Arben Ristani, pjesë e emrave që kërkon largimin e Lulzim Bashës nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike e akuzoi atë si humbës kronik që nuk respekton as standardin që vendosi vetë në 2017-ën.
“As ngriva-shkriva nuk e bëri këtë herë”, tha Ristani.
Ish-Sekretari i Përgjithshëm i PD iu referua zgjedhjeve të 2017-ës për kryetar të PD, kur Basha njoftoi ngrirjen e të gjitha funksioneve të veta si kryetar.
“Thelbi i konstatim është se Basha është një humbës kronik. Ka humbur në mënyrë të përsëritur në të gjitha betejat elektorale që ka pasur.
Humbi në 2015, humbi në 2017 duke mos llogaritur zgjedhjet e pjesshme dhe humbi në zgjedhjet e 2021. Pra, ka katër humbje radhazi”, tha Ristani në emisionin Opinion.
Ristani shpjegon edhe pse humbi, sipas tij.
“Humbi sepse nuk arriti ta organizojë partinë ashtu siç duhet, nuk krijoi besimin tek njerëzit, përkundrazi në mënyrë të përsëritur ka problematika me të vërtetën.
Unë them këtë gjë, Presidenti tha që ai të gënjen dhe për orën, në fakt është vërtetë ashtu. Njeriu duhet të ketë burrërinë që kur humb të hapi rrugën.
Nuk ka padurim, madje padurimi i duket i Bashës i trembur të cilit i afrohen dhe zgjedhjet.”-tha Ristani.