Valbona Sulçe Kolgeci
Edukimi mediatik është në krye të axhendave të ligjërimit mbi median në kohën kur çrregullimi informativ i shprehur nëpërmjet lajmeve të rreme, propagandës dhe reklamës po zë vend gjithnjë e më shumë në hapësirën tonë publike. Vende të ndryshme kanë përshtatur strategji të ndryshme në këtë betejë të re, por thelbësore për fatet e demokracisë. Megjithatë, e përbashkëta e këtyre strategjive është një: edukimi mediatik i audiencave si aleatë të gazetarisë cilësore dhe demokracive.
Edhe Shqipëria ka bërë përpjekje në këtë drejtim, por studime të viteve të fundit na tregojnë se “ato janë akoma të rralla, mungojnë angazhimet e përbashkëta dhe një vizion i qartë, ndërkohë që mbështetemi akoma tek projektet sporadike.” Treguesi i edukimit mediatik i vitit 2018 e rendit Shqipërinë të parafundit në rajon dhe në vendin e tretë nga fundi mes 35 vendeve që u vlerësuan në parametrat e lirisë së shtypit, edukimit dhe besimit ndërpersonal
Në serinë e institucioneve që mund dhe duhet të angazhohen për edukimin mediatik vendoset edhe transmetuesi publik RTSH, i cili në dallim nga aktorët e tjerë të tregut, financohet nga taksat e publikut dhe ka misionin e ngarkuar nga ligji për informim, edukim dhe zbavitje të popullatës. Përvec kësaj, RTSH ka dhe infrastrukturën e nevojshme për të qenë në krye të lëvizjes për edukim mediatik me 12 kanale TV, 4 kanale tv lokale, 11 kanale radio, Akademinë RTSH , Këshillin e Shikuesve dhe Dëgjuesve dhe aplikacionin e suksesshëm RTSH Tani.
Mediat publike janë në pararojë të betejës kundër dizinformacionit dhe jo pa arsye. Mediat publike janë në pozicionin ideal për të ofruar programe të edukimit mediatik, sepse janë media të financuara drejtpërdrejt nga publiku, qoftë nëpërmjet tarifës televizive, qoftë nëpërmjet buxhetit të shtetit dhe nga ana tjetër, kanë një detyrim ligjor për të informuar, edukuar dhe zbavitur publikun. Në dallim thelbësor nga mediat komerciale për të cilët qytetarët janë thjesht konsumatorë të medias, të cilët paguajnë për mallin që u serviret, për median publike audiencat janë qytetarë të angazhuar, të cilët duhen fuqizuar të kryejnë detyrat e tyre demokratike- pjesëmarrje, debat, etj.
RTSH është anëtare e Unionit të Transmetuesve Europianë EBU, që përfaqëson 73 media publike në 56 vende. EBU ka një përvojë të vyer tashmë në fushën e edukimit mediatik, pasi një numër i konsiderueshëm mediash publike në Europë kanë filluar të aplikojnë programe të suksesshme duke filluar që nga BBC në Angli, ORF në Austri, Danimarka, Franca, Gjermania, Italia, Lituania, Norvegjia, Suedia, Zvicra, Ukraina, etj. RTSH mund të përfitojë nga programet e shkëmbimit me simotrat e veta në EBU nëpërmjet përkthimit të materialeve të gatshme ose rritjes së kapaciteteve të strukturave të veta për t’i prodhuar vetë programe të tilla.
Në arsyetimin pse nxitja e edukimit mediatik duhet të jetë përparësi për mediat publike, EBU thekson se “këto nisma mund të krijojnë kushtet për të ngadalësuar dhe kufizuar përhapjen e lajmeve të rreme”. Krahas përfshirjes së edukimit mediatik në shkolla, nisma dhe fushata mund të përdoren për të shpjeguar standardet editoriale të cilat përdorin mediat dhe të mësojnë përdoruesit sesi të vlerësojnë burimet e ndryshme të informacionit që ata mund të gjejnë online.”
Çfarë mund të bëjë media publike për edukimin mediatik?
