Nga Ardian Vehbiu
Në filmin dokumentar me regji të Ermela Telit “In the Socialist Paradise (It Never Rains” shfaqur mbrëmë në Tiranë në kuadrin e Nighflix Film Festival), përmendet – mes të tjerash – gjeneza dhe peripecitë e një pikture të Guri Madhit, me titull “Mbledhja e 81 Partive në Moskë, 1960”. Prezantuar publikut në vitin 1974, datë kritike që vjen fill pas traumës së Plenumit IV dhe goditjes totalitare kundër liberalizmit në art, tabloja synon të përjetësojë një moment nga mbledhja në fjalë, ku Enver Hoxha ngrihet të sulmojë vijën revizioniste të PK të BRSS dhe sekretarin e saj të përgjithshëm Hrushovin.
Deri në fillim të viteve 1970 për atë mbledhje publiku në Shqipëri dinte fare pak; u desh të botohej Historia e PPSH-së, pastaj Vepra 19 e Enver Hoxhës, për t’u marrë vesh hollësitë e përplasjeve mes delegacionit shqiptar në Moskë dhe krerëve të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik; pak më herët kish dale edhe romani i Ismail Kadaresë, Dimri i vetmisë së madhe, ku përshkruhej disi e letrarizuar e njëjta ngjarje – autori kish shfrytëzuar arkivin sekret të KQ të PPSH-së. Ashtu tabloja e Guri Madhit vinte edhe si mishërim i të njëjtit heroizëm, në një medium tjetër.
Siç e rrëfen studiuesi Ermir Hoxha në film, tabloja është unike edhe në historinë e përftimit të saj; që në krye, ishte vendosur që figurën e Enver Hoxhës do ta realizonte një piktor tjetër, Zef Shoshi, i cili e kish provuar veten si portretist i diktatorit. Guri Madhit të paktën iu besuan të gjitha figurat e tjera në kompozim, duke filluar nga ajo e kryeministrit Mehmet Shehu, në të majtë të Enverit, dhe pastaj e “shokëve komunistë kinezë”, me të cilët tanëve u ishin puqur disi telat në Moskë. Problemi këtu ishte se vetëm tre vjet pas ekspozimit të veprës në publik ndodhi e ashtuquajtura “prishje me Kinën”, e cila pati për efekt që t’i zhvendoste edhe krerët e Pekinit në kampin revisionist; ky konflikt u përthye, në tablo, në ripikturimin e pjesës ku kishin qenë kinezët – majtas Mehmet Shehut – dhe zëvendësimit të saj me diçka të turbullt, jo-specifike. Por modifikimi i tablosë nuk do të mbetej me kaq; në 1982 ndodhi (vetë)vrasja e kryeministrit Mehmet Shehu, dhe diçka do të duhej bërë me figurën e tij gjithashtu, nëse tabloja do të mbetej gjallë. Por edhe pse tek-tuk në Internet thuhet se pati një ri-pikturim të dytë, me gjasë ajo thjesht do të jetë gjykuar e pashpëtueshme.
Këtu më ngacmoi ideja e një pikture fluide, jo-stabël, që ndryshohet nga autori – ose piktorë të tjerë ose edhe fare vetvetiu – në përgjigje të ngjarjeve politike të ditës; siç ndodhte në romanin 1984 të Orwell-it, ku e kaluara – historia – rishkruhej, për t’iu përshtatur zhvillimeve në bashkëkohësi, edhe vepra e Guri Madhit do të transformohej, duke “rishkruar” deri edhe versionin (disi imagjinar) të Mbledhjes së Moskës e duke larguar nga skena më parë kinezët, pastaj kushedi edhe Mehmet Shehun. Ka diçka metafizike te ky transformim. Edhe pse praktika e ndërhyrjes në tekste, për t’ua përshtatur ato ngjarjeve të mëpasme, tashmë njihej mirë: veprat e Enverit ribotoheshin me redaktime, sa herë që ndryshonte kursi politik ose rrëzohej ndonjë prej shokëve të tij nga fiku – për të eliminuar që andej çdo referencë ndaj “armiqve”. Njëlloj do të rishkruhej edhe Historia e PPSH-së, për ribotimin e saj në vitin 1981, të pastruar nga gjithçka nuk pajtohej dot me të tashmen.
