“Kriza politike çon automatikisht në zgjedhje të parakohshme dhe nuk është një fenomen që varet nga vullnete personale, sepse si e tillë është e dënueshme”. Ish-Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani thotë se për të arritur në zgjedhje të parakohshme, si ndodhi në Kosovë, të cilat i cilëson kurajoze për të nisur një epokë të re, “duhet që opozita të jetë alternativë e besueshme me program, individë përfaqësues dhe aksion frytdhënës. Mungesa, apo cedimi nga këto të treja, mund ta bëjë të paorientuar, apo të pabesueshëm aksionin opozitar”. Për krizën politike, Ristani thotë se zgjidhet vetëm me vullnet politik. “Pa egzistencën e vullnetit politik dhe të mekanizmave ligjore dhe kushtetuese që kornizonjnë dhe orientojnë këtë vullnet, asnjë masë tjetër në vetvete nuk sjell rezultatin e pritur”.
Politika në vend dhe të huajt, i kanë vlerësuar zgjedhjet në Kosovë. Në këtë rast, çfarë duhet të mësojë PD-ja dhe sipas jush, si duhet opozita e bashkuar të ecë në rrugën drejt zgjedhjeve të lira, ku vendos sovrani për qeverisjen e vendit?
Zgjedhjet në Kosovë ishin normale. Me normalitet kuptohet zhvillimi i zgjedhjeve në një ditë të qetë, ku secili ushtron të drejtën e tij Kushtetuese për të votuar, një numërim relativisht i shpejtë dhe korrekt i votës dhe njohja e rezultatit nga palët në proces. Në fakt Kosova, në mënyrë të përsëritur, zhvillon zgjedhje normale. Normaliteti është rutinë dhe s’ka asgjë për tu përshënderur në këtë drejtim. Për më tepër përshëndetja prej atyre që nuk janë të aftë të zhvillojnë zgjedhje normale në Shqipëri, është dukshëm hipokrizi. Blejnë votën, thyejnë kutitë, rrëmbejnë vulat, kërcënojnë dhe abuzojnë administratën shtetrore, kriminalizojnë çdo gjë që prekin, manipulojnë procesin e numërimit, rrjedhimisht zhvillojnë zgjedhje jashtë standarteve të gjithpranuara dhe kanë fytyrë, po të njëjtët kriminelë zgjedhorë, të urojnë Kosovën se i qëndroi normalitetit të saj. Në këtë kuptim, nga të qënurit normal nuk ke çfarë mëson, madje Kosova duhet të ketë mësuar prej nesh. Ka mësuar sesa keq është të jesh anormal, sesa vuajnë shqiptarët nga pushtetarët e tyre jo normal. Ajo që është për tu përshëndetur në Kosovë është kurajoja për të ndryshuar, kurajoja për të mbyllur një epokë dhe për të nisur një tjetër.
Kryeministri Edi Rama thotë se zgjedhje do ketë por më 2021. A duhet opozita ta presë Ramën apo do të radikalizojë qëndrimet e saj? Si duhet ta “detyrojë” PD-ja qeverinë, pasi deri më tani aksioni opozitar duket se nuk po jep sinjale të qarta për zgjedhje?
Zgjedhjet sipas kushtetutës dhe ligjit, një nga elementët më thelbësorë, kanë periodicitetin 4 vjeçar. Zgjedhjet jashtë këtij rregulli janë situatë e jashtëzakonshme që krijohet më shpesh, kur ka situata krizash politike. Kriza politike çon automatikisht në zgjedhje të parakohshme dhe nuk është një fenomen që varet nga vullnete personale, sepse si e tillë është e dënueshme. Detyra e opozitës është të sigurojë transparencë për popullin mbi gabimet, apo fajet e pushtetit, të ndërtojë alternativë të besueshme për votuesit dhe të organizohet për të fituar zgjedhjet. Jashtë rregullit të periodicitetin 4-vjeçar, vepron vetëm zemërata popullore e përmasave të tilla, që detyron politikën të shkojë në zgjidhje politike që përmbajnë edhe zgjedhje të parakohshme. Në raste të tilla, opozita menaxhon, drejton apo orienton zemërimin popullor por nuk e krijon atë.
Tym të zi dha qeveria e Holandës, e cila i ka dërguar një letër Parlamentit ku thekson se hapja e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me BE-në është e parakohshme. A janë politikat e brendshme të vendeve anëtare apo Franca dhe Holanda nuk i shohin si garanci nëntë kushtet e Gjermanisë? Nga ana tjetër, si e shihni këtë sulm të kryeministrit ndaj BE-në?
