Në ngjashmëri me kohët që çuan në Luftën e Parë Botërore – ose në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë – Ballkani është bërë përsëri një arenë për lojërat e pushteteve globale.
Nga Srecko Latal/
Gjermania dhe Franca, të përforcuar nga krerët kryesorë të BE-së, po mbajnë një samit për Ballkanin Perëndimor në Berlin më 29 prill, në një përpjekje tjetër për të stabilizuar rajonin gjithnjë e më të tensionuar dhe për të riafirmuar perspektivën e tij për në BE.
I mbajtur më pak se një muaj përpara zgjedhjeve të Parlamentit Europian në maj, samiti është gjithashtu i dizajnuar që të kujdeset për nevojat e BE-së.
Ai supozohet të tregojë unitetin midis Gjermanisë dhe Francës dhe të qetësojë Ballkanin gjatë zgjedhjeve, në mënyrë që kjo çështje e vështirë dhe jopopullore të luajë rol sa më të vogël që është e mundur në zgjedhjet e BE-së, thonë zyrtarët dhe diplomatët e BE-së.
Ky takim, njësoj si disa të tjerë të mbajtur gjatë vitit të kaluar, nuk pritet të ofrojë ndonjë ide të re për të ardhmen e rajonit në BE.
Gjermania dhe Franca mund ta përdorin atë për të filluar një raund të ri bisedimesh midis Serbisë dhe Kosovës, duke synuar zgjidhjen e marrëdhënieve të tyre të tensionuara nëpërmjet një “marrëveshjeje të re” që mund të përfshijë “sovranitet të dyfishtë” dhe/ose “autonomi më të madhe”, kanë thënë zyrtarët e BE-së.
Megjithatë, dialogu i mëparshëm i udhëhequr nga BE-ja për Kosovën ka dështuar keq, ndërsa publiku serb dhe ai i Kosovës tashmë e kanë hedhur poshtë këtë ide të fundit para fillimit të takimit – gjë që mund të pengojë organizatorët e samitit që të vazhdojnë më tej me të, kanë thënë disa burime.
“Sovraniteti i dyfishtë është mision i pamundur,” thoshte titulli i lajmit kryesor të botuar nga e përditshmja serbe Danas më 18 prill, duke cituar burime serbe dhe të Kosovës.
Në këtë kontekst, samiti i ri i Berlinit, duke ofruar shanse të vogla për një arritje të madhe, ka gjasa ta dëmtojë më tej imazhin tashmë të dëmtuar të BE-së në Ballkan.
Të lodhur nga takime të pafrytshme të nivelit të lartë, në mungesë të një përfshirje politike dhe financiare më konkrete të BE-së dhe SHBA-ve, disa liderë të Ballkanit duken gjithnjë e më shumë të tërhequr nga aktorët rusë, kinezë, turq dhe aktorë të tjerë të huaj në Ballkan, paralajmërojnë ekspertët.
Pak para Berlinit, presidenti serb Aleksandër Vuçiç udhëhoqi një delegacion të madh shtetëror në Pekin për të marrë pjesë në forumi “Një brez, një rrugë”, ku të enjten dhe të premten ai u takua me presidentët kinezë dhe rusë, Xi Jinping dhe Vladimir Putin.
Edhe para takimit në Berlin, marrëdhëniet midis vendeve të Ballkanit dhe BE-së kanë hyrë në një fazë ku të dyja palët pothuajse duket se po flasin në gjuhë të ndryshme dhe po bëjnë shumë pak përpjekje për të kuptuar njëri-tjetrin.
Lidhja BE-Ballkan – e humbur në përkthim
Për pjesën më të madhe të dy dekadave të fundit, vendet e Ballkanit kanë jetuar me shpresën e arritjes së anëtarësimit në BE, gjë që shihej shpesh si një “Club Med”, rrugët e të cilit ishin shtruar me ar.
Në realitet, pak liderë të Ballkanit ishin të gatshëm të ndërmarrin reformat serioze, të vështira dhe jopopullore që nevojiten për anëtarësimin.
Në vend të kësaj, shumica e tyre u përpoqën të bënin me BE atë që po bëjnë në vendin e tyre: mashtrojnë sistemin, kërcënojnë zyrtarët e BE-së ose i heshtin ata me premtime boshe.
Kjo qasje duket se funksionoi me Kroacinë, e cila iu bashkua BE-së në vitin 2013, pavarësisht faktit se ajo shpërfill ose anashkalon shumë çështje dhe reforma të kërkuara, siç pranojnë shumë zyrtarë kroatë dhe të BE-së.
Që atëherë, Kroacia – duke ndjekur shembujt e ngjashëm të Bullgarisë dhe Rumanisë – është tërhequr nga disa nga reformat e saj të fituara me vështirësi, gjë e cila ka krijuar frustrime në të gjitha anët. Kjo ka përforcuar opinionin e BE-së për të mos pranuar asnjë anëtar të ri pa dëshmi të një transformimi të plotë të shoqërisë.
