NGA: Dashnor Kaloçi
Ky dokument që po publikojmë në këtë pjesë të librit, duhet thënë që në krye të herës, se është me mjaft interes. Jo vetëm pse është shkruar nga Dritëro Agolli, një figurë emblematike e letrave shqipe që nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar, i konsideruar edhe si ‘patriarku’ i kësaj letërsie, por edhe për një mori emrash që përmenden në këtë dokument, kolegë dhe miq të ngushtë të tij, të cilët gjithashtu janë jo pak të njohur, apo thënë ndryshe ‘kolosë’ të kulturës dhe letrave shqipe. Si p.sh. Dhimitër Shuteriqi, Ismail Kadare etj. etj. Madje jo vetëm kaq, por ky dokument hedh dritë mbi disa çështje dhe ngjarje të largëta në kohë, të cilat kanë mbetur të mbuluara me mister dhe janë bërë objekt diskutimesh nën zë apo publikisht, që nga ajo e kohë e deri më sot. Ndër to mund të veçojmë tri probleme kryesore.
1. Si dhe nga kush u kritikuan e u sulmuan së pari drejtuesit e vjetër të Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve, Dhimitër Shuteriqi, Ibrahim Uruçi, Vilson Kilica e Hamide Stringa? 2. Cilat ishin kritikat dhe sulmet më të rënda që iu bënë, së pari Fadil Paçramit nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve? 3. Si dhe pse nisi fillimisht ‘konflikti’ Agolli-Kadare (konflikt i cili thuhet se ka vazhduar gjatë mes tyre, me ngritje dhe ulje deri në ditët e sotme)? Lidhur me të gjitha këto, por dhe me mjaft probleme e çështje të tjera të shumëpërfolura dhe mjaft të diskutuara prej vitesh, na njeh deri diku ky dokument i vitit 1973, i cili është shkëputur nga një dosje voluminoze me qindra fletë, që flet për periudhën janar-qershor 1973, kur filluan kritikat, sulmet dhe goditja ndaj Fadil Paçramit. Në këtë kuadër është mbajtur edhe mbledhja në fjalë, me temë: “Si duhet kuptuar dhe si duhet luftuar rrethimi imperialisto-revizionist i vendit tonë dhe efekti i presionit të tij mbi ne”, mbledhje e cila zhvillohej ‘nën frymën e fjalimeve të shokut Enver, në luftë kundër liberalizmit dhe ndikimeve e shfaqjeve të huaja në letërsi, art, kulturë etj.’. Dhe nga kjo mbledhje kemi shkëputur diskutimin e Dritëro Agollit, i cili në atë kohë ka qenë me detyrën e sekretarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për poezinë, dhe njëkohësisht sekretar i organizatës bazë të partisë së Lidhjes.
Siç do ta shohim edhe në dokument, me diskutimin e tij, duket qartë se Dritëroi ka qenë tejet i ashpër në kritikat dhe sulmet që ka bërë jo vetëm ndaj drejtuesve të vjetër të Lidhjes (Shuteriqi, Uruçi, Kilica e Stringa), të cilët as më pak dhe as më shumë etiketohen si ‘bashkëpunëtorë të ngushtë të Fadil Paçramit’, por edhe ndaj kolegëve dhe shokëve të tij më të afërt, si p.sh. Kadareja. Siç do ta shohim, në dokumentin në fjalë, ajo që vihet re në sulmin që iu bëhej drejtuesve të vjetër dhe të moshuar të Lidhjes, ishte se ata akuzoheshin për ‘liberalizëm’, nga kolegë të tyre më të rinj (siç ishte konkretisht Agolli), të shkolluar në ish-Bashkimin Sovjetik, pikërisht në atë kohë kur atje frynte ‘era hrushoviane’ e liberalizmit. Gjëja tjetër që vihet re nga kritikat që i bëhen ‘gardës së vjetër’, nuk është thjesht në fushën e artit, kulturës dhe letërsisë, por ata janë sulmuar dhe denoncuar edhe për probleme të tjera të jetës së tyre private, që nuk kishin të bënin fare me anën profesionale. Por, edhe pse komunisti ishte përgjegjës dhe jepte llogari për gjithçka nga jeta dhe puna e tij, kur kemi parasysh faktin se bëhej fjalë për kolegë, shokë e miq, sulmet në fjalë (parë këto jo vetëm nga këndvështrimi i sotëm, por edhe në të kohë), krijonin një farë habie, po themi, në sytë e kolegëve dhe opinionit. Por gjithsesi, duke i gjykuar e analizuar gjërat në kontekstin e kohës dhe vendin kur ato kanë ndodhur, në një farë mënyre çdo gjë ishte e pranueshme.
