Nga Johana Lubonja
Nuk është fort komode të negociosh një intervistë me Leonard Qukun, ish-kryeredaktorin e Syri.net, i larguar së fundmi nga kjo media në një mënyrë të dyshimtë që ka ngjallur jo pak debate.
Quku ndonëse i predispozuar dhe falënderues ndaj interesimit tonë, ishte i kujdesshëm dhe kërkonte garanci që nga ana e DITA-s kjo intervistë të mos ishte tendencioze apo me axhendë politike të fshehur kundër Berishës.
Pasi bëmë të qartë interesin publik të intervistës si dhe faktin se përgjigjet i ka ai vet në dorë ndërsa ne veç pyetjet, zhvilluam një intervistë e cila zbërthen konfliktin e bujshëm mes tij dhe drejtuesëve të medias më të madhe opozitare, duke ofruar detaje mbi akuzat e natyrës bolshevike që i bëheshin atij, episodet me Belind Këlliçin dhe një sanitare të institucionit, por dhe një sqarim shterues nga ana e Qukut mbi aludimet mediatike për skandal seksual në 48 orët e fundit..
– Zoti Quku ju keni bërë dy reagime publike ku shpreheni mbi një padrejtësi të bërë ndaj jush, nga një zotëri i quajtur Gazmir Spahia drejtor në Syri TV. Sipas jush ai ka abuziuar me ju dhe ka ndërrmarë hapa diskriminues me pushimin tuaj nga puna. Ju shpreheni se problem ka nisur më datën 29 Maj 2023. Por dua ta nis me pyetjen, çfarë ju bëri të qëndronit në heshtje dy muaj dhe pse nuk reaguat që në datën 29 Maj?
Së dyti, miqtë e përbashkët. Një duzinë njerëzish kanë ndërhyrë gjatë kësaj kohe që raporti mes nesh të rikthehej ai i dikurshmi dhe bashkëpunimi të vazhdonte. Sepse nuk kishte arsye objektive të mbërrihej deri këtu. E kam theksuar, më është komunikuar shkarkimi nga puna të hënën e 29 majit, ora 17:10 në mënyrë ultimative, pa asnjë shpjegim, pa asnjë fakt se ku dhe çfarë kisha gabuar. Dhe po në atë moment është sekuestruar me urgjencë kompjuteri im i punës në mënyrë arbitrare me urdhër direkt të Gazmir Spahisë.
Reagimi dhe bërja publike rreth 2 muaj më pas ishte pikërisht për dy arsyet që kam përmendur, për të njohur situatën, për korrigjuar veten nëse kishte diçka për korrigjim. Por edhe sot e kësaj dite nuk e di pse jam shkarkuar. E nuk më jepet as kontrata e punës në mënyrë që kjo çështje me zotin Spahia të marrë rrugën e zgjidhjes ligjore. Edhe pse një numër i madh miqsh të përbashkët i kërkuan të tërhiqej nga vendimi arbitrar, ose së paku zgjidhjen konform Kodit të Punës, ai ka refuzuar në mënyrë kategorike.
Sikurse kolegët gazetarë po më kërkonin me insistim që duhet të mbaja një qëndrim sepse jemi në kushtet e një padrejtësie dhe diskriminimi të panatyrshëm që kurrsesi nuk duhet të kthehet në precedent për gazetarët e tjerë. Gjykova që çështja duhej bërë publike dhe disa të vërteta duheshin thënë ashtu siç ishin dhe jo siç i fabrikonte Gazmir Spahija (Spahia).
– Në kuptimin institucional ju ishit hierarki e drejorit të Financës Gazmir Spahia apo e drejtorit editorial Çim Peka?
Sipas deklarimit në tatime rezultoj punonjës i “3DS&Entertainment” me administrator Gazmir Spahinë.
– A është Spahia ai që përzgjedh stafin apo është thjesht personi që paguan stafin e përzgjedhur nga Peka?
Për rekrutimin e stafit nuk mund të themi se njëri përzgjedh dhe tjetri paguan. Unë isha Kryeredaktori i portalit Syri.net dhe nuk mund të vinte dikush në punë, në redaksinë time, pa miratimin tim.
Unë diktoja hapësirat për të cilat kishim nevojë dhe bëja sugjerimet përkatëse. Pra, flasim për aspektin profesional të cilin e kam patur parësor përgjatë 2 viteve të drejtimit të kësaj medie.
