Ish- drejtori sportiv i Vllaznisë Eugent Zeka ka rrëfyer në një intervistë gjithçka në kohën kur ai ishte drejtues në radhët e kuqebluve.
Zeka flet që nga rënia e Vllaznisë në Kategorinë e parë dhe deri tek skema se si Armando Cungut iu punua pas shpine për të sjellë Ernest Gjokën.
Ish- zyrtari i lartë i Vllaznisë tregon edhe për gabimet e kryebashkiakes Voltana Ademi apo se si klubi shpërdoroi paratë duke mos pranuar disa ide që Zeka kishte për Vllazninë.
Flet edhe për pagat e pamerituara të lojtarëve të merkatos apo se si nuk iu pranua idea për të sjellë në ekip sulmuesin Guri kur ishte ende pa shpërthyer apo sulmuesin tjetër shkodran Hebaj.
Madje Zeka shkon edhe më tutje duke thënë se shpëjti do të rrëfejë të tjera detaje rreth klubit Vllaznia.
Si e pritët rënien e Vllaznisë në kategorinë e parë?
Kam qenë i përgatitur shpirtërisht e psikologjikisht për një fund të tillë pasi jam i pari që kam qarë e vuajtur pranë atij klub. Ka qenë si një torturë e vërtetë për mua pasi parashikoja të keqen dhe njëkohësisht ndihesha i pafuqishëm për ta ndaluar atë. Mundesitë dhe aftësitë e mija profesionale nuk mungonin, por ato u penguan dhe frenuan për t’i vendosur në shërbim të klubit Vllaznia.
Cilat janë arsyet e vërteta të largimit tuaj?
Arsyet e vërteta janë të lidhura me ç’vlerësimin e rolit tim si drejtor sportiv, me pezmatimin e kompetencave të mija sëbashku edhe me mungesën e besimit dhe respektit në aftësitë e mija profesionale nga ana e superiorëve të mi, sidomos që nga periudha e verës së shkuar e më pas.
Si e komentoni një veprim të tillë të drejtuesve tuaj në drejtimin tuaj?
Të njëjtit drejtues, janë po ato që edhe më kanë afruar e punësuar pranë klubit Vllaznia. Prandaj, unë nuk komentoj veprimet apo vendimet e tyre, por si çdo profesionist që mund të gjendet në një situatë të tillë, në pamundësi për ta ndryshur atë, kam bërë dy hapa prapa dhe jam distancuar.
Meqenëse problematikat ishin që verën e shkuar, pse nuk u larguat më përpara?
Arsyeja kryesore është se deri në muajin dhjetor, kam qenë referent i UEFA-s pranë klubit Vllaznia, për projektin e skuadrës U19 në Uefa Youth League. Kur ndërmerren bashkëpunime dhe projekte me UEFA-n, ato duhen respektuar e dërguar deri në fund, gjithmonë. Falë punës së mirë në këtë drejtim, sot Vllaznia gëzon vleresimet maksimale nga UEFA sëbashku me të drejtën e vazhdimësisë së projekteve të tjera ndërkombëtare në bashkëbunim me institucionin më të lartë të futbollit në Evropë.
Po me ndërrimin e trajnerëve në muajin Tetor, pas dorëheqjes së Cungut dhe ardhjes së Gjokës, menduat se mund të ndryshonit gjërat për mirë edhe për situatën tuaj?
“Moti i mirë shihet në mëngjes”, themi në Shkodër. Nuk kam qenë në dijeni dhe nuk jam pyetur fare as për dorëheqjen e të parit dhe as për emërimin e të dytit. Shembull i qartë ky, i pezmatimit të rolit dhe funksioneve të mija si drejtor sportiv. Prandaj, do të ishte budallallëk, sikur të mendoja apo shpresoja që do të ndryshonte situata ime për mirë, përkundrazi, ajo u rëndua edhe më shumë.
Cila do të kishte qenë mendimi apo rrugëzgjidhja juaj, si drejtor sportiv, me atë rast?
Mendimi im është dashur të më merret nga superiorët e mi, atëherë dhe jo sot nga ju. Megjithatë, ju përgjigjem njëlloj siç jam shprehur në zyrat përkatëse pas asaj lëvizje të gabuar. Personalisht, nuk do të kisha pranuar dorëheqjen e Prof. Cungut, të paktën deri në merkaton e janarit. Së dyti, jo pas kurrizit, por me dijeni të tij, vetëm nga ai moment do të kisha filluar të bisedoj e mendoj për alternative të tjera, në rastin se ai nuk do të kishte ndryshuar mendje edhe në janar. Fakti i pranimit të dorëheqjes së parit dhe ëmërimi i menjëhershëm i të dytit, flet qartë që lojrat ishin bërë me kohë dhe pas kurrizit.