Dhe, aq më shumë po të kemi parasysh periudhën kur kanë ndodhur këto ngjarje, pra ‘fjalimet e fundit të Enver Hoxhës’, dhe që ato gjëra diskutoheshin në një mbledhje organizate partie, ku bënin pjesë personazhet më të njohura të artit e kulturës në Shqipëri, përsëri këtu jemi në ‘normalitetin e kohës’ për të cilën po flasim. Dhe, prej këtyre personazheve që po flasim (konkretisht Dritëro Agolli), ‘Partia priste shumë’ dhe ata duhej ‘të jepnin shembullin personal’ në çdo aspekt të jetës. Po kështu, duke pasur parasysh edhe faktin se Dritëro Agolli, të cilin partia ‘e vlerësonte shumë’, ishte zgjedhur sekretar organizate pikërisht për të ‘përçuar’ aty zërin e partisë! Dhe, vetëm pak kohë pas asaj mbledhjeje, Agolli u caktua në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve, funksion që ai e mbajti gjatë, deri në fund të regjimit komunist, atij regjimi për të cilin ishte krijuar dhe i shërbente ajo Lidhje. Por duhet parë dhe ana tjetër e ‘medaljes”, pasi dihet që Dritëroi nuk është njohur dhe duhet pranuar se nuk ka qenë ai ‘dogmatik i thekur e fanatik i vijës së partisë) që shfaqet në këtë dokument. Dhe, nisur nga ky fakt i pranuar nga të gjithë, duket se gjithçka ka ngritur Agolli në diskutimin e tij, duket se ka qenë një ‘përjashtim’, pasi poeti nga Devolli është njohur edhe si shumë liberal e ‘babaxhan’, që ka mbrojtur mjaft nga kolegët e tij, si p.sh. edhe vetë Kadarenë, apo të tjerë shkrimtarë dhe artistë që nuk i pati njohur kurrë, apo letrarë të rinj, që vetëm në saj të firmës dhe rekomandimit të tij fituan të drejtën e studimit për në shkollat e larta dhe më pas u bënë emra jo pak të njohur të letërsisë e gazetarisë në Shqipëri e diasporë. Madje më shumë se kaq; gjatë karrierës së tij të gjatë në krye të Lidhjes, ka pasur raste kur me ndërhyrjen apo ndikimin e Dritëroit, i janë hequr hekurat nga duart edhe ndonjë shkrimtari apo artisti.
Pa dashur të biem në konformizëm apo të baraspeshojmë vlerat dhe kontributet përkatëse të dy personazheve në fjalë (Agolli-Kadare), theksojmë edhe njëherë se ngjarjet dhe bëmat e çdo njeriu duhen parë, analizuar e gjykuar në kontekstin e kohës kur ato kanë ndodhur. Dhe kështu, edhe Dritëro Agolli nuk ishte vënë në krye të “Lidhjes” (apo si deputet i Kuvendit Popullor) për të fshehur apo mbrojtur ‘lajthitjet e çmenduritë’ e herëpashershme të Kadaresë, por për tjetër gjë, thjesht e qartë, ‘vijën e partisë’. Por se si dhe sa, këtë gjë e dinë më mirë vetëm ata, dhe deri diku edhe kolegët e tyre shkrimtarë e artistë që kanë marrë pjesë apo jo në ato mbledhje. Dhe, gjithashtu, vetëm ata mund t’i gjykojnë mëkatet apo meritat e njëri-tjetrit. Në këtë këndvështrim, as Dritëroi dhe as Kadareja nuk kanë shfaqur definicione, përkundrazi, ata duken që e kanë mirëkuptuar dhe pranuar njëri-tjetrin, me ato raporte e marrëdhënie që kanë pasur gjatë gjithë periudhës që nga njohja e tyre e deri më sot. Pra, thënë më qartë e shkoqur, as Kadareja nuk ka hedhur akuza ndaj kolegut të tij, as Agolli nuk është “ndjerë” duke i kujtuar ato raste kur e ka mbrojtur kolegun dhe mikun e tij të vjetër. Por Agolli duket sikur i ka kërkuar një farë ndjese Kadaresë, po të kemi parasysh epitafin që ai (Agolli) ka shkruar për veten e tij, ku thuhet:
EPITAF PER VETEN TIME
Këtu po prehet Dritëroi në gjumë
Nën dhé si mëkatar dhe si poet
Mëkate ndoshta nuk do bënte shumë,
Sikur të mos kishte qenë deputet.
