Mihal Davidhi, nga fshati Zhukë i Novoselës në Vlorë, në vitin 1967 ishte 19 vjeç kur mori guximin dhe i shkroi një letër të thjeshtë udhëheqësit të madh e të lavdishëm të popullit shqiptar, shokut Enver Hoxha. “Të madh, të lavdishëm…” e quanin të gjithë në atë kohë Enver Hoxhën.
Mirëpo kjo letër e shkruar me shpirt, në kërkim të dritës, do të ishte fatale për Mihal Davidhin. Kërkoi dritë dhe gjeti errësirën. I hapi zëmrën partisë dhe ajo i mbylli të gjitha dyert e jetës. Ishte gënjyer keq. Ishte mashtruar akoma më keq nga propaganda komuniste. I kishte besuar sloganit të partisë “se cilido mund të shkruajë me shkronja të mëdha ç’mendon për punën dhe njerëzit”.
Nga të katër anët e Shqipërisë vërshuan letrat e popullit drejtuar partisë dhe shokut Enver, Komitetit Qendror dhe Presidiumit të Kuvendit Popullor. Aq shumë letra shkruheshin nga populli, sa një gjë e tillë u kthye në epidemi. Shumë nga këto letra botoheshin në gazetë. Për shumë të tjera bëheshin komente pa fund. Më të zgjedhurat lexoheshin publikisht në uzina, fabrika e shkolla.
Në atë kohë nuk kishte televizion, po Radio Tirana, e vetmja në Shqipëri buçiste nga mëngjesi në mbrëmje duke lexuar letrat që populli i shkruante partisë.
Në Komitetin Qendror kishte një sektor të veçantë që lexonte letrat e popullit. Ishin këta njerëz që zgjidhnin me kujdes letrat që do bëheshin publike. Ishin këta njerëz që vendosnin se cilat letra do t’u kalonin komiteteve të partive në rrethe për shqyrtim, cilat nuk kishin interes e do hidheshin në kosh pa i parë e pa i lexuar njeri, dhe të tjera që do t’i kalonin Sigurimit të Shtetit për verifikim. Këto ishin letra të zeza, letra me spec, që kërkonin të shqetësonin udhëheqjen e lartë të partisë, prandaj ata që i shkruanin, duhet të jepnin llogari. Pse e kishin shkruar këtë letër, si e kishin shkruar, kush i kishte mësuar, me kë bashkëpunonin, a kishin kryetar, e të tjera e të tjera.
Ndërkohë që punonte një armatë e tërë për të nxitur njerëzit që të shkruanin letra, një armatë tjetër, dy herë më e madhe, punonte për t’i seleksionuar këto letra.
Në këtë atmosferë, Mihal Davidhi e kuptoi se ishte i vonuar për të shkruar letrën e tij. Më kot ishte përpëlitur për net të tëra me dilemën për ta shkruar apo jo letrën e tij.
Prindërit e tij ishin kooperativistë të thjeshtë. Ata punonin në bujqësi. Nuk kishin arsim, po ishin njerëz të ndershëm. Si të tillë, besonin në Zot, besonin te Jezu Krishti. Një gjë të tillë e bënin me shpirt.
Me besimin te Zoti i edukuan edhe të gjashtë fëmijët e tyre, Mihalin, vëllain e tij, si dhe të katër vajzat e tyre. Kur vendosi t’i shkruajë letër Enver Hoxhës dhe Presidiumit të Kuvendit Popullor, Mihali ishte 19 vjeç. Ishte viti 1967, kur në të gjithë Shqipërinë po prisheshin kishat dhe xhamitë. Ishte koha kur rinia shqiptare, nën udhëheqjen e partisë, me mësimet e shokut Enver, ishte vënë në ballë të aksionit për të shkallmuar nga themelet këto vatra të obskurantizmit që helmonin njerëzit e i largonin ata nga partia dhe mësimet e saj.
