Keti Bazhdari, ish-kandidatja e PS-së për kryetare të Bashkisë së Shkodrës, e njohur si filantrope e sheh të hapur rrugën e saj drejt Parlamentit në 2017. Ajo rrëfen për “Gazeta Shqiptare” historinë e lidhjes me PS-në, edhe pse i ati u burgos që në moshën 17 vjeç në Burrel, si mbështetës i revolucionit hungarez të vitit 1956.
Znj. Bazhdari, qysh pas kandidimit tuaj në zgjedhjet vendore në Shkodër nuk kemi parë të jeni e angazhuar në ndonjë funksion drejtues, siç ndodh zakonisht me mbështetësit e partive që janë në qeveri. A mund të na tregoni me çfarë po merreni këtë kohë?
Të jesh aktiv politikisht nuk do të thotë domosdoshmërish të kesh një pozicion drejtues ekzekutiv. Unë personalisht kam zgjedhur dhe jo vetëm këto dy vitet pas kandidimit tim, por edhe ato dy vitet para kandidimit, që të jem një nga zërat e fortë brenda Partisë Socialiste, që punon dhe lobon fort për politika në interes dhe mbështetje të komunitetit. Personalisht e shikoj rolin e politikanit shumë më kompleks se sa të lidhur thjesht me një detyrë ekzekutive. Po të ishte vetëm për kaq, unë s’do hyja kurrë në politikë, pasi vij nga një botë e mbushur plot me detyra ekzekutive, që është ajo e biznesit dhe politikën e kam pasur dhe e kam vokacion, pikërisht se e shikoj si artin që projekton rritjen dhe emancipimin e shoqërisë përmes ngjizjes dhe frymimit të ideve. Pastaj vjen pjesa ekzekutive.
Megjithatë, unë kam një rol tejet aktiv në parti, duke qenë në pozicionin e nënkryetares së FGSSH, si një nga forumet më të rëndësishëm dhe të vlerësuar në Partinë Socialiste, si dhe një rol po aq aktiv, me vepra konkrete në shërbim të shoqërisë. Unë kam thuajse 15 vite që kontribuoj në aktivitete filantropike dhe para 3 vitesh vendosa ta zyrtarizoj këtë pasion, me anë të një fondacioni “Aleanca Civile – Drejt Integritetit”, ose “CATI Foundation”, siç njihet më shumë, i cili synon një shoqëri të hapur, që në thelbin e vet, ka integritetin e individëve të saj. Fusha e veprimit tonë është e gjerë, duke filluar me luftën ndaj varfërisë ekstreme, ku ne kemi mbështetur dhe mbështesim qindra familje me ndihma ushqimore dhe veshmbathje, për të vazhduar me mbështetjen sistematike me fonde për përmi-rësim infrastrukture dhe logjistike, që ne u bëjmë disa institucioneve në shërbim të jetimëve dhe personave me aftësi të kufizuar dhe financimin e përmuajshëm të aktivitete artistiko-kulturore dhe sportive.
Së fundmi një nga nismat më interesante që kemi ndërmarrë dhe që preferoj të ndalem, pasi e kam shumë për zemër dhe jam tejet optimiste për ecurinë e saj është: “Laboratori Inovacionit 2.0”, një platformë strategjike e “CATI Foundation” në bashkëpunim me 2 ministri: Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Ekonomisë, për të nxitur ide biznesi tek të rinjtë dhe për t’i mbështetur ato me grante. “Laboratori Inovacionit 1.0”, që pat shënuar dhe fazën e parë të këtij programi, u realizua si projekt pilot vetëm në Shkodër, duke rezultuar shumë i suksesshëm dhe me një produkt real prej 5 sipërmarrjesh rinore. Sot këto sipërmarrje konkurrojnë në treg prej më se 1 viti dhe kanë të punësuar rreth 50 veta, të gjithë të rinj me planin për t’u zgjeruar shumë shpejt. Faza e dytë e këtij programi, “Laboratori Inovacionit 2.0” u drejtohet gjithë të rinjve shqiptarë, pa dallim, nga mosha 18-25 vjeç, që duan të hapin një biznes. Unë mendoj se duke nxitur dhe ofruar mjetet e duhura në shërbim të ideve inovative të të rinjve, i ofrojmë shoqërisë zgjidhjen më efikase për t’u rritur ekonomikisht dhe për të arritur në një të ardhme të shpejtë, një stad mirëqenieje të krahasueshëm me vendet e Europës, ku aspirojmë të integrohemi.