E veçanta këtu, nëse mund ta quaj kështu, është se tabloja mbetej po ajo, e barabartë me vetveten – dhe redaktimi prekte vetëm disa elemente të “përmbajtjes”, gjë që zakonisht ka ndodhur me fotografitë historike, nëpërmjet retushimit dhe largimit që andej të figurave të padëshiruara. Ndërhyrje si ajo e heqjes së “shokëve kinezë” tregojnë rëndësinë që i jepte regjimi aspektit dokumentar të këtyre veprave, duke i mëshuar rolit të tyre, si certifikuese të historisë. Duket sikur, në procese të tilla, realiteti dhe arti afrohen më shumë se ç’mund ta përballojë deri edhe piktura më realiste. Një tablo si kjo e Guri Madhit, që pas konfliktit politik me Kinën nuk do të lejohej që t’i tregohej publikut, normalisht do të ishte asgjësuar – ose të paktën magazinuar gjëkundi. Që u vendos ripikturimi, kjo lë të kuptohet se pushteti dhe sektori i propagandës e gjykonin si tepër të dobishme, e prandaj edhe të rëndësishme, për t’u sakrifikuar. Tek e fundit, heroizmi i prej uragani i Enver Hoxhës përballë Hrushovit dhe hijes së rëndë të sallës Georgievskaja në Kremlin nuk do të humbisnin gjë, po të dëboheshin nga skena “kinezët” – mbase përkundrazi.
Kam dëgjuar se, gjatë vizitës në Galerinë e Arteve në shoqërinë e Aleks Budës, 2-3 ditë pas (vetë)vrasjes së Mehmet Shehut, Enver Hoxha u ndal para një tabloje të Fatmir Haxhiut, ku paraqitej Mehmet Shehu si komandant i Brigadës I Sulmuese, dhe i tha autorit që gjeti aty, se “ju piktorët duhet të na pikturoni më pak ne udhëheqësit, dhe më shumë njerëzit e thjeshtë.” Fytyrat anonime mund ta largonin disi një tablo nga realiteti, për ta zhytur në realitetin tjetër të artit; duke i garantuar veprës një lloj imuniteti, ndaj kontingjencës historike. E megjithatë, arsyetimi nuk vlen për piktura si ajo e “Mbledhjes së Moskës”, nga Guri Madhi, që në mënyrën e tyre duan të rrëfejnë historinë “siç ka ndodhur”, jo të përthyer përmes imagjinatës krijuese të artistit. Këto vepra, përtej aspektit të tyre mirëfilli artistik, rimarrin edhe rolin tradicional kremtues të pikturës, si fiksuese e ngjarjeve dhe personazheve historike.
Sot nëpërmjet ilustrimit të editorializimeve të tilla – në historiografi, në letërsi, por edhe në artet vizuale – mund të rrëfehet historia politike e konflikteve në kupolën e PPSh-së; në fakt me t’u rrëzuar nga pushteti një “i madh” i Partisë a i shtetit, do të fillonte spastrimi i veprave të tij nga libraritë dhe bibliotekat, heqja e emrit të tij nga tekstet por edhe heqja e teksteve, nëse emri nuk hiqej dot lehtë, asgjësimi ose e shumta arkivimi i fotografive dhe i dokumenteve të tjera me emrin e tij. Prej këtij modifikimi të së shkuarës pritej konfirmimi se kjo, e shkuara, ishte gjithnjë në shërbim të së sotmes dhe mund të modulohej e të modifikohej lirisht, sa kohë që misioni i historishkrimit nuk ishte veçse të provonte që realja – e sotmja – ishte edhe e domosdoshme. Me fjalë të tjera, ishte e sotmja që e normalizonte dhe e stabilizonte historinë.
Kjo më sjell edhe te metafizika e redaktimit të tekstit, të artit dhe, në analizë të fundit, të vetë realitetit. Edhe konflikti me sovjetikët, që shënjoi një nga kulmet e veta në Mbledhjen e 81 Partive në Moskë, në vitin 1960, mund të shihet si një lloj redaktimi i historisë së PPSH-së; në vitet në vazhdim, do të rishkruhej edhe një pjesë e mirë e teksteve, “dokumenteve” dhe dëshmive të marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike para 1960-ës, përfshi këtu dokumentin e rëndësishëm të fjalës së Enver Hoxhës në Kongresin III dhe koncesionet e tij për kultin e individit (të Stalinit) dhe qëndrimin ndaj Titos. I njëjti redaktim masiv do të ndodhte ndaj historisë së marrëdhënieve me kinezët dhe Maon; duke prekur, me gjasë, edhe faqet e ditareve politike të Hoxhës, që do të botoheshin dora-dorës. Ashtu nuk ishte vetëm e tashmja që do të konfirmonte të shkuarën, por edhe e shkuara që do të konfirmonte të tashmen.
© 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Botohet me leje te “TemA”.
*Me këtë rast, e provova edhe unë dorën – me ndihmën e ChatGPT-së – që t’i jap një redaktim, në stil dhe strukturë, tablosë së Moskës.