Duke iu kthyer atyre viteve të largëta, Mihal Davidhi kujton: Ne jetonim në një vend të mbyllur. Ishim krejtësisht të izoluar dhe çuditërisht kujtonim se dinim shumë, po nuk dinim asgjë. Kujtonim se ishim të pasur, po në fakt ishim shumë të varfër. Ëndrra jonë ishte të mbaronim shkollën. Të ishim sa më të rregullt në jetë e të bëheshim kooperativistë të mirë. Shumë-shumë të bëheshim traktoristë, shoferë, brigadierë.
Në atë kohë, për ne të provincës nuk hapej kollaj drita jeshile. Kështu, pasi mbarova shkollën e mesme, më morën ushtar.
Kam qenë në rrethin e Korçës, në një repart artilerie me topa 192. Aty kam dëgjuar në radio vendimin e qeverisë, ku me ligj, në Shqipëri ndalohej besimi fetar. Kjo ishte një dhimbje shumë e madhe për mua që besoja te Zoti. Duke prishur të gjitha kishat e xhamitë, gjithçka që lidhej me besimin te Zoti, për mua kjo ishte absurde, një vendim i kobshëm.
Unë isha i hapur. Madje thosha: “Ne duhet ta kundërshtojmë këtë. Si është e mundur të na heqin Zotin?! Kujt duhet t’i besojmë? Një udhëheqësi! Po ai është si ne”. Ushtria më kishte burrëruar, më kishte zhvilluar. Aty kisha lexuar shumë libra, shumë autorë të ndryshëm. Pra, isha më i formuar.
Ndërkohë në kooperativë shihja se njerëzit punonin për një copë bukë. Po kuptoja izolimin, varfërinë, gati-gati skllavëruese. Ç’mund të bëhej më tutje? Pasi kaloi viti i ri, në atë kohë nuk kishte Krishtlindje. Asgjë. Madje, nëse zbuloheshe se festoje Krishtlindje, mund të futeshe në burg. Gjithë muajin janar po mendoja se çfarë mund të bëja. Nuk shikoja hapësirë, nuk shikoja dritë. Me vete mendoja se vetëm Zoti mund të më ndihmonte.
E përse të mos i shkruaj partisë, vetë shokut Enver dhe Presidiumit të Kuvendit Popullor?
Unë jam thjesht një njeri, një ortodoks, një i ri kooperativist. Nëse nuk do ta ngrinim zërin, ne që besonim në Zot, kush do ta ngrinte?
Përse u prishën kishat dhe objektet e kultit?
E përpunova këtë vendim, e përpunova… dhe shkrova një letër.
Ishte një letër e hapur, drejtuar Enver Hoxhës si Sekretar i Parë i Partisë dhe Presidiumit të Kuvendit Popullor me president Haxhi Lleshin. Unë mendoja se partia duhet ta rishikojë këtë vendim. Pse? Sepse pa besimin te Zoti, ç’do të bëjmë? Plus kësaj, ne nuk mund të ecim përpara si komb, si shoqëri, si familje pa Zotin. Kujt do t’i drejtohemi ne e kujt do t’i themi Zot? Për këto pikëpyetje, unë doja shpjegim. Për këtë letër që po ju shkruaj, ju mund të më burgosni, mund të më vrisni, mund të bëni ç’të doni, por gjyqit të fundit, gjyqit para Zotit, askush nuk i shpëton. Në fund, me respekt Mihal Thoma Davidhi. Kjo ishte letra ime e hapur, një letër individuale.
Nuk u konsultuat me të tjerë, në mënyrë që letra, veç firmës suaj, të mbante edhe firma të tjera?
Jo, një gjë e tillë për atë kohë ishte e rrezikshme. Nëse nuk i pëlqente partisë kjo letër, atëherë gjithë firmëtarët do trajtoheshin si grupazh, madje si grupazh i organizuar. Nuk do merrej në qafë një njeri, po gjithë grupi, familjet po e po.
