Edhe kur për një moment situata duket disi në ujëra më të qeta mes Presidentit Bujar Nishani dhe qeverisë shqiptare, do të gjendet diçka që do të përkthehet në akuza. Këtë herë duket se “mollë sherri” do të bëhet Isa Boletini.
Ka qenë Presidenti Nishani i cili është bërë pjesë në debatin e shkaktuar nga propozimi i dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë për varrimin e Isa Boletinit në Vlorë. Duke folur gjatë takimit me kryetarin e Komunës se Mitrovicës Agim Bahtiri, Presidenti i Shqipërisë e ka politizuar çështjen madje duke hedhur akuza ndaj qeverisë.
Nishani është shprehur se heroi Isa Boletini do të duhet të varroset në vendlindjen e tij në Boletin dhe jo në Vlorë apo Prishtinë.
“Jam i surprizuar pozitivisht me reagimin e mitrovicasve, përkatësisht dashurinë e tyre të treguar për heroin Isa Boletini dhe me vullnetin e shprehur që ai të rivarroset në Boletin. Edhe Vlora, edhe Boletini, i përkasin historisë gjithëshqiptare, ashtu sikur që i përkasin edhe figurat e mëdha të kombit, Ismail Qemali e Isa Boletini. Por, historia nuk guxon të zhvendoset nga aty ku është bërë dhe ku është edhe sot. Këtë nuk mund ta bëjnë as presidencat e as qeveritë. Mitrovica përmes Boletinit është simbol i ruajtjes së territoreve shqiptare, prandaj eshtrat e heroit Isa Boletini, duhet të vendosen në vendlindjen e tij, në Boletin. Unë do dëshiroja që edhe ceremonia të jetë sa më dinjitoze dhe të ndodhë aty”, tha ai.
Presidenti Nishani në vazhdim tha, se me figura të çmuara historike nuk duhet të luaj askush dhe se është e papranueshme dhe e pafalshme që figurat e mëdha historike të kombit të shfrytëzohen për interesa të politikës ditore.
“Si duket, në këtë rast pati një përpjekje të tillë, por që qytetarët e Mitrovicës, të Kosovës e më gjerë e kuptuan se ky ishte një kurth politik, për të cilin përgjegjësinë e mbajnë ata që e përgatitën”, tha presidenti Nishani.









