Ministria e Shëndetësisë iu përgjigj akuzave të Partisë Demokratike në lidhje me rimbursimet e barnave.
Në një komunikatë, thuhet se ka qenë Sigurimi i Detyrueshëm i Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) ai që ka ushtruar kontrolle për periudhën qershor–gusht 2015 në subjektin Omega Grup, importues dhe shpërndarës farmaceutik.
Ja reagimi i ministrisë:
“Nga ky kontroll rezultoi një dëm ekonomik prej 346 milionë lekësh (ose 34,6 milionë lekë të reja). Për rrjedhojë, është ndërprerë kontrata e Fondit me Omega Grup, dhe ky subjekt, është kallëzuar penalisht nga FSDKSH-ja në muajin gusht 2015 në Prokurorinë e Tiranës.
Si rezultat i këtyre kontrolleve, FSDKSH-ja evidentoi një dëm ekonomik prej 44 milionë lekësh (ose 4.4 milionë lekë të reja). Ndërkohë, është e kotë t’i kujtojmë opozitës situatën katastrofike ku e gjetëm shëndetësinë shqiptare dhe se çfarë kemi bërë e po bëjmë për të rekuperuar dëmet e keqqeverisjes së saj. Arritëm në kohë rekord të shlyejmë borxhin 40 milionë USD që trashëguam nga PD.
Ndërkohë sot, shqiptarët paguajnë 30% më pak për barnat. Sikundër kishim premtuar, ja dolëm të ulim çmimin e barnave duke u kursyer shqiptarëve 70 milionë dollarë në vit. Janë 150 000 qytetarë shqiptarë që përfitojnë tashmë nga 85 barnat e reja që shtuam në listën e rimbursimit në vetëm dy vjet”, thuhet më tej.