FIFA bëhet gati për hapin e radhës që do të ndihmojë që të ketë transparencë të plotë rreth vendimeve që ndërmarrin gjyqtarët kur gjykojnë momentet e diskutueshme me VAR. Eksperimenti do të fillojë që në Botërorin e Klubeve që nis në javën e ardhshme.
Tifozët kanë kërkuar shpesh të dinë me saktësi pse gjyqtarët kanë marrë vendimet dhe FIFA do të eksperimentojë këtë metodë të re, që përdoret në fakt në sporte të tjera si futbolli amerikan, për të kënaqur ata që janë të pranishëm në stadium, apo edhe personat që po ndjekin sfidat nga ekrani.
Kështu, sistemi i mikrofonit që mban gjyqtari për të komunikuar me asistentët e tij dhe sallën e VAR-it, do të jetë i lidhur edhe me sistemin audio të stadiumit dhe transmetimin. Kështu, gjyqtarët do të shpjegojnë arsyetimin që çon në marrjen e një vendimi pas shqyrtimit të pamjeve.
/e.d