Është e pafalshme për politikën shqiptare që për një kohë, tashmë shumë të gjatë, nuk po mundet, apo nuk do të bëjë realitet ëndrrën europiane të shqiptarëve. Rama dhe banda e tij kriminale, është përgjegjësja kryesore për këtë. Duhet pranuar se procese të tilla, janë shumë komplekse dhe rrjedhimisht në një rezultat pozitiv, apo negativ kanë ndikim një numër shkaqesh. Sidoqoftë shkaku kryesor dhe determinant është keqqeverisja e shqiptarëve. Ajo që bën Rama pastaj për tu tallur me shqiptarët, duke gjetur fajet apo armiqtë te qeveri të caktuara europiane, ngjan me propagandën komuniste që shpallte armiq imperializmin amerikan apo social imperializmin sovjetik dhe gjente mbështetje te Kuba e Fidel Kastros.
Sipas PS-së, Komisioni i Venecias në opinionin e saj, të publikuar paraprakisht, legjitimoi 30 qershorin që për opozitën ishte ditë votimet. Pyetja që kemi është se, a është në kompetencën e Komisionit të Venecias vlerësimi i zgjedhjeve në Shqipëri?
Komisioni i Venecias, në dijeninë time, nuk ka dhënë opinion për legjetimitetin, apo vlerësim për zgjedhjet në Shqipëri, sepse nuk e ka kompetencë dhe nuk ja ka kërkuar askush. Komisionit të Venecias i është kërkuar mendim për kushtetueshmërinë e dekretit të Presidentit të Republikës, për anullimin e datës së zgjedhjeve. Mendimi i Komisionit të Venecias do të orientojë në vazhdim vendimmarjen e Parlamentit dhe Gjykatës Kushtetuese.
Paketa me 5 pikat e opozitës, nuk pranohen nga kryeministri. Reformë zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR që nesër thotë Edi Rama, “por përkthyes të huaj në shqip, kurrën e kurrës”. Rama nuk e ka pranuar propozimin e PD-së që këtë reformë ta bëjnë bashkë me ekspertë të huaj. Ju si e shihni këtë situatë?
Sipas meje reformimi që i nevojitet Shqipërisë, është ai lloj reformimi që kornizon dhe orienton për mirë, vullnetin politik. Është pikërisht vullneti i keq politik që anormalizon zgjedhjet në Shqipëri. Reforma Zgjedhore e fokusuar te mirëorientimi i vullnetit politik është një nga përpjekjet në drejtimin e duhur. Për më tepër, duhet përmbyllur Reforma në Drejtësi dhe duhet ripunuar ligji për partitë politike dhe legjislacioni për financimin dhe kontrollin e financave të partive politike si dhe ajo pjesë e legjislacionit me impakt të drejtpërdrejtë, apo të tërthortë në forcimin e rregullave dhe parimeve demokratike.
Debati për zgjedhjet po zhvillohet me ton dhe intensitet të lartë sidomos për tri çështje kryesore: sistemin, votën e emigrantëve dhe votimin elektronik. Asnjë prej këtyre çështjeve nuk është në listën e gjatë të rekomandimeve të OSBE-ODHIR. A po dështojnë edhe ndërkombëtarët për zgjidhjen e krizës?
Ndërkombëtarët duhen vlerësuar për përpjekjet dhe fondet e taksapaguesve të tyre, që harxhohen për konsolidimin e demokracisë në Shqipëri. Dështimi nuk ju përket atyre por shqiptarëve në këtë rast. Ne nuk jemi në rregull me detyrat tona dhe nuk është aspak e drejtë të kërkohet justifikim për mosarritjet tona, qoftë edhe tek ndonjë gabim, apo keqorientim i partnerëve ndërkombëtar. E përsëris, e keqja e zgjedhjeve në Shqipëri qëndron tek vullneti politik. Pa egzistencën e vullnetit politik dhe të mekanizmave ligjore dhe kushtetuese që kornizonjnë dhe orientojnë këtë vullnet, asnjë masë tjetër në vetvete nuk sjell rezultatin e pritur.
Vetë opozita, a është e paorientuar politikisht lidhur me ndërtimin apo vijueshmërinë e aksionit opozitar? Ndërprerja e protestave, mendoni se e largoi opozitën nga mijëra qytetarë, të cilët protestuam kundër Ramës?
Protestat janë nevojë dhe shprehje e zemëratës popullore ndaj keqqeverisjes, vjedhjes dhe zhvatjes së pasurisë kombëtare, kriminalizimit të shtetit dhe talljes me nevojat për mbijetesë të njerëzve. Detyra e opozitës është të jetë alternativë e besueshme me program, individë përfaqësues dhe aksion frytdhënës. Vetëm mungesa, apo cedimi nga këto të treja, mund ta bëjë të paorientuar, apo të pabesueshëm aksionin opozitar. (Koha Jone) /l.m