Mirëpo unë isha i bindur se letra ime do të pëlqehej nga partia, se ajo do të hapte polemika, po më në fund do të ndërhynte partia, vetë shoku Enver e do thoshte: “Ndaluni pak! Ky djalë i ri ndoshta ka të drejtë. Pa të mendohemi mirë. Të vjetrit, prindërit tanë kanë besuar në Zot, e ky djalë i edukuar nga partia mendon dhe i sugjeron partisë që të mos i lëndojmë njerëzit tanë të dashur. Ata që duan të besojnë në Zot, le të besojnë. Ata që nuk duan, le të mos besojnë”.
Në këtë mënyrë Enver Hoxha kënaqte të dyja palët. Unë kthehesha në hero të ditës, sepse me letrën time kisha ndihmuar partinë. Kështu mendoja atëherë.
Pasi e shkrova letrën, e futa në një zarf dhe u nisa për në Vlorë.
Në këtë moment, vjen motra.
– Ti ke shkruar diçka të fshehtë, – më thotë ajo. Kërkoi të ma marrë letrën, por unë refuzova. Erdhi edhe nëna. Kur më pyeti, i thashë:
– Asgjë, moj nënë. Kërkoj të bëhem burrë, e kaq, – pa i thënë se ç’kisha bërë.
Ku e postuat letrën, në fshat?
Jo, në fshat nuk kishte postë. Vajta në Vlorë. E postova rekomande dhe po prisja. Sigurisht që do të më kthenin përgjigje.
Pasi kaloi një muaj e kuptova se letra ime ishte një thirrje e shuar, një zë në shkretëtirë. Ajo ishte një lule që kërkonte të çelte në acar, para se të vinte pranvera. Ajo letër ishte e destinuar të thahej nga ngrica e regjimit. Megjithatë, përsëri thosha me vete: Jo, patjetër do të vijnë të më pyesin.
Madje, do të më marrin mendim sepse unë nuk kisha bërë asgjë të keqe ndaj pushtetit popullor, as ndaj atdheut tim, as ndaj shoqërisë. A mund të dënohesha thjesht se kisha shkruar një letër, ku shprehja pikëpamjet e mia, ashtu siç na mësonte partia dhe shoku Enver?
Ditët kalonin e asgjë nuk po ndodhte.
Një ditë më thërret kryetari i Këshillit e më thotë: “Dëgjo Mihal! Kooperativa jonë ka nevojë për elektricist dhe ne kemi menduar t’ju çojmë juve në një kurs në Vlorë për t’u bërë elektricist. Jeni familje komunistësh, familje dëshmori, kështu që ju takon kjo bursë. Nëse jeni dakord bëni një kërkesë me shkrim”.
I entuziazmuar për besimin që kishin ndaj meje e bëra menjëherë kërkesën me shkrim.
Unë nuk e dija se letra ime drejtuar shokut Enver ishte seleksionuar nga sektori i letrave si letër e zezë. Sigurimi i Shtetit kish ditë që punonte për të. Përgjigjja nga operativi i zonës kish shkuar deri lart se Mihal Davidhi nuk mund të shkruante një letër të tillë, pasi babai i tij është komunist. Vëllai i tij është dëshmor, madje edhe vëllai i nënës është dëshmor. Vetë Mihali është ushtar shembullor në të gjitha drejtimet. Një njeri i tillë si Mihali, nuk mund të dalë kundër vijës së partisë.
Mirëpo ata më lart, në ministri, që u shkonin punëve deri në fund, dhanë urdhër të verifikohet shkrimi. Kursi për elektricist ishte një sajesë. Sigurimi i Shtetit donte shkrimin tim, në mënyrë që ta krahasonte origjinalin me letrën.
Pse duhet ta bënin një gjë të tillë, kur ju kishit vënë emrin tuaj?
E kisha vënë, por ata dyshonin se mos e kishte bërë njeri tjetër, pasi unë vija nga një familje dëshmorësh, të luftës.
Verifikimi nëse ishte i njëjti shkrim, për ta ishte më se normal. Pas verifikimit të shkrimit më arrestuan.
Çfarë ndodhi me ju, pasi ju arrestuan? Ku ju çuan?
