Kanë mbërritur në mbrëmje në Aeroportin “Nënë Tereza” 40,800 doza të tjera të vaksinës AstraZeneca, nëpërmjet instrumentit Covax.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe Ministri i Shtetit për Rindërtim ishin të pranishëm në Aeroportin “Nënë Tereza”, ku u shprehën se do të kemi këto ditë sasi të konsiderueshme të vanksinave të Sinovac, të Pfizer dhe sërish AstraZeneca.
“Qeveria shqiptare ka bërë të mundur të parapaguajë 1,140,000 doza vaksine, nëpërmjet Covax dhe sot mbërrijnë edhe 40,800 doza të tjera AstraZeneca, të cilat do të shpërndahen menjëherë në të gjithë Shqipërinë, për të vijuar vaksinimin masiv të popullatës +60 vjeç dhe të gjithë ato grupe të riskuara, të cilat ne kemi filluar ti vaksinojmë, siç vijuam sot me punonjësit e të gjithë operatorëve turistikë”, deklaroi Manastirliu.
“Ne kemi siguruar deri tani mbi 400 mijë doza vaksine, kemi vaksinuar mbi 300 mijë qytetarë dhe do vijojmë këtë proces derisa qytetari i fundit të jetë vaksinuar. Nuk do të heqim dorë në asnjë moment, pasi për ne mbrojtja e shëndetit të qytetarëve është e para, ndaj do të vijojmë në mënyrë intensive të ruajmë ritmet e larta të vaksinimit ashtu sikurse kemi bërë deri tani. Presim nesër edhe 50 mijë doza të tjera vaksinash të AstraZeneca, gjithashtu nga dita e hënë presim mbi 200 mijë vaksina të Sinovac dhe gjithashtu 8120 vaksina të Pfizerit”, u shpreh Manastirliu.
Manastirliu tha se në fund të prillit presim të kemi kaluar rreth 700 mijë vaksina të mbërritura dhe ritheksoi objektivin për të kryer 500 mijë vaksinime deri në fund të majit.