Ju jeni i mendimit kështu, që më mirë dhe më i aftë do të kishte qenë Cungu se Gjoka?
Respekti dhe vlerësimi im është i njëjtë për kolegët në fjalë. Padyshim, të dy ato janë profesionistë të fushës dhe njohës të mirë të kampionatit shqiptar. Mendimi im lidhet vetëm me faktin, që ndërrimi i stafeve është bërë në momentin e gabuar dhe në formën jo korrekte profesionalisht. Jeta na ka mësuar që, kur një rrugë ndërmerret gabim, vështirë që ajo të të dërgojë në destinacionin e duhur, siç edhe ndodhi në fund.
Cilat mund të jetë arsyeja që nuk jeni pyetur në klub nga ana e superiorëve?
Arsyeja mendoj se ka qenë drejtësia dhe korrektësia ime profesionale, që shkonte në kundërshtim me linjën e tyre për të pasur çdo gjë nën kontroll dhe administrim, ato vetë. Këtë mendim e kam krijuar, pasi gjatë punës time si drejtor shpesh unë evidentoja problematika të ndryshme dhe afroja rrugëzgjidhjet e duhura, por superiorët më kundershtonin dhe nuk aprovonin ato, sidomos nga periudha e verës së shkuar dhe më pas.
Mund të na jepni ndonjë shembull me këtë rast, për të kuptuar më mirë?
Patjetër. Verën e shkuar, përshembull, të gjithë mbajmë mend problematikat e lidhura me vonesën e zhbllokimit të fondeve dhe si rezultat zhvillimin jo në kohë të fazës përgatitore. Unë, një problematikë të tillë e kisha parashikuar shumë më përpara, dhe pa filluar vera fare kam arritur të mundësoj realizimin e një faze përgatitore në Perugia të Italisë, me kosto zero. Transport, hotel, ushqim, qender sportive, etj, çdo gjë gratis, plus dy ndeshje miqësore, me dy skuadra të serisë A dhe B në Itali. Përmes këtij projekti, jo vetëm do të kursenim mijëra e mijëra euro, por edhe do të krijonim e hapnim bashkëpunime dhe horizonte të reja profesionale për klubin tonë. Rezultati? Nuk u aprovua nga superioret e mi dhe u hodh poshtë si projekt. Ky është një shembull konkret, që siç duket shkonte në kundërshtim direkt me linjën e tyre për të administruar dhe pasur nën kontroll çdo gjë ato.
E pabesueshme çfarë tregoni. Ju lutem mund të na jepni edhe ndonjë shembull tjetër?
Sa të doni. Mangësia e bazës së duhur materiale, përshembull, duke filluar nga rrjetat e portave dhe duke përfunduar tek veshjet, sidomos pranë akademisë, është një nga problematikat që njohim të gjithë. Unë për dy vite radhazi, kam gjetur rrugëzgjidhjen e kësaj problematike. Po të njëjtën markë sportive që përdorte Vllaznia, kam mundësuar ta sjell si sponsor pranë klubit. Përmes marrëveshjes me atë markë, do të përfitonim deri në dyzetmijë euro bazë materiale gratis, plus edhe dhjetë mijë euro të tjera në rastin e realizimit të objektivave. Gjithashtu, mundësoja edhe rrugëzgjidhjet e justifikimeve të superiorëve, që përdornin për të kundërshtuar një projekt të tillë, por ato njëlloj nuk aprovuan atë.
Kështu del që superiorët tuaj paskan qenë më të interesuar që të shpenzojnë nga arkat e klubit dhe jo të kursejnë, apo jo?
Ku përfundojnë të drejtat e mija, fillojnë ato të të tjerëve. Unë nuk komentoj vendimet e tyre,edhe se opinionin tim e kam krijuar me kohë dhe e mbaj për vehte. E rëndësishme për mua është që unë jam munduar të bëj maksimumin dhe të jap më të mirën, në rolin dhe detyrën që mbuloja.
Po në lidhje me merkaton, keni afruar rrugëzgjidhje, që nuk janë aprovuar si rastet më lart?