2007
(Shkrimi i Sadije Agollit, gazeta “Panorama”, dt. 17 tetor 2016)
Por gjithsesi, nuk dihet me saktësi dhe mbetet përsëri e paqartë se në ‘mëkatet’ që përmend Dritëroi në epitafin e shkruar për veten, bën pjesë edhe ndonjë ‘mëkat’ që ai mund të ketë bërë ndaj Kadaresë. Dhe gjithashtu, edhe gjithçka tjetër që parashtruam më lart, mbeten gjëra tejet të komplikuara e mjaft delikate për të nxjerrë një përfundim të prerë për raportet dhe marrëdhëniet midis dy shkrimtarëve nga më të njohur të letrave shqipe, të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar e në vazhdim, pasi më mirë e më saktë për to, mund të flasin vetë personazhet në fjalë, si dhe të tjerë për të cilët bën fjalë ky dokument, që po e publikojmë të plotë në këtë pjesë të librit.
Diskutimi i Dritëro Agollit në Lidhjen e Shkrimtarëve
Ne sot jemi mbledhur të diskutojmë për fjalimin e fundit të shokut Enver “Si duhet kuptuar dhe si duhet luftuar rrethimi imperialist revizionist i vendit tonë dhe efekti i presionit të tij mbi ne”. Gjer tani ne kemi bërë shumë diskutime në organizatën bazë, në kryesi të Lidhjes, në komisionet e sektorëve të artit e letërsisë, ku drejtojmë, dhe në masën e shkrimtarëve dhe artistëve. Në këto diskutime janë rrahur shumë probleme të artit e letërsisë, me një tendencë të caktuar, kundër ndikimeve të huaja, ku janë këto ndikime dhe pse janë lejuar, ç’të bëjmë më tej që t’u presim rrugën. Problemet janë parë me një frymë kritike dhe autokritike partishmërie. Kjo rrymë është bërë gjithnjë e më e shëndetshme me kalimin e kohës, sepse kemi ardhur duke kuptuar veten tonë në dritën e materialeve të partisë. Gjer tani, sipas mendimit tim, ne kemi bërë kritikë dhe autokritikë, duke zbuluar ndikimet borgjezo-revizioniste, në sektorë të ndryshëm të letërsisë dhe arteve dhe në vepra të veçanta letraro-artistike. Kritika dhe autokritika është bërë përmes një debati ideoestetik, në të shumtën e rasteve. Sot nuk do të bëjmë debat ideoestetik. Do t’u hyjmë problemeve konkretisht, ku i kemi të metat tona në veten tonë dhe me të tjerët. Secili të mbajë aq përgjegjësi sa ka: njëri më shumë, tjetri më pak; jo të gjithë në një thes.