Më futën në izolim, në Degën e Punëve të Brendshme. Në një birucë të veçantë. Aty e kuptova se çdo të thoshte diktaturë dhe sa e vështirë ishte për ta përballuar. Besimi te Zoti që më kishin kultivuar prindërit më jepte motiv për të qëndruar.
Pas tri ditësh, në mes të natës, më merr polici e më ballafaqon me hetuesin. “Letrën e ke bërë ti, por ne duam të dimë kush të mësoi, në cilin grup bën pjesë, me kë je lidhur, kush ju drejton?”.
Kur hetuesi e pa se unë nuk kisha gjë për të thënë, se letrën e kisha shkruar vetë, me emrin tim, se nuk kisha lidhje me asnjë grup, me asnjë drejtues, madje as me imperialistët amerikanë, as me revizionistët sovjetikë dhe as me monar kët grekë, siç aludonte ai.
Hetuesi u egërsua.
“Pse duhet ta heqim Zotin me ligj?,- i thashë unë.- Nëse dikush do që të besojë, le të besojë! – Ose do të nxjerrësh grupin dhe njerëzit që të kanë shtyrë, ose do të kalbesh në burg!,- më tha hetuesi.- Nëse ju kërkoni vdekjen time, lavdi Zotit, ja ku më keni, por unë nuk po ju gënjej. Përse më detyroni të gënjej? -Kush ju frymëzoi?,- më pyeti hetuesi. – Ungjilli, Bibla, leximet e shenjta. -Sot po të lë të lirë,- më tha hetuesi,- por herë të tjera, mendohu mirë”.
Pas disa ditësh më mori përsëri në pyetje, natën. Më hodhi në tavolinë një kryq dhe një libër të Shën Kozmait që unë i kisha fshehur në baxhanë e shtëpisë në fshat. Çështja u komplikua edhe më shumë, pasi rrezikoja 3 deri në 10 vjet burg për agjitacion e propagandë.
Dolët në gjyq?
Jo, nuk dola në gjyq. Vendosa të bëja vetëflijim. Vendosa të mos ha e të mos pi. Një ditë, dy, tri, katër. Ditën e pestë erdhën e më thanë: “Pse nuk ha?”.
Doja të vdisja. S’kisha motiv të jetoja më, por kjo ishte dobësia ime.
Ditën e gjashtë më vjen prokurori i qarkut. Ai ishte njeri me potencë. Kish qenë në Drejtorinë e Përgjithshme në Tiranë, pastaj meqë i kishte dhënë të drejtë një gruaje Enver Hoxha e kishë kritikuar. Drejtësi partie. Kështu që e hoqën nga Tirana dhe e sollën prokuror në Vlorë. Ky ishte nga fshati im, mik i familjes tonë. U pa qartë se donte të më shpëtonte. Nuk donte që unë të bëja burg.
Ky hetues më vjen në birucë, më gjen të shtrirë në dysheme e më thotë” “Pse nuk ha? Pse bën grevë urie? Pse do që të vdesësh?”.
Duke vazhduar bisedën më thotë: “Unë e japë jetën për partinë, ti për kë e jep jetën? -Për Zotin,- i thashë. – Mua më bëhet qejfi që një djalë nga Myzeqeja është trim, por këtë trimëri ta vëmë në dispozicion të partisë e të shokut Enver e jo për Zotin. Që të luftosh duhet të bëhesh burrë. Që të bëhesh burrë duhet të hash”. Me këto fjalë ai më dha kurajë. Bëra kryq e falënderova Zotin. Fillova të ha bukë.
Për fat kisha një prokuror nga anët e mia, Spiron, mik i familjes sonë, i cili kishë dëshirën të më ndihmonte, por pa u kuptuar nga të tjerët, ndryshe do të dënohej vetë si kundërshtar i partisë dhe pushtetit popullor. Spiro i njihte mirë ligjet. Ai e dinte se sistemi komunist nëse falte këtë mund të bënte vetëm për një të sëmurë mendor. Por edhe këta i fusnin në psikiatri. Unë s’kam qenë asnjëherë i sëmurë. Nuk jam as sot. Ai më dërgoi në Burgun e Tiranës. Përpiloi një raport mjekoligjor të gjatë e indirekt më la të kuptoja se si duhet të sillesha.
