Nga periudha e shfrytëzimit për prostitucion me dhunë, tek fenomeni i ushtrimit të kësaj veprimtarie me dëshirë. Statistikat e Policisë së Shtetit tregojnë se gjatë viteve të fundit ushtrimi i prostitucionit me dëshirë nga vajzat dhe gratë është rritur ndjeshëm. Nëse rastet e shfrytëzimit me forcë, janë duke u pakësuar, statistikat flasin për animin e peshores ndjeshëm drejt vetë-ofrimit tek tutorët apo ushtrimi i veprimtarisë pa tutor. Pjesa dërrmuese e këtyre rasteve, kanë si emërues të përbashkët motivin e varfërisë. Histori nga më të dhimbshmet raportohen nga policia, e cila ka rritur ndjeshëm numrin e procedimeve për gra që dalin në rrugë për të siguruar mbijetesën. E tillë është edhe historia e 35-vjeçares nga Durrësi Miranda Sh. e cila është dënuar nga Gjykata e Tiranës për “ushtrim prostitucioni”. Ajo është nënë e 4 fëmijëve dhe pamundësia për t’u siguruar atyre jetesën e detyroi të dalë në rrugë.
Prostitucion në mes të Tiranës, “2 mijë lekë secilit klient”
Miranda Sh. u arrestua në kushtet e flagrancës në qendër të Tiranës në gusht të vitit të shkuar, rreth orës 1 të mëngjesit.
Punonjësit e patrullës së përgjithshme të komisariatit të policisë nr.3 Tiranë kanë kapur 36-vjeçaren, duke ushtruar veprimtarinë e prostitucionit në Rr.”Bardhok Biba.
Në atë kohë e pandehura ka qenë në rrugë. Aty ka kaluar një makinë dhe e pandehura i ka ngritur dorën. Në makinë ishin shtetasit A.P. dhe V.B.
Kur makina ka ndalur, gruaja i’u është afruar dhe i ka pyetur nëse donin ndonjë shërbim seksual kundrejt shumës prej 2 000 lekësh për secilin. Ata i janë përgjigjur se donin vetëm të pinin kafe. Por, e pandehura është përgjigjur se kishte dalë për këtë punë dhe jo për kafe.
Ndërsa, këta shtetas po largoheshin ka ndërhyrë patrulla e policisë e cila i ka shoqëruar për në komisariat.
E pyetur gjatë hetimeve paraprake, gruaja ka shpjeguar deklaruar se, për shkak të vështirësive financiare nuk ka arritur të sigurojë të ardhura për jetesë për veten dhe fëmijët e saj dhe për pasojë, atë ditë ka filluar të prostituojë.
Dënimi nga Gjykata
Vepra penale e “ushtrimit të prostitucionit” sipas kodit penal dënohet me gjobë ose burgim deri në 3 vite burg. Por, në rastin e shtetases Miranda Sh. prokuroria kërkoi dënim të butë, me 3 muaj heqje lirie dhe pezullim të këtij dënimi, çka do të thotë ndjekje nga shërbimi i provës.
Kërkesën për dënim minimal, prokuroria e motivon me gjendjen e vështirë socio-ekonomike të gruas e cila u detyrua të dalë në rrug për të ushqyer fëmijët.
Për sa i përket llojit dhe masës së dënimit Gjykata vëren se duhen mbajtur parasysh këto rrethana :
-Rrezikshmërinë relativisht të lartë të veprës penale, e cila kohët e fundit është bërë një shqetësim serioz për shoqërinë tonë. Kjo vepër penale cënon një marrëdhënie të rëndësishme jo vetëm juridike por edhe morale, për të cilën ligjvënësi ka parashikuar një dënim me gjobë ose, burgim gjer në tre vjet.
-Faktin se, kjo vepër penale është kryer me dashje direkte nga e pandehura, me qëllim realizimin e përfitimeve materiale. Por, këto përfitime janë përdorur për tu ushqyer vetë e pandehura dhe fëmija e saj.
-E pandehura jeton në kushte të vështira social-ekonomike, pasi është familajre, e papunë, dhe me fëmijë të mitur.
-E pandehura e ka pranuar faktin se, ushtronte profesionin e prostitutës, nisur nga kushtet shumë të vështira social-ekonomike.
-E pandehura është paraqitur dhe ka dhënë shpjegime gjatë hetimit dhe gjykimit, duke shprehur pendim të thellë.
-E pandehura ka qenë e padënuar më parë penalisht.
Në fund, gjykata vendosi dënimin e 35-vjeçares me dy muaj heqje lirie, vendim i cili u pezullua dhe u konvertua me 18 muaj monitorim nga Shërbimi i Provës. Po ashtu, trupa gjykuese caktoi edhe një gjobë në masën e 6 mijë lekëve për nënën e 4 fëmijëve./Javanews.al