Në këtë analizë ne nuk do të denigrojmë as letërsinë, as artet, as personat, por do të thellohemi në të metat dhe do t’i emërtojmë me emrin e tyre. Shokët mu atë më falin, unë nuk kam eksperiencë partie drejtimi, megjithëse kam 20 vite e ca në parti. Por sipas mendimit tim, sot është e mira të ndalemi te ndikimet e huaja dhe të dëmshme në drejtimin ideologjik organizativ të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Drejtimi ideologjik i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, a u është përmbajtur gjithnjë orientimeve të partisë të Komitetit Qendror apo nuk u është përmbajtur? Ai i ka vënë në jetë orientimet, apo ka ndodhur që i ka deformuar? Në ç’shkallë i ka deformuar dhe ku i ka deformuar? Po zbërthyem këto, u kemi zbërthyer kyçin gjërave, se nga këtej vijnë të gjitha të metat që kemi pasur.Organizata bazë e partisë ku bëj pjesë, drejton një sektor të rëndësishëm ideologjik, letërsinë dhe artet. Në të bën pjesë bërthama drejtuese e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Kryetari i saj, sekretari i përgjithshëm, të tre sekretarët; i letërsisë, i muzikës, i arteve figurative; në të bëjnë pjesë dy kryeredaktorët e dy organeve të shtypit qendror të Lidhjes. Fjalimi i shokut Enver mbajtur në mbledhjen e përgjithshme të komunistëve të aparatit të KQ të partisë për çështjen “Llogari në zgjedhjet më 15 mars 1973”, ka të bëjë drejtpërdrejt me problemet tona. “Partia – këto probleme në art e në kulture, – thotë shoku Enver, – nuk i ka ngritur për herë të parë; ajo i ka luftuar vazhdimisht devijimet në vijë”. Pse ka njerëz që kanë devijuar nga vija e partisë, dhe pikërisht e kanë devijuar drejt liberalizmit, drejt modernizimit, duke imituar të shëmtuarën, të çoroditurën, degjeneruesen, dhe këtë e bënin gjoja pse kështu donte rinia, pse rinia e do të renë, pse rinia do të dëfrejë etj. Edhe kjo do të analizohet.
Këtu e kam për drejtuesit e arteve. Meqenëse edhe jemi drejtuesit e arteve, hajde të analizojmë. Këtu kemi pasur koncepte liberale, ndonjë shok më shumë, ndonjë shok më pak, në drejtimin ideologjik organizativ të Lidhjes. Përgjegjësi të madhe veçanërisht mbajnë shoku Dhimitër Shuteriqi, si kryetar, shoku Vilson Kilica, si sekretar i përgjithshëm, shoku I. Uruçi, si kryeredaktor i “Dritës”, dhe shoqja Hamide Stringa, si sekretare për muzikën. Nuk dua t’i fyej, unë kam respekt për ta, por ata kanë pasur një bekim dhe një adhurim të madh për Fadil Paçramin. Konceptet e tij të padrejta avangardiste dhe nihiliste, antishkencore në kuptimin e traditës, në kuptimin e konservatorizmit dhe të liberalizmit, në kuptimin e konfondimit të traditës. Me konservatorizmin dhe të novatorizmit me liberalizimin, kanë gjetur përkrahjen e tyre. F. Paçrami çdo ditë rrinte kokë më kokë me të, vinte në klub, ngjitej lart në zyrë, dilte nga zyrat në rrugë, nisej nga rruga në vende turistike. Në këto takime rriheshin mendimet, përpunohej një ide, e cila pastaj përhapej me gojë dhe depërtonte edhe në shtyp. Ishte formuar një farë klani, që binte në sy nga të gjithë shkrimtarët dhe artistët. Kudo ku ishte shoku Fadil, patjetër do të ishte Ibrahim Uruçi. Kur mungonte I. Uruçi, patjetër do të ishte Vilson Kilica. Gazeta “Drita” ishte bërë e tija, ai do ta drejtonte. Hidhej një mendim me gojë, ai do të gjente reflektim. Natyrisht, shkalla e bashkëpunimit të këtyre shokëve me F. Paçramin nuk ishte njëlloj. Shoku I. Uruçi ishte më afër nga të gjithë, pastaj vinin shoku Vilson dhe shoku Dhimitër. Shikojeni se si përputhen mendimet, u shkrua një artikull për plenumin e kritikës, e shkruam unë dhe Agim Shehu, pa emra. Shoku Fadil thotë se pse e kishin nënvlerësuar konservatorizmin dhe kishin theksuar më shumë liberalizmin. Të njëjtën gjë e përsëritën I. Uruçi e Dh. Shuteriqi. E quan F. Paçrami “Zërin e Popullit” konservatore. E rrëmbeu I. Uruçi dhe ia përsërit nga vetja shokut Ramiz. Ngul këmbë shoku Fadil që “Dritës” t’i lejohet polemika në “Zërin e Popullit”, hidhet I. Uruçi në sektorin e shtypit në KQ dhe kërkon polemikë në “Zërin e Popullit”. E njëjta kërkesë bëhet në mbledhjen e organizatës bazë të Lidhjes. Ka opinion shoku Fadil se Ministria e Arsimit dhe Kulturës vuan nga konservatorizmi, këtë gjë në një variant të afërt e përforcon shoku Dhimitër, duke thënë në ministri se “rreziku nr.1 është konservatorizmi atje”.
