëpinë? Gjyshi juaj tha që ju keni patur një shtëpi dhe e kishit shitur.
Për këtë gjë nuk e di unë dhe unë nuk di se kam patur shtëpi në rradhë të parë. Në rradhë të dytë ne jetonim në një shtëpi, para një viti që jemi futur të jetonim me babanë që na liroi një dhomë, jetonim në një shtëpi ngjitur me shtëpinë e babait dhe pronari i shtëpisë jetonte në Tiranë dhe nuk na merrte as qera asgjë, vetëm thoshte ma mbaj shtëpinë mirë dhe donte ta shiste shtëpinë sepse nuk ishte mirë nga gjendja ekonomike dhe nuk dua t’ia përmend emrin. 1 vit kemi ndenjur atje dhe më pas kaluam te shtëpia e babit, i cili na lëshoi një dhomë.
Ku jeton në çfarë vendi?
Për momentin jam te tezja.
A keni marrë pjesë ju në varrimin e nënës tuaj ditën e djeshme në Lushnje?
Për fat të keq nuk kam marrë pjesë në varrimin e nënës time sepse po të kisha ardhur në varrimin e nënës time, shteti nuk do më linte të kaloja prapë në shtetin fqinj .Më ka mbetur shumë peng që nuk mora pjesë në varrimin e nënës time dhe të më fali për këtë gjë dhe do më linte rrugëve po të kisha marrë pjesë në varrimin e nënës.
Çfarë do të thotë kjo?
Do të thotë që do vdisja andej rrugëve në rradhë të parë. Në rradhë të dytë nuk do vija më dot për në Itali./Klan Plus