Ata janë të vegjël dhe akoma nuk e nuk kuptojnë çfarë ka ndodhur me qytetin e tyre të bukur, Durrësin.
Dy qendrat akomoduese hoteliere “FAFA” dhe “KOLAVERI” gumëzhijnë nga zërat e qindra fëmijëve që po qëndrojnë prej disa ditësh në këto ambiente.
Dhimbja dhe lotët për viktimat nga tërmeti i 26 Nëntorit, i kanë lënë vendin haresë së tyre.
Megjithë ankthin e panikun që shihet ende në sytë e prindërve, fytyrat e qeshura të fëmijëve tregojnë se jeta ka rinisur.
Rreth 400 familje po jetojnë në 2 qendrat akomoduese të Golemit, ku janë ofruar gjithçka u duhet, që nga ushqimi i mirë, shfaqje të animatorëve për fëmijët, ambiente jashtë në oborr ku të vegjlit mund të krijojnë lojëra të ndryshme.
Duket sikur gjithçka është ndalur aty, para se të ndodhte tragjedia.
Familjet e akomoduara në Golem i vizitoi pasditen e së premtes zvministrja e Turizmit dhe Mjedisit Ornela Çuçi. Ata vijnë nga lagjet 16 dhe 18 të qytetit të Durrësit si dhe zona e Fermës së Sukthit.
Zv.ministrja Çuçi ka dëgjuar problematikat e tyre, sidomos ankthin për çfarë do t’i presë më pas.
Bashkëshortja e Ramadanit nga Shënavlashi i tregon zvministres se burri i saj po qëndron i vetëm në banesë për të ruajtur gjënë e gjallë.
Të njëjtin shqetësim ka ndarë dhe Bukurija nga lagjia 18.
E megjithatë, fëmijët janë shpresa se çdo gjë do të shkojë mirë. Shpresa dhe dëshira për jetën do të triumfojë!























