Kishte ditë që nuk dukej në publik, por më në fund e theu heshtjen. Kryeministri Edi Rama ka organizuar një pritje me mësuesit me rastin e festave të fundvitit. Në pritjen e organizuar nga shefi i qeverisë merrnin pjesë mësuesit me rezultatet më të mira nga shkollat më të mira në vend. Gjatë fjalës së mbajtur, Rama theksoi edhe një risi në drejtimin e shkollave në vend. Ai njoftoi themelimin e shkollës së drejtuesve të shkollave, që sipas tij do të rrisë cilësinë e drejtimit.
Rama tha se kohës së drejtorëve militantë i ka ardhur fundi.
“Shkolla e drejtorëve do jetë institucion i ri për të mësuar rritjen e kapaciteteve në përmirësimin e drejtimit të shkollave. Ju e dini sa e rëndësishme është dhe sa diferencë bën cilësia e drejtimit të shkollës. Me drejtuesit e shkollës për vite të tëra është bërë vetëm politikë, politikë shpërblimesh për militantizmin, aktivizmin apo shërbimet e tyre ndaj partive. Kësaj tradite ne kemi filluar t’i japim fund. Për këtë arsye, shkolla e drejtorëve do të na ndihmojë bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare, bazuar në një sistem bashkëpunimi për të profilizuar dhe fuqizuar një figurë drejtuesi të shkollës, profesionist, menaxher në drejtimin e shkollës. Kjo do të bëjë që të gjithë drejtorët e përkushtuar të rrisin aftësitë e tyre menaxheriale, dhe gjithë ata që do jenë në rinj në detyrë ta fillojnë punën me instrumentat që të tjerët nuk i kanë pasur për fat të keq deri më sot”, deklaroi Rama.
/a.m.