Nuhatet se F. Paçrami nuk i ka qejf forcat e moshuara letrare dhe artistike. Kjo kërkesë, patjetër gjen zbatim. V. Kilica thërret D. Shapllon dhe i bën presion që ai të heqë nga referati i tij në shumë “aspekte të letërsisë dhe arteve nëpër dokumentet e partisë dhe veprës së shokut Enver”, emrat e A. Varfit dhe N. Zajmit, duke e motivuar se nuk shkojnë këta shembuj. Doemos Dalani i heq. I thonë F. Paçramit në Durrës të heqë një copëz që nuk shkonte nga drama “Çështja e inxhinier Saimirit”, ai i heq. Pikërisht këtë copë që heq në Durrës, ia boton I. Uruçi në “Drita”. E di I. Uruçi se shoku Fadil Paçrami i quan konservatorë ca kritikë të institucionit të Gjuhësisë, si Jorgo Bulo e ndonjë tjetër. Shkruan Jorgo artikull, e merr I. Uruçi me dorëshkrim dhe ia jep Dalanit: ‘na e bjeri!’ Pa e botuar, Dalani refuzon. Ky refuzim vihet vath në vesh. E boton artikullin Dalani, i ndërsen nja 5-6. I. Uruçi kundër Dalanit. E shihni pra se si përputhen shumë koncepte të F. Paçramit me një pjesë të drejtuesve të Lidhjes. Këto koncepte përputheshin edhe me cenimin e drejtimit unik të Lidhjes nga KQ. Në fakt, drejtimi unik është thyer disa herë. Lidhja ka cenuar herë-herë haptazi, në kundërshtim me orientimet e KQ. Ajo ka dëgjuar më shumë F. Paçramin se KQ. Këtë e vërtetojnë mjaft qëndrime të I. Uruçit, e ndonjëherë tjetër edhe të shokut Dhimitër. P.sh., shoku Dhimitër dhe I. Uruçi e kundërshtuan haptazi komisionin e KQ. për të parë debatin në shtypin e Lidhjes në qershor e korrik të vitit të kaluar. Kur u tha atje se “Drita” flitet se është bërë organ i F. Paçramit, pasi i mbivlerësuan veprat e tij, shoku Dhimitër e hodhi poshtë këtë vërejtje duke thënë se F. Paçrami ka merita të mëdha. Plenumi i Kritikës letrare u quajt nga shoku Fadil, si një plenum regresiv e konservator, se u mbytën gjoja kritikët e rinj, ata që kishin bërë ato teorizimet e gabuara kundër heroit pozitiv. Këtë mendim të F. Paçramit e rrëmbeu I. Uruçi dhe arriti të bllokojë në “Drita”, duke ia fshehur materialet e plenumit publikut. Edhe ato materiale që botoi, ia hoqi kritikat në adresë të “Dritës”. “U përpoqëm për të mirë në këtë plenum, po s’na doli gjë”, – më thotë F. Paçrami. Varianti i parë i referatit ishte gjëja e mirë, kurse i dyti i shkapërderdhur, sipas tij. “Ndikime janë vënë re vetëm në fund”, thuhej në variantin e parë të referatit.