Tashmë që ka kaluar kohë, nga zgjedhjet a keni bërë një reflektim të bre-ndshëm? A keni ndonjë pendesë për përfshirjen në politikë?
Unë në jetë kam pasur një parim që nëse e humbet diçka, që mund ta kesh dashur edhe sa jetën tënde, mos e vajto. Për mua fushata e 2015- ës me kompleksitetin e pafundëm të saj ka qenë ndër eksperiencat më shënjuese të jetës sime, aq sa më ka krijuar idenë sikur kam jetuar dy herë. Nuk më ka ndodhur ndonjëherë më parë, të jetoja trishtim e gëzim të njëjtën kohë. U trishtova që s’realizova dot një aspiratë shumëvjeçare timen, një program zhvillues fantastik që do ta nxirrte Shkodrën nga prapambetja sociale, ekonomike; për njerëzit e panumërt që takova, profesionistë, dashamirës nga anekënd bashkisë, që më mbështetën me shpirt, për ditët që fillonin në orën 7 dhe mbaronin në orën 4 te mëngjesit të ditës tjetër, për ata që ma besuan atë rol dhe për ata që më besuan votën e tyre dhe që s’ishin pak, se vetëm në qytetin e Shkodrës kemi marrë 40% vota më shumë se rezultati më i mirë i arritur në të gjitha zgjedhjet lokale të 25 viteve të fundit dhe i gjithë ky besim nuk mori drejtimin që duhej.
Kisha shtrënguar me mijëra duar njerëzish nga qyteti, nga fshati, profesorë, artistë, sportistë, mjekë, bankierë, ekonomistë, juristë, arsimtarë, sociologë, tregtarë, biznesmenë, studentë, bujq, punonjës fabrikash, njerëz me punë e të papunë, duke shpresuar fort të gjithë bashkë në votën e ndryshimit. Por ndryshimi erdhi vetëm së brendshmi dhe kjo ishte pjesa e gëzueshme. Asnjë universitet apo kualifikim mbi jetën dhe marrëdhëniet njerëzore, s’do më kishte mësuar më shumë se ato 2 muaj e gjysmë fushatë në rrethana aq të papërshkrueshme. Gjithmonë e kam ndjerë që në jetë është më i rëndësishëm procesi se ajo çfarë arrin, por kësaj radhe pata fatin ta vërtetoj, nën tërë peshën magjike të dhimbjes. Politika ka qenë dhe mbetet një thirrje e brendshme, tashmë aq e hershme dhe me aq shumë përkushtim nga ana ime, sa shansi për t’u penduar është si të pendohem pse jetoj. Unë për nga natyra jam energjike dhe kreative, por angazhimi politik ma bën jetën shumë më interesante, më sfiduese, dinamike dhe që të përfshihem me tërë qenien time. Të kesh mundësi të mendosh, të punosh dhe të sakrifikosh për një botë me drejtësi sociale është nderi më i madh që universi mund të të bëjë.
Do të donit ta përsërisnit kandidimin, qoftë për deputete, meqenëse pritet që të jenë zgjedhjet në 18 qershor 2017, apo qoftë edhe për pushtetin vendor, kur ato të vijnë?