– Po, por në kuptimin editorial mediatik më intereson të di, jo thjesht në hierarki tregtare, juve vet kush ju tërhoqi te Syri dhe kush ju kontrollonte ose orientonte editorialisht. Gazmir spahija apo Çim Peka?
Isha propozim i Gazmir Spahisë. Gazetari Çim Peka, nisur edhe nga përvoja e tij mediatike ishte ai që na asistonte për linjën editoriale.
– Si ndodhi që pikërisht personi që ju tërhoqi në staf, më pas u shndërrua në armikun tuaj?
Unë nuk kam një përgjigje as sot e kësaj dite, kur kanë kaluar pothuajse 55-56 ditë. Fillimisht, siç e theksova edhe më lart, mendova se ishte një luhatje emocionale e momentit nga ana e zotërisë, një stres i akumuluar për arsye të kuptueshme njerëzore, një haluçinacion, apo një paranojë që mund ta dijë vetëm ai.
Akuzat që artikulon nëpër tryeza me miq të përbashkët, por edhe në korridoret e redaksisë së Syrit ndryshojnë nga ditë një ditë. Njëherë thotë se punoja për media të tjera, njëherë që kam kontakte me gazetarë armiq, por ka deklaruar edhe të paimagjinueshmen, që unë kam ndikuar në humbjen e kandidatit të opozitës në bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi përballë Erion Veliajt. Belindi është miku im, isha pjesë e shtabit të tij elektoral, kam bërë gjithçka që të fitonte në Tiranë, kam patur dhe kam raportin më korrekt të mundshëm me të. Por, ajo që duhet thënë është se Belindi u sabotua nga vetë akuzatorët e mi. Drekat dhe darkat me rivalët politikë të Belindit i hanë ata, jo unë.
Pse u shpalla unë “armik”? Ndoshta për faktin se nxora anën time njerëzore dhe humane kur zotëria shkarkoi nga puna sanitaren e redaksisë, për sjellje jo të mirë, sipas tij. Për mua dhe stafin tim, sanitarja konsiderohej pjesë e jona. Kur sheh një njeri duke qarë në korridor nëse je prej mishi dhe gjaku, të prek edhe ty ky moment.
Unë i sugjerova të bisedonte me Çim Pekën, sepse një njeri me aq halle, me mungesa edhe të gjërave ekzistenciale, nuk jam i sigurt nëse e ka një strehë mbi kokë apo, siç edhe na ka thënë, në ditë të caktuara nuk i gjen as bukë në shtëpi – insistova që të rrinte në punë.
Dhe fatmirësisht, zonja qëndroi në punë. Ky moment mund të ketë shërbyer si thyerje mes meje dhe zotit Spahia, për shkak se ndoshta pa dashje i kam ndërhyrë në kompetencat e tij ekzekutive të cilat i do aq shumë.
– Zoti Quku, disa media që kanë raportuar reagimet tuaja kanë aluduar për një skandal seksual që ju jeni në dijeni. Duke ju referuar datës 29 Maj ora 17:10, të theksuar prej jush në statuset e Facebook. A jeni ju dëshmitar okular i një skandali seksual në Syri.net? Dhe nëse jo, si ka mundësi që nuk i keni mohuar me forcë këto aludime mediatike me statusin tuaj?
Nuk kam dijeni për një gjë të tillë. Sikurse ju, edhe unë kam dëgjuar thashethemet që nuk duhen marrë si të vërteta. Mendoj se shpërndarja e tilla hamendësimeve ka për qëllim të shpërqendrojë vëmendjen nga problematika reale. Historitë rozë, historitë me pasione janë gjëja e fundit që më shqetëson. Më shqetëson keqtrajtimi që iu bëhet gazetarëve, më shqetëson diskriminimi i tyre, më shqetëson flakja e tyre në rrugë dhe askush, asnjë autoritet, asnjë institucion, asnjë aktor nuk i merr në mbrojtje.
Gazetarët janë shtresa më e diskriminuar. Mbrojtësit më të mëdhenj të interesit publik janë më të pambrojturit. Kjo ëhstë alarmante dhe duhet të shërbejë si një kambanë alarmi.
– Mëse dakord, po a nuk mundeshit ju që me dy gisht status në Facebook të hidhnit poshtë këto aludime duke i mohuar publikisht? Dua të kuptoj pse nuk keni reaguar ndaj këtyre aludimeve?
