“Jemi 9 shqiptarë këtu. Më i madhi është 44 vjeç. Vijmë nga vende të ndryshme, jemi shqiptarë nga USA, apo dhe Kanadaja, ushtarë dhe ish-ushtarë”, tha ai.
Ai pohon se armiku (ushtria ruse) po avancon drejt Kievit, ndërsa shton se këto forca janë të shumta në numër. “Ata po avancojnë dhe beteja është e vështirë. Por pavarësisht se janë të shumtë në numër, nuk kanë guxim. Shumë prej robërve që kemi kapur, pohojnë se nuk ishin nisur për luftë dhe se i kanë mashtruar. Ata nuk duan të luftojnë kundër Ukrainës.”, thotë shqiptari.
“Falë Zotit jemi mirë të gjithë. Vetëm disa lëndime të vogla”, shton ai. Madje shqiptari jep dhe video nga fushë beteja, ku shihet se si kolegët e tij ukrainas filmojnë atë çka ndodh në terren, ku pamjet e luftës janë të qarta. Në videot e siguruara nga BalkanWeb shihet se si sulmohen tanke, apo hidhen raketa, ndërsa në qiell shfaqen shtëllunga tymi, ndërsa ushtarët ecin të qetë, në misionin e tyre; për të luftuar armikun. Po ashtu, shqiptari ka siguruar për BË edhe pamje nga fronti i luftës dje në Kharkivi, ku shihet se si i zihet rruga dhe kapen mat tanket ruse. Ndër të tjera i riu ka dërguar edhe një video ku shfaqet një ushtar rus i kapur rob. Ushtari rus, që ka dëmtime në sy dhe është i fashuar, dëgjohet teksa flet në telefon ku sqaron se është kapur nga forcat ukrainase.
BalkanWeb sjell si dëshmi të bisedës me shqiptarin pjesë nga komunikimi me të, por për shkak të situatës nuk mund të verifikohet vendndodhja e tij. BW