Megjithatë, BE-ja është larg të qenit e pafajshme në këtë çështje. Pavarësisht nga fushatat e shumta mediatike, BE-ja kurrë nuk i ka shpjeguar popullit të Ballkanit se në çfarë konsiston anëtarësimi. Ajo ka ngatërruar publikun dhe zyrtarët lokalë me qasjet e saj inkonsistente dhe duke ndryshuar vazhdimisht kushtet dhe kriteret e saj.
Ajo ka shpërfillur edhe kërkesat më legjitime që vijnë nga rajoni. Kosova është ende pa një regjim pa viza, pothuajse një vit pasi kjo u miratua nga Komisioni Europian.
Ndërkohë, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ende nuk kanë gjasa të marrin një datë për fillimin e negociatave për anëtarësim, pavarësisht progresit historik të Maqedonisë në zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Greqinë.
Nga ndryshimi i portave në heqjen e fushës së lojës
Pas ndryshimit të portave të saj për vite me radhë, BE-ja vitin e kaluar ndryshoi të gjithë fushën e lojës – që është ajo që ndodhi kur zyrtarët e BE-së e bënë të qartë që BE-ja kishte hequr në mënyrë efektive zgjerimin nga axhenda.
Në vitet e fundit, Ballkani ka qenë dëshmitar se BE-ka po përballet me problemet e veta të brendshme, përfshirë Brexit-in, ndjenjën në rritje të krahut të djathtë dhe tërheqjen nga disa nga parimet e saj kyçe.
BE-ja ka shpërfillur faktin se imazhi i saj i dëmtuar po dëmton gjithashtu procesin e zgjerimit.
Nëse, kur dhe nën cilat kushte BE-ja do të rivendosë zgjerimin, kjo mbetet ende për t’u parë.
Pavarësisht zërave inkurajues nga disa zyrtarë të BE-së, diplomatë të tjerë të BE-së thonë se BE-ja mund ta rihapë çështjen sapo të zgjidhë problemet e saj të brendshme. Por për këtë mund të duhen vite. Askush nuk e di me siguri nëse BE-ja do të mbijetojë në këtë proces.
Disa ekspertë të Ballkanit pohojnë se as BE-ja dhe as liderët e Ballkanit nuk dëshirojnë që vende të tjera të Ballkanit të hyjnë në BE dhe preferojnë të ruajnë status quo-në, duke i kushtuar vetëm vëmendje kësaj ideje.
Zyrtarët e BE-së, me sa duket, kanë humbur të gjithë kujtesën institucionale të paraardhësve të tyre nga fundi i viteve 1990, të cilët pas shpërbërjes së dhunshme të ish-Jugosllavisë kuptuan se anëtarësimi i shpejtë i Ballkanit ishte i rëndësishëm – jo vetëm për transformimin eventual të këtyre shoqërive, por gjithashtu për të parandaluar konfliktet e reja etnike në rajon.
Krizat në Balkan dhe ato globale ushqejnë njëra-tjetrën
Zhdukja e një perspektive realiste të zgjerimit të BE-së, ndonëse jo një surprizë e madhe për rajonin, ka patur një ndikim të madh në Ballkan.
Humbja e opsionit të vetëm të sigurt që mund të akomodojë dhe gradualisht të qetësojë të gjithë aktorët e ndryshëm të Ballkanit ka inkurajuar ide dhe nisma nacionaliste, separatiste dhe populiste midis politikanëve lokalë.
Rusia, Turqia, Kina, shtetet e Gjirit dhe aktorë të tjerë të huaj kanë përdorur gjithashtu vakumin e pushtetit të krijuar nga prania në rënie e BE-së dhe SHBA-së për të forcuar pozicionet e tyre në rajon.
Në këtë proces, Rusia është mbështetur në lidhjet e saj historike me Serbinë, ndërsa Turqia dhe shtetet e Gjirit kanë përdorur lidhjet e tyre me boshnjakët në Bosnje.
Ndërkohë Kina, pjesëtari i ri në bllok, ka shfrytëzuar burimet e saj të bollshme dhe mungesën e kushteve politike për të bërë kalime të shpejta dhe të rëndësishme në politikën dhe ekonominë e rajonit.
Këto interesa të huaja divergjente dhe shpesh kontradiktore kanë filluar të ndërthuren gjithnjë e më shumë me luhatjet lokale dhe rajonale të pushtetit.
Në muajt e fundit, rajoni ka qenë dëshmitar i një rilindje të rrezikshme të tensioneve etnike, politike, ekonomike dhe sociale, duke i vënë shqiptarët, kroatët, boshnjakët, maqedonasit, malazezët dhe serbët kundër njëri-tjetrit në kombinime të ndryshme.
Shenjat e kësaj përfshijnë formimin e forcave policore serbe të Bosnjës mes nismave të reja separatiste serbe në Bosnje, rritjes së armiqësive në mes të Serbisë dhe Kosovës, skandalit të spiunimit që përfshin Kroacinë, Bosnjën dhe Slloveninë dhe protestat politike dhe shoqërore që po mbahen pothuajse në të gjithë të gjithë rajonin.
Të kombinuara me ndikime të huaja divergjente, ato kërcënojnë të krijojnë një stuhi të përsosur ballkanike që do ta shkatërronte rajonin.