Gjykoj që kjo çështje nuk më përket mua. Me sajesa të neveritshme që duan të lidhin emrin tim me histori rozë apo skandale seksuale të dikujt tjetër, nuk merrem. Unë mbaj përgjegjësi për këto që kanë autorësinë time. Dritarja ime e vetme komunikative është profili im në Facebook, aty jemi të gjithë njerëz të lirë për shprehje mendimesh, askush nuk censurohet për opinionin e tij, siç mund ta verifikoni edhe vetë.
E ritheksoj, ajo që na shqetëson dhe duhet të na bëjë bashkë si gazetarë si mua ashtu edhe ju, është mungesa e sigurisë në ushtrimin e profesionit tonë, kontratat e punës që nuk respektohen, pagat qesharake etj.
– E kuptoj shumë mirë këtë që ju thoni, por ama një reagim nga ana juaj, një mohim do ishte siguresë që t’i jepej fund spekulimit, çne nuk i mohuat kategorikisht këto aludime publike për skandal seksual? Neglizhencë apo diçka tjetër?
Spekulimit t’i japin fund ata që e kanë nisur duke shpërndarë banalitete në rrjet. Wall-i im nuk mund të ndotet me thashetheme që për mendimin tim janë dashakeqe dhe synojnë të shfokusojnë vëmendjen nga ato që unë po ngre si shqetësime.
– Zoti Quku, ju jeni shprehur se zotiu Gazmir Spahija ka sekuestruar kompjuterin tuaj, ka fshirë user-in tuaj dhe gjithë aktivitetin tuaj elektronik në sistemin e Syri.net. Çfarë kishte aq të rëndësishme user-in juaj? Çfarë përfitonte zoti Spahija nëse asgjësonte këto të dhëna?
Sekuestrimin e kompjuterit unë e lidh me urgjencën për të zhdukur programet e përgjimit. Një ish-bashkëpunëtor i SHIK-ut me paranoja nga zanati në të kaluarën, Gazmir Spahija, përgjon “elementët e dyshimtë”.
Nga bisedat infantile që lëshon lart e poshtë tashmë, mendoj se pjesë e “elementit të dyshimtë” mund të kem qenë edhe unë. Sikurse mund të jenë edhe plot kolegë të tjerë aty. Fatkeqësi që këtij personi i është lënë drejtimi i medias së vetme opozitare në vend, medias ku janë sytë dhe shpresat e demokratëve për një linjë ndryshe në përcjelljen e lajmit, jo siç del i gatuar nga zyra e kryeministrit, por duke denoncuar korrupsionin, padrejtësinë ndaj qytetarëve dhe mbrojtjen e interesit të tyre.
Fshirja e user-it është bërë me qëllim zhdukjen e çdo gjurme timen në sistem, duke parashikuar ndoshta përballjen në gjykatë e cila mund të kërkonte prova të kësaj natyre. Por, edhe njëherë, e gjitha është paranoja.
– “I është lënë lënë drejtimi i medias së vetme opozitare”, – shpreheni ju. I është lënë nga kush? Kush paska këtë kompetencë që të lërë në dorë të X apo Y një media opozitare?
Po ju e dini kush janë pronarët.
Po t’i hidhni një sy në QKR, pronari është kolegu Peka me një përfaqësi ortakësh në mos gaboj.
– Pra sipas kësaj që ju thoni është Peka ai që kontrollon Gazmir Spahinë apo jo?
Po t’i referohemi dokumenteve, kështu rezulton.
– Po ju duhet ta keni patur të thjeshtë zgjidhjen e problemit, mjafton të ankoheshit te zoti Peka. A u takuat me zotin Peka?
Patjetër. Madje komunikimi mes dy gazetarëve është fluid sado divergjenca të ketë. Por dokumentet e mia, firmosjen e kontratës së punës, firmosjen e urdhrit të emërimit e kisha drejtpërdrejt me administratorin Gazmir Spahia. Dhe ky i fundit insistonte që unë duhej të largohesha nga puna me çdo kusht.
– A ju mbështeti zoti Peka?
Ishte bashkëpunues, padiskutim. Por nuk më ndihmonte dot më shumë. Edhe pse e mirëkuptonte situatën time, por nuk e kuptova asnjëherë pse unë nuk u riktheva në vendin tim të punës.