Patjetër, pafund. Mjafton t’ju përmend rastin e sulmuesit Guri, që doja ta sillja në Shkodër përpara se të shpërthente tek Kukësi, por që nuk u mbështeta si drejtor, nga superiorët, për ta rikthyer tek Vllaznia edhe pa pëlqimin e stafit teknik. Po ashtu edhe për të talentuarin Hebaj, për të cilin insistoja t’i garantonim me kontratë aktivizimin si titullar për një përqindje të caktuar të ndeshjeve. Në këtë mënyrë, nuk do ta humbisnim atë, përkundrazi do e kishim fituar dhe favorizuar më shumë si lojtar. Etj, etj, shembujt janë me të vërtetë të shumtë, që do të kishin sjellë progres tek Vllaznia, por rrugëzgjidhjet dhe idetë e mija ndaloheshin apo frenoheshin që në pikënisje.
Po për shitjen dhe blerjen e lojtarëve, pamvarësisht se nuk ju kanë pyetur, jeni dakord me çmimet që drejtuesit vendosnin për ato?
Absolutisht që jo. Sipas mendimit tim, si në dalje ashtu edhe në hyrje, shpesh, shifrat e çmimeve nuk janë ato të duhurat dhe nuk korrespondojnë me vlerat reale të lojtarëve. Për më tepër, evidentoja edhe mangësi profesionale në hartimin e lidhjeve të marrëveshjëve kontraktuale për nga ana juridike, por siç thashë më lart, aty ku përfundojnë të drejtat e mija, fillojnë ato të të tjerëve.
Pse nuk keni folur asnjëherë nepër media por keni qëndruar në heshtje?
Kam vuajtur në heshtje për të moskaluar në anën e të akuzuarit si prishës i atmosferës dhe ekuilibrave në klub. Vllaznia sulmohej çdo ditë nga lajme konfliktuale të ndryshme, prandaj edhe nuk do të kishte qenë e drejtë as profesionalisht, që unë t’i shtoja ato. Të gjithë ishim të interesuar dhe fokusuar për arritjen e rezultateve dhe suksesin në fushë, prandaj edhe sakrifikoja vehten, vetëm e vetëm për të mirën e skuadrës.
Ndryshe me superiorët, marrëdheniet tuaja me lojtarët kanë qenë shumë të mira, aq sa të gjithë, edhe ato të larguarit, shprehen shumë pozitivisht për ju. Mos lidhet kjo me faktin se keni qenë shumë zotni dhe i butë me ato?
Unë i jam mirënjohës atyre për respektin dhe opinionin e mirë që kanë për mua. Kjo marrëdhënie e mrekullueshme lidhet e ndërtohet mbi raportet korrekte interpersonale dhe profesionale të bashkëpunimit tim me ato. Të jesh i drejtë dhe profesionist, nuk do të thotë të jesh i butë aspak, përkundrazi nuk kam qenë edhe aq dashamirës me ato. Personalisht edhe kam ndërmarrë masa të rrepta dhe vendosur gjoba shumë herë pranë klubit, por ato janë falur gjithmonë dhe nuk janë zbatuar asnjëherë nga superiorët e mi.
Kemi pasur përshtypje të kundërtën, sikur nuk keni vendosur gjoba asnjëherë,prandaj mund të na tregoni për çfarë arsye keni vendosur gjoba pranë klubit Vllaznia?
Kam aplikuar gjobat si në çdo klub, për mungesa të përsëritura performancash, sjellje jo korrekte, numër të madh kartelash gjatë ndeshjeve, vonesa të ndryshme, gjeste antisportive, etj. Kuptohet, çdo gjë sipas kritereve të parashikuara nga kontratat dhe rregullorja e brendshme e klubit, të protokulluara edhe në FSHF gjithashtu.
Tani flitet sikur do të ndryshojnë drejtuesit tek Vllaznia. Mendoni se do të ndryshojë për mirë edhe ecuria e klubit dhe skuadrës?
Nuk është ndryshimi i emrave apo aktorëve ajo që sjell progresin, por strategjia dhe projekti që një klub vendos të përqafojë. Personalisht, nuk shoh dhe nuk besoj në një ndryshim radikal akoma, të paktën deri në momentin e privatizimit. Uroj ta kem gabim.
Nëse drejtuesit aktual do t’ju thërrisnin përsëri tek Vllaznia, do të ishit i gatshëm për t’u rikthyer e shërbyer akoma?
Për më tepër,pas kësaj interviste, bëhet edhe më e pamundur. Nuk egziston asnjë mundësi për mua, më përjashtim të rastit nëse presidenti i klubit nuk ka qenë fare në dijeni dhe i është fshehur çdo gjë rreth çfarë une rrëfeva dhe kam për të rrëfyer shumë akoma së shpejti.(ShkodraNews)