Sfidat qeverisëse kanë reflektuar më së miri se vendimmarrja politike ka kaluar në filtrin e vlerave të përbashkëta të familjes sonë socialiste. Mendoj dhe besoj se shqiptarët duhet të çojnë përpara me kurajë reformat që janë ndërmarrë, duke filluar nga ajo në administratën publike, energji, arsim, ndarjen e re administrative, zhvillimin ekonomik, për ta përmbyllur me më të rëndësishmen, atë në drejtësi si e vetmja rrugë drejt integrimit në familjen europiane. Vazhdimësia e këtij rrugëtimi, udhëhequr nga Partia Socialiste është jetike për Shqipërinë dhe unë besoj se zgjedhjet e 2017-ës do të konfirmojnë angazhimin e shqiptarëve për të zgjedhur drejtimin e duhur. Me besimin te parimet e majta dhe forcën e kurajës do të punoj çdo ditë, së bashku me shumë energji dhe vullnete të tjera, për ngritjen e një shteti modern, demokratik për shqiptarët. Sigurisht parlamenti është fushëbeteja më e mirë për ta bërë zërin tim të dëgjueshëm dhe vullnetin tim të përkthyeshëm në politika konkrete për të rinjtë, fëmijët, nënat dhe vajzat, duke forcuar shtyllat e lirisë, demokracisë dhe drejtësisë në Shqipëri. Shqipëria ka ndryshuar shumë, sot më shumë se kurrë lind nevoja që të mos ulim ritmin e aksionit politik në shërbim të reformave që kemi e do ndërmarrim, me qëllim që të bëhemi sa më shpejt pjesë e familjes europiane.
A duhet që më në fund të ketë një revolucion në sallën e parlamentit, duke larguar kastën e vjetër të deputetëve dhe duke futur më shumë të rinj, si nga PS ashtu edhe nga PD?
Mendimi dhe veprimi politik në gjykimin tim janë faktorët përcaktues për “jetëgjatësinë” politike, mosha nga ana tjetër është një element jo relevant në politikën aktive. Partia Socialiste është angazhuar edhe me statutin e ri, që të jetë gjithëpërfshirëse ndërmjet burrave dhe grave, duke aplikuar si asnjëherë më parë, si asnjë forcë politike, barazinë 50% në listat zgjedhore. Mendoj se garantimi i këtij standardi konsolidon demokracinë dhe fuqizon rolin e gruas në shoqërinë tonë. Nga ana tjetër, mendoj se angazhimi politik është një rrugëtim drejt arritjes së një qëllimi dhe jo qëllim më vete. Sigurisht që në parlament ka edhe “fosile” politike, që jo vetëm nuk ofrojnë alternativë progresi për shoqërinë, por bëhen pengesë dhe sigurisht që mendoj se duhen zëvendësuar. Shpresoj shumë që edhe PD të gjejë kurajën së brendshmi për t’u transformuar në një parti, që u mëshon vlerave europiane, duke mbështetur angazhimin politik të grave, por edhe duke u distancuar nga “fosilet” që pengojnë integrimin në BE.
Ju e keni rrëfyer historinë tuaj se si u afruat me PSnë, por duke qenë se jeni përfaqësuese e shtresës së të përndjekurve, sa komode e ndjeni veten në Partinë Socialiste, një parti e majtë në program.
Shpesh përballem me pyetjen “Si ka mundësi që babai yt bëri burg politik në rininë e tij dhe ti u bërë pjesë e së majtës?”. Babait tim iu mor një pjesë e rëndësishme e lirisë, duke e burgosur në një nga burgjet më të tmerrshme të diktaturës, atë të Burrelit, ende pa mbushur 17 vjeç, asokohe një muzikant i talentuar i Liceut Artistik në Tiranë, plot ëndrra dhe shpresa e që formimi i tij bashkuar me idealin rinor nuk ia lejonte të pajtohej me diktaturën. Bashkë edhe me shokë të tjerë të liceut u solidarizuan me studentët që u ngritën në revolucionin hungarez të vitit 1956 dhe sigurisht u dënuan për këtë fakt. Dhe deri këtu nuk shoh asgjë të djathtë, përveç një djali 17-vjeçar me shpirt sfidues dhe kulturë të fortë demokratike, që nuk iu tremb as dhunës, as burgut, por që pati ndriçimin dhe kurajën e duhur për të kundërshtuar një regjim të egër shtypës. Në izolimin e atyre 45 viteve, dhuna sistematike që shtypte shqiptarët duke i vrarë shpirtin e lirë, derisa askush të mos guxonte më as të mendonte përtej kornizave të realizmit socialist, ishte mekanizmi i vetëm i suksesshëm, që mbante diktaturën në këmbë dhe të them të drejtën më ngjan në kufijtë e absurdit, kushdo që vazhdon të asociojë të majtën e sotme me fantazmat e asaj diktature, ndaj s’më mbetet shumë për të thënë.
BW/d.i.