– Zoti Quku, nëse ju thoni që sipas dokumenteve ishte zoti Peka pronari dhe zoti Spahija thjesht administrator, atëherë si është e mundur që më tej thoni që zoti Peka nuk mund tju ndihmonte më shumë? Sikur ka një kontradiktë logjike..
Nga komunikimi që kam patur me të, kuptova qartë që, pavarësisht nga dëshira – ndoshta, nuk më ndihmonte dot. Ose thjesht nuk donte, të mos e përjashtojmë as këtë opsion.
– Në SMS e disa gazetarëve kanë qarkulluar mesazhe që familjarë e të afërm tuaj i kanë dërguar zotit Spahija, ku i kujtonin atij se për konfliktin dhe padrejtësitë që kishte bërë ndaj jush ishte vënë në dijeni dhe zoti Berisha. Pse duhej të vihej në dijeni zoti Berisha mbi aktivitetin e një kompanie private?
Zoti Spahia ka qenë edhe drejtori i fushatës së zotit Berisha, në zgjedhjet vendore të 14 Majit. Për shkak të afrimitetit. Bashkëshortja ime, Mirela Vata (ose siç e njohin Ela Vata) është partiake e vjetër, familje e nderuar nga Mati me një historik të jashtëzakonshëm pranë Partisë Demokratike që nga themelimi i saj në fillim të ’90.
Duke patur edhe funksione drejtuese të degën lokale të PD-së në Mat, bashkëshortja ime i ka kërkuar zotit Spahija (Spahia) t’i vendosë në dispozicion një provë të vetme për tradhtinë time të pretenduar, për vendimin e tij arbitrar. Por, zoti Spahija (Spahia) në vend që të nxirrte provat kundër meje, ka shpërndarë me screenshot mesazhin e Ela Vatës, shpjegimin logjik të këtij veprimi nuk arrij ta konceptoj dot. E imagjinoni çfarë akti “burrëror” ka bërë?!
– A është zoti Spahia një i punësuar i zotit Berisha?
Gazmir Spahija është anëtar i Këshillit Kombëtar të PD. Partia Demokratike është organizatë vullnetare dhe nuk mendoj se paguan. Edhe angazhimin tim pranë Partisë Demokratike e kam bërë vullnetarisht.
– Më lejoni tju bëj një pyetje jo të thjeshtë por që realisht e mendoj. Nëse ju zoti Quku keni vështirësi të rrëfeni ose të pranoni hapur pronarët e vërtetë të Syri.net, vërtetë mndoni se nga këto pozita do mund t’i shkaktoni ndonjë dëm apo kosto Edi Ramës apo Erion Veliajt?
Një gazetar duhet të jetë i besueshëm në ato që thotë. Çfarë të bën të besueshëm? Vërtetësia e asaj që thua, pra, vërtetësia e lajmit. Ne mund të sjellim në mendje 100 emra politikanësh, pronarësh, biznesmenësh, oligarkësh, që ky është pronar i këtij dhe ai i asaj, etj., me radhë, sikurse në biseda tavolinash mund të jemi ndoshta më të vërtetë, më të drejtpërdrejtë – por si mund t’ia bëjmë me verifikimin e fakteve?
Nëse ne nuk verifikojmë faktet, biem në dezinformim. Dëmet dhe kostot Edi Ramës dhe Erion Veliajt t’ia shkaktojnë ata që e kanë marrë përsipër këtë rol, opozitarët protagonistë. Unë flas si gazetar dhe nuk dua të ekspozohem si çrregullues i informacionit.
– Në këndvështrimin tuaj, një ish-drejtor i tatimeve i qeverisë Berisha si zoti Spahia, ka gjasa të jetë i punësuar i zotit Berisha apo një profesionist i pavarur?
Gazmir Spahija mua më rezulton i punësuari i kolegut Çim Peka. Gjithnjë nëse nuk gabohem, referuar të dhënave të QKR-së. Po një profesionist i medias si Çim Peka, e aq më tepër dhe me kompetenca madhore mbi Spahinë, nuk arriti dot ta kuptonte që ju ishit në të drejtën tuaj_
Mendoj se në kushtet kur raportet mes meje dhe zotit Spahija ishin krisur keq, Peka do ketë qenë para zgjedhjes: O Qukun, o Spahinë! Unë isha më i pambrojturi dhe më i ekspozuari nga padrejtësia, si rrjedhojë e pësova unë.
