Policia kufitare e Rinasit ka goditur dy raste të mosdeklarimit të vlerave monetare në kufi.
Dy persona janë proceduar, konkretisht 37-vjeçari D.Sh., pasi synonte te fuste në Shqipëri 15 mijë paun nga Britania, dhe 32-vjeçari A.Z., pasi synonte që të nxirrte nga vendi mbi 11 mijë euro, pa i deklaruar në kundërshtim me ligjin.
Policia bëri të mundur sekuestrimin e mbi 26 mijë euro dhe paundë, ndërsa vijojnë hetimet me qëllim parandalimin e veprimtarive të paligjshme në kufi.
“Goditen dy raste të mosdeklarimit të vlerave monetare në kufi.
Sekuestrohen mbi 26 mijë euro dhe paundë.
Procedohen penalisht dy shtetas.
Në kuadër të kontrolleve të dedikuara, të bazuara dhe në analizën e riskut, me qëllim parandalimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie, shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit kanë evidentuar dhe goditur dy raste të mosdeklarimit të parave në pikën e kalimit kufitar.
Në vijim të veprimeve u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi shqiptar D. Sh., 37 vjeç, rezident në Mbretërinë e Bashkuar, të cilit, gjatë kontrollit në vijën e dytë, iu gjetën 15 000 paundë, që synonte t’i fuste në territorin e Republikës së Shqipërisë pa i deklaruar, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Po ashtu, u procedua penalisht shtetasi A. Z., 32 vjeç, banues në Kamëz, të cilit, gjatë kontrollit në vijën e dytë, iu gjetën 11 370 euro, që synonte t’i nxirrte nga Republika e Shqipërisë pa i deklaruar, në kundërshtim me ligjin.
Kontrollet dhe verifikimet nga Policia Kufitare do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë, me qëllim parandalimin e veprimtarive të paligjshme në kufi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.