Ky ishte edhe mendimi i shokut Fadil. “Rreziku i liberalizmit është vetëm në potencë”, – thoshte shoku Dhimitër. I njëjti mendim në zyrat e “Dritës”; ditën e dytë të Festivalit të 11-të të Radio Televizionit, ra fjala për debatin. “Të mos kemi fyerje. Duhet kujdes me debatin, se e patë se ç’na ndodhi në korrik, se çfarë na punuan”, thotë shoku Dhimitër. “Ata që na e kurdisin atë, po heqin shpirt”, – ia pret shoku Fadil. Pra unë jam plotësisht i bindur se mjaft gjëra kanë qenë në kundërshtim, të hapët me orientimet e KQ dhe është cenuar drejtimi unik i Lidhjes, gjë që ka dëmtuar gjithë mekanizmat e organizatës, duke ngjallur dhe konfuzion në mendime nëpërmjet botimeve në “Drita”, veçanërisht, pastaj edhe në “Nëndori”. Në “Drita” nuk zbatoheshin fare këshillimet e KQ. Kryeredaktori i saj nuk i shpinte orientimet te redaktorët; edhe kur i shpinte, i shpinte në formë ankese, dhe redaktorët bërtisnin “t’ia përplasje në fytyrë, ne s’kemi fyer njeri”. Kujt t’ia përplasje në fytyrë, K.Q?! Është fjala për artikullin e Pandeli Koçit, lidhur me polemikën e Razi Brahimit. Ky konfuzion prej avangardizmi u nxit edhe prej kuadrit të paformuar të shtypit, kuadër që s’ka mendime të vetat, po bën ç’t’i thotë I. Uruçi apo ndonjë tjetër. Parimi i zgjedhjes së kuadrit në shtyp, veçanërisht në “Drita”, u bë krejt në parime subjektiviste. Në dy drejtime kishte subjektivizëm; të sjellim njerëz që t’i nënshtrojmë, të jenë të bindur, qoftë dhe në origjinë, të sjellim ata që na kanë lavdëruar F. Paçramin dhe veprën e I. Kadaresë. Kështu, M. Zeqo u mor se kish botuar një apo dy artikuj të I. Kadaresë. Donika Feshti u mor se kishte bërë një diplomë për dramat e F. Paçramit, nga “Drita” u hoqën të dy komunistët, Andon Kuqali e Thoma Frashëri. Përbërjes ideopolitike të kuadrit as i vënë rëndësi. Janë marrë disa njerëz që u ka dalë emri në procese gjyqësore, si Roland Gjoza, ose që kanë përbërje të keqe, si Vasil Melo, Gjergj Zheji etj. Gj. Zheji thotë në plenumin e kritikës se “duhet të kthejmë kokën nga kritika perëndimore”. V. Melo thotë se “fyejmë për KQ”. Kështu, njerëzit që vijnë, as shtrohen në organizatën bazë të partisë, pra është një liberalizëm i theksuar edhe në këto punët e kuadrit.
Nga këto që thashë, nxjerr si përfundim se kemi bërë lëshime të rënda në drejtimin ideologjiko-organizativ të Lidhjes, duke u bërë lëshime konkluzionit në mendime, teorizimeve që cenojnë metodën e realizimit socialist, copëzimin e heroit pozitiv, nënvleftësimin e traditës, keqkuptimin e novatorizmit, konfondimit e traditës me konservatorizmin. Duke qenë vetë disa nga ne brenda një klani me F. Paçramin, kemi favorizuar për formimin e klaneve të tjera të vogla. Këtu përgjegjësi të rëndë mban shoku Dhimitër, si kryetar, i cili i ka lejuar vetes të hedhë mendime të pakontrolluara e të shtrembëruara e të mos bëjë konkluzione shkencore në mbledhje e plenumeve, të mos përgatitet seriozisht, por duke lënë shteg për ekuivoke. Mban përgjegjësi shoku Vilson, si sekretar i përgjithshëm dhe si anëtar byroje, i cili u ka besuar më tepër seç duhet mendimeve të shokut F. Paçrami. Mban shoqja Hamide, e cila nuk ka dalë dot nga tarafet, ka përkrahur një palë dhe ka nënvlerësuar një palë tjetër. Akoma më të rëndë përgjegjësinë e ka shoku I. Uruçi, i cili me gazetën e tij ka nxitur tarafet dhe ka vënë njerëzit në grindje, ka ngjallur në shkrime konfuzion dhe ka bërë teorizime të gabuara.
Gazeta Shqiptare/a.k