Në Burgun e Tiranës ndenja 3 muaj. Aty njoha të burgosurit politikë, siç ishte Panajot Buzuku nga Belahova e Delvinës, i cili ishte dënuar për tentativë arratisjeje. Ai kishte krijuar grupin e Delvinës, mirëpo ishte zbuluar dhe e kishin futur në burg. Ai më mësoi e më drejtoi bëj kështu e ashtu. “Ji shumë i kujdesshëm se edhe këtu brenda ka spiunë e të fusin në kallëpe që nuk del dot më”. Edhe ai besonte shumë te Zoti. “Bëju i zgjuar, përdor pak taktikë”. Pastaj më pyeti: “Ju je më mirë, të jesh jashtë, apo të jesh brenda? Unë jam dënuar me 20 vjet burg. 20 vjet nuk do t’i japë asgjë shoqërisë. Këtu edhe mund të vdesësh e të mos dalësh i gjallë, kurse jashtë ke mundësi të bësh diçka të dobishme”. Kur dola në komision bëra ato që më kishë thënë shoku im. Konkluzioni: I sëmurë psikik, prandaj e ka shkruar edhe atë letër të mallkuar. D.m.th. isha i papërgjegjshëm për veprimet që bëja. Për të gjitha këto ishte kujdesur miku ynë i familjes.
Ju liruan nga burgu?
Jo, më çuan përsëri në Burgun e Vlorës. Më mbajtën një- farë kohe, u bë përsëri një gjyq i dytë dhe aty nga fundi i dhjetorit më çuan në psikiatri. Për mua kjo ishte një kosto shumë e lartë. Do t’u nënshtrohesha ilaçeve. Nuk jam mjek, jam agronom, por diçka mësova. Medikamentet në psikiatri janë injeksione që shkatërrojnë gjithë sheqernat në gjak dhe pas kësaj të kalojnë në elektroshok.
I lutesha Zotit që të më mbronte e të më shpëtonte nga kjo situatë.
Pas gjashtë muajve në spital më nxorën në gjyq dhe arritën në përfundimin se isha shëruar. Kështu më liruan.
Ku shkuat?
Në fshat, në Zhukë. Atje gjeta një atmosferë tepër armiqë- sore. Familjen e kishin izoluar me kohë. Kostoja që pagova për një letër ishte e lartë jo vetëm për shëndetin, por edhe nga pikëpamja morale.
Pas proceseve demokratike u lidha me kishën. Dëshira ime ishte të bëhesha prift, mirëpo kanuni i kishës nuk më lejonte të bëhesha prift, pasi isha martuar dy herë. Imzot Anastasi, fort lumturia e tij, më emëroi ekonomist në akademinë e Shëno Vlashit.
Pas gjithë kësaj historie, a e ndieni veten të kënaqur e të gëzuar?
Po. Kur shkrova letrën isha fare i ri. Sot jam 70 vjeç. Shoh thinjat e pleqërisë. Po përgatitem. Nuk jam i përsosur, por përpiqem të jem njeri i mirë. Kam vënë gjithë aftësitë e mia mendore, fizike dhe intelektuale në shërbim të kishës e të akademisë. I gjithë gjelbërimi që shihni rreth e rrotull ka kontributin tim modest.
Komunizmi ishte një e keqe e madhe për të gjithë ne. Qoftë larg e mos ardhtë më ai sistem, sepse nuk ka qenë aq i lehtë për t’u përmbysur. Veçanërisht mentaliteti i tij. Për të mos iu kthyer atyre që thamë, kam një mesazh. Unë edhe ata policë që më kanë rrahur i kam falur. I kam falur e kam thënë Zoti i bekoftë edhe ata!/Panorama
c.a