Megjithëse RTSH nuk ka ndonjë detyrim zyrtar, apo kërkesë specifike ligjore për angazhimin me edukimin mbi median, ka patur përpjekje dhe rezultate pozitive në ndërgjegjësimin e publikut mbi aspekte të veçanta të medias dhe rrjeteve sociale siç ishte rubrika “Algoritëm” brenda emisionit të mëngjesit (2017-2019) për mediat sociale ku shpjegoheshin të rejat e teknologjisë.
Fushata “Ne jemi RTSH, Ti je RTSH” në kuadër të fushatës #keepmediagood të EBU-së është gjithashtu një shembull i mirë i hapjes së institucionit ndaj publikut dhe rritjes së angazhimit me audiencën, por që duhet vazhduar.
Ditët e Hapura në institucion, një praktikë sporadike me vizita nga nxënësit e shkollave- që duhet institucionalizuar sipas një kalendari periodik, janë gjithashtu një shenjë e vullnetit të institucionit për t’u njohur me audiencën e vet.
Këshilli i Shikuesve dhe Dëgjuesve mund të bëhet më aktiv duke i zhvilluar mbledhjet e tij të hapura dhe në qytete të ndryshme pikërisht për të forcuar këtë lidhje.
Periudha e pandemisë tregoi se audiencat ishin të etura për të ndarë informacion me të tjerët dhe shumë media hapën dyert e tyre për të transmetuar produkte të dërguara nga shikuesit. RTSH eksperimentoi me programin e fëmijëve “Shtëpi e ëmbla shtëpi”, duke nxitur fëmijët të ndanin me ekranin diçka nga përvoja e tyre gjatë periudhës së karantinës. Kjo është një bazë e mirë për t’u vazhduar më pas me programacionin e rregullt që rinis në shtator.
Më konkretisht, disa nga drejtimet ku RTSH mund të përqendrohej mund të jenë:
- Vendosja e edukimit mediatik si përparësi e drejtimit strategjik të RTSH-së.
- Angazhimi i Akademisë së RTSH-së për përhapjen e njohurive mbi median edhe për publikun e gjerë, nën shembullin e akademive të tjera të transmetuesve publikë (si DW ose BBC Academy). Fuqizimi i kësaj strukture me staf, kurrikul dhe mjete didaktike do të ishte rruga më efikase për edukimin mediatik të audiencave sipas tematikave të përcaktuara më parë.
- Aplikacioni RTSH Tani të pasurojë ofertën e vet edhe me lojëra interaktive. Disa prej tyre mund të jene të fokusuara tek edukimi mediatik. Mund të fillohet me formate të thjeshta të tipit quiz për t’u pasuar me formate të tjera më vonë kur kapacitetet krijuese ta lejojnë një gjë të tillë.
- Edicioni i lajmeve për fëmijë- RTSH fëmijë
- Njohuri mbi median –cikël leksionesh në RTSH Shkollë
- Dogana e lajmeve- fact-checking program
- Ora e medias- talk show
- Pyetje me cëk/Qyteti i Pyetjeve
- Program për fëmijë ku të theksohet të menduarit kritik ndaj aktualitetit.
- Emisione për shkencën
- Rikthimi i rubrikës Algoritëm
- User Generated Content- Ftesë /Thirrje për klipe të shkurtra nga shikuesit me tematikë lajmore ose zbavitëse/ psh
- Njerëzit e rrugicës sime
- Një rrugë, një emër- historiku i emërtimit ë rrugëve në qytete të ndryshme të Shqipërisë
- Promo e RTSH-së
Gjithsesi, lëvizjet për edukim mediatik nuk mund të finalizohen me sukses vetëm me përfshirjen e një aktori të vetëm. Në të gjithë botën, përvoja ka treguar se koordinimi në koalicione të gjera, përfshirë median publike, autoritetet rregullatore, sistemin shkollor dhe organizatat e shoqërisë civile, janë më efektive në këtë drejtim. Ndaj krahas nevojës për të patur një rol të shtuar të RTSHsë në edukimin mediatik për arsyet e renditura më lart, duhen parë edhe rolet për aktorë të tjerë të tregut informativ, sidomos AMA dhe organizatat e medias.
Ky artikull është botuar në kuadrin e projektit “Media për Qytetarët – Qytetarët për Median,” të zbatuar nga Instituti Shqiptar i Medias dhe organizatat partnere, me ndihmën financiare të Bashkimit Europian.