Beteja për Serbinë kërcënon stabilitetin e rajonit
Beteja kryesore duket se vazhdon për kontrollin e Serbisë, por implikimet e saj do të ndikojnë në të gjithë rajonin.
Për disa vite me radhë, Aleksandër Vuçiç ka arritur të ulet në dy, në mos edhe më shumë, karrige në të njëjtën kohë, duke i premtuar vendit të tij anëtarësimin në BE, ndërsa flirtonte gjithashtu me Rusinë dhe negocionte marrëveshje biznesi me Kinën, Turqinë dhe shtetet e Gjirit. Tani të gjitha karriget papritmas duken të paqëndrueshme.
Që nga fillimi i këtij viti, Rusia i ka zhvendosur ingranazhet në Ballkan, duke marrë një qëndrim më të vështirë, e frustruar nga anëtarësimi i Malit të Zi në NATO në vitin 2017, marrëveshja e fundit historike midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, si dhe nga mënyra se si shërbehen aktualisht interesat ruse në Serbi.
Kremlini ka rritur presionin mbi Vuçiçin nëpërmjet raportimit të agjencisë së lajmeve Sputnik, si dhe nëpërmjet mbështetjes për disa nga kundërshtarët aktualë apo potencialë të Vuçiçit, si lëvizja radikale nacionaliste Dveri dhe ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç.
Presioni rus pritet të rritet pasi Aleksandar Bocan Harcenko të marrë detyrën si ambasador në Beograd në qershor. Ai konsiderohet si një diplomat rus me peshë të rëndë, si dhe ekspert kryesor rus në Ballkan.
Harcenko më parë ka qenë ambasador në Bosnje dhe ka drejtuar departamentin e Ballkanit në ministrinë e jashtme ruse. Emërimi i tij në Serbi shihet si një sinjal i qartë i rëndësisë që Kremlini do t’i japë Serbisë në të ardhmen e afërt.
Ndërkohë, BE-ja duket se pret që Vuçiç të njohë Kosovën, pa ofruar asgjë në këmbim, gjë e cila sipas edhe vetë diplomatëve të BE-së, ka pak gjasa të pranohet.
Në të njëjtën kohë, qëndrimi i SHBA-së ndaj Serbisë duket se po copëtohet. Nga njëra anë, Shtëpia e Bardhë nuk tregon asnjë interes specifik në Ballkan dhe ka treguar se do të pranonte çfarëdolloj marrëveshjeje që Serbia dhe Kosova arrijnë vetë me njëra-tjetrën.
Nga ana tjetër, pjesë të Departamentit të Shtetit dhe Kongresit të Shteteve të Bashkuara duket se ende mbështesin disa nga udhëheqësit e opozitës majtiste, edhe pse shumica e tyre i janë bashkuar nacionalistëve radikalë në një përpjekje të përbashkët për të dobësuar ose për të rrëzuar Vuçiçin.
Mundësia që rusët dhe amerikanët mund të mbështesin anët e ndryshme të së njëjtës lëvizje anti-Vuçiç ka sjellë vetëm konfuzion në komunitetin lokal dhe ndërkombëtar në Serbi.
Vuçiç dhe Dodik – aleatë apo konkurrentë?
Kjo ka implikime serioze në pjesën tjetër të rajonit. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, presioni ndërkombëtar në rritje ndaj Vuçiçit ka forcuar pozitën e kreut serb të Bosnjës Milorad Dodik, i cili gëzon më shumë besim sesa Vuçiç midis rusëve, si edhe më shumë popullaritet sesa Vuçiçi midis nacionalistëve në Serbi.
Në javët e fundit, Dodik ka dhënë mbështetje të rëndësishme politike për Vuçiçin. Por disa ekspertë paralajmërojnë se, me radikalizimin e mëtejshëm të pozitës së Rusisë, Dodik mund të bëhet rivali i Vuçiçit për postin e kreut të të gjithë serbëve në rajon.
Si Dodik ashtu edhe Vuçiç gjatë javëve të fundit kanë folur për nevojën e unifikimit të të gjithë serbëve brenda të njëjtit kufi – duke shpërfillur faktin se përpjekja e fundit e tillë për të arritur këtë rezultoi në një luftë të përgjakshme.
Gjermania, Franca, BE-ja dhe SHBA-ja duken të pavetëdijshëm për seriozitetin e situatës. Shumë zyrtarë perëndimorë bëjnë një gabim të madh duke besuar se nuk mund të ketë konflikte të reja në Ballkan.
Ndërsa një luftë e re në Ballkan nuk është aspak e pashmangshme, perspektiva për një të tillë po bëhet gjithnjë e më realiste ditë pas dite.
Kjo situatë e rrezikshme do të vazhdojë, për sa kohë që problemet e brendshme të Ballkanit lejohen të vazhdojnë të përshkallëzohen dhe të ndërthuren me qëndrimet e kundërta amerikane, të BE-së, ruse, turke dhe të të tjerëve.
Mendimet e shprehura në sektorin e Opinioneve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.