– Kush e mbronte Spahinë në mënyrë më të veçantë se sa ju?
Mund të them njohja e tyre e hershme, ndonjë mik i përbashkët më i fortë se sa miqtë e mi. Mund të jenë disa arsye. Unë kisha vetëm dy vite pjesë e Syrit. Ata punonin së bashku prej disa vitesh.
– A keni bashkëpunuar ju gjatë fushatës elektorale me biznesmenin e etiketuar si “Bushi” ish kryetar i bashkisë Rrogozhinë dhe i njohur si person që ka mbështetjen e Veliajt?
Njohja ime me Bushin është që nga Gazeta Mapo ku kam punuar për tre vite. Unë me Bushin kam raporte miqësore siç kam me dhjetëra kolegë gazetarë, apo edhe me botues të tjerë. Se kë mbështet Bushi nuk mendoj se përbën çështje për mua apo të më privojë nga kafet me të.
Bushi është babaxhani i tavolinës, gjen aty demokratë, foltoristë, rithemelimsa e bashistë, socialistë, ish-LSI-stë, patriotët e tij çam etj.
– A keni asgjësuar ju në mënyrë të fshehtë nga website Syri.net disa shkrime kundër AKSHI-t?
Nuk e kuptoj logjikën e kësaj pyetje. Jam i predispozuar të ruaj diskrecionin si pjesë të profesionalizmit tim. Kush e ka bërë një akuzë të tillë sepse më tingëllon e padëgjuar? Ju dispononi një pretendim të tillë nga ish-punëdhënësit e mi?
– Le të themi që është një akuzë e dëgjuar nga pala tjetër..
Më duhet të njihem zyrtarisht me këtë akuzë nga personat përgjegjës. Dhe nuk mund të them asgjë tjetër për momentin. Por pa diskutim që një qëndrim do ta kem të shprehur publikisht.
– Në debatet tuaja me zotin Spahia a kanë qenë shkrimet e AKSHI, objekt përplasje?
Jo, asnjëherë. Nuk më rezulton. Siç iu thash, duhet të njihem me vërtetësinë e këtij pretendimi. Nëse një akuzë e tillë do të artikulohet seriozisht, të jeni të bindur që do të kem një qëndrim edhe për këtë.
– Pse ju keni përmendur orën 17:10 të datës 29 Maj. Çfarë ka nbdodhur në këtë orar?
Është data dhe ora e terrorizimit të një gazetari nga Gazmir Spahija. E kam bërë të ditur, gjuha e tij kërcënuese pa shkak, pa arsye. Por zotëria po tenton t’i fshihet kësaj që ka bërë me ose pa vetëdije, nuk i di arsyet e sjelljes së tij haluçinante – ndaj meje, duke fabrikuar një dokument sikur kam braktisur vendin e punës.
– Pyetja e fundit. Disa media, mes tyre dhe DITA kanë vënë theksin të fakti që organizata europiane e mbrojetjes së gazetarëve e drejtuar nga Ricardo Gutierrez, ka mbrojtur me forcë gayetarë të caktuar por ka heshtur në rasin tuaj. Ju si i keni parë nga pozicioni juaj këto debate?
Unë ju falenderoj për solidaritetin që keni shprehur me mua. Gjithmonë kur një gazetar pengohet në ushtrimin e detyrës së tij, shantazhohet, intimidohet – shoqëria duhet të alarmohet. Mendoj se është çështje lobimi. Unë nuk kam lobues aq të fortë sa problemi im të shkojë deri te zoti Gutierrez, i cili siç është shprehur me ironi edhe një kolegu jonë, “të dielave e bën pushim” dhe nuk mund të dërgojë një email, si në rastin e mjaft kolegëve të tjerë, kur i trysnon pushteti.
Pra, këtu halli më i madh është të mos e quajmë hajdut hajdutin se i ngel hatri dhe për më tepër reagon zoti Gutierrez e përmbyset dynjaja, ndërsa për kushtet tona të punës, mosrespektimin e Kodit të Punës, flakjen në rrugë si leckë, nuk duhet të ankohemi te zoti Gutierrez se është i zënë me ca çështje më të rëndësishme se të drejtat tona themelore./Dita