Ish-ambasadori amerikan në Tiranë flet në “Exclusive”, në “Top Channel”. Rikthimi pas tre vitesh që shërbeu në Shqipëri.
Zakonisht thuhet: “Your future is in the past”. Kështu shkruhet në librat e shenjtë, kështu thuhet në profecitë antike. Nëse doni të dini të ardhmen tuaj, shihni si ka qenë e kaluara juaj. Përgjatë një shekulli shtet të shqiptarëve vetëm tre protagonistë ka pasur. Dhe po këta të tre janë larguar nga jeta politike kur ka dalë një brez i ri ose kur kanë ndodhur përmbysje të mëdha, lokale apo botërore. Në këtë 103-vjetor të pavarësimit të saj, Shqipëria çfarë pritej të evokonte?
E vërteta është se, atë, që ky vend e ka kërkuar prej më shumë se një shekulli: mendësinë europiane, që në thelbin e vet ka ndërrimin e përsëritshëm të elitave politike, promovimin e vijueshëm të brezave të rinj me zotësi qeverisëse; në fund të fundit shmangien e monarkive të pashpallura. John Withers, ambasadori amerikan, një mik besnik i vlerave shqiptare, por dhe një njeri i ndjeshëm fund e krye kur i shqipton emrin Shqipëri e që shqiptarët kanë pasur rastin ta njohin si një diplomat shpeshherë jashtë kanoneve protokollare të kodit diplomatik, duke ndikuar me fjalën e tij në shëndoshjen e situatës shqiptare përmes lëvizjes së mendimit, ulet t’u rikujtojë sërish shqiptarëve forcën dhe shpresën që ata kurrë nuk duhet ta humbin edhe nëse proceset historike nuk vijojnë drejt një trajektoreje të qetë. Kjo për një arsye të thjeshtë thotë ai, sepse rruga e këtij vendi është e pakthimtë.
Sepse sot sipas tij, shteti shqiptar është jo më i kontrolluar prej kushteve dhe tutelës, por prej standardeve dhe vlerave të përbashkëta europiane. Sepse objektivisht, Shqipëria dhe shqiptarët nuk mund të mbeten peng i askujt pushteti. E ardhmja nuk u takon elitave të vjetra. Elitat e vjetra e kanë ngrënë vetveten. A mund të jetë vetë Shqipëria një model shprese për qytetarët e vet? A mund të jetë Europa e bashkuar pafundësisht një ëndërr shpresëshumë për shqiptarët? A mund të jetë shteti i së drejtës – një prej shprehjeve magjike të futuristëve, të dy shekujve të fundmë një tjetër ëndërr për ta?
Zoti ambasador, ç’do të thotë ky rikthim i juaji në Shqipëri? A jeni kthyer edhe në vende të tjera ku keni qenë me funksione diplomatike?
Jam këtu për një vizitë personale. Nuk kam ardhur në Shqipëri për vizitë zyrtare, nuk kam ardhur as edhe si diplomat. Jam këtu thjesht si John Withers. Arsyeja përse kam ardhur është po aq e qartë dhe e thjeshtë njëherësh. Kam kaq shumë kujtime të mira nga Shqipëria dhe kaq shumë miq, që i dua dhe më duan këtu. Dhe e kisha të nevojshme, domosdoshmëri dhe dashuri, njëkohësisht të vija e t’i shihja ata sërish. E kisha të nevojshme të vija e të shihja si shkonin gjërat gjatë këtyre viteve me miqtë e mi. Çfarë ata bëjnë dhe si po u shkonin punët dhe të ndaja me ta orë të mira bisede. Kujtimet e mia mbi Shqipërinë më ruhen kaq të gjalla dhe të ndriçuara e sigurisht kjo, është pjesë e vizitës sime. Është e vërtetë që kam kaluar një pjesë të madhe të jetës sime profesionale duke bërë dhe politikë në të shumtën e herës, por gjërat të cilat unë i kujtoj dhe që mbeten të çmuara për mua, janë miqtë e mi shqiptarë. Ja p.sh. ne kemi qenë miq bashkë për një kohë shumë të gjatë dhe jemi sigurisht, por dëshira të ulem dhe të flas me Ju, për shumë gjëra të përbashkëta që të dy ne kemi, mbi ato, që ti punon çdo ditë, gazetaria apo tema në të cilën ti po studion, është shumë e çmuar dhe e rëndësishme për mua. Dhe kënaqem shumë që është një nga ato vlera që i çmoj te miqtë e mi këtu.
Faleminderit zoti ambasador, do përpiqem të ecim në këtë fushë. Është e vetmja mundësi ku mund të ndërtojmë ishullin tonë të lirisë individuale. Të punosh si murgu nuk është e lehtë, por liria e tij është kaq e bukur. Por le të shprehemi në një formë tjetër pak më të drejtpërdrejtë, në sytë tanë, Shqipëria e sotme në një anë po bëhet më shtet se ka qenë dhe kjo është gjë për t’u çmuar, por në anën tjetër po shtohet varfëria e të varfërve, gjë që nuk është në thelbin e një politike të majtë. Si ju duket ju kjo Shqipëri kontradiktore, për ne që e jetojmë çdo ditë?
Jam këtu vetëm pak ditë. Si mund t’u jap një përkufizim apo një gjykim të vërtetë kaq shumë gjërave? E gjitha që unë mund të përmbledh janë impresionet e para me të cilat u përballa. Duket se ka një shpirt tani, që mund ta quaj si shpirti i ndryshimit, por më duhet ta them se ndryshimi nuk është kurrë i lehtë. Nuk është i lehtë të realizohet, e të implementohet, sepse njerëzit kanë kaluar kohë të vështira të bëjnë gjëra në rrugë të ndryshme me sukses ose jo. Por rrugët kanë qenë shpesh jo fort të duhurat. Por nëse më duhet ta përmbledh të gjithën në një është… se ndihet një erë e re kudo, një ndjesi e re e brendshme që kërkohet prej gjithkujt, një forcë e re motivuese, në sensin e njëmomentumi të ri. E me këtë nuk jam duke thënë se çdo gjë është duke shkuar mbarë apo keq, apo tani gjërat do shkojnë më lehtë, por sidoqoftë ka një gjendje ndjeshmërie tani më të lartë shoqëria ndaj asaj që po kërkon me gjithë reagimin e saj, ndoshta për ta lënë këtë vend. Por më lejoni t’u jap një impresion timin. Teksa lëvizja nëpër rrugët e Tiranës, pashë disa stenda të mëdha ku çdo njeri mund të njihej me studentët më të shkëlqyer të Tiranës. Dhe kjo është një shenjë kaq e bukur që më vjen nga Shqipëria, në sensin se arsimimi i brezit të ri është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e vendit, është e rëndësishme për vetë njeriun, është e rëndësishme po aq dhe për krenarinë që u jep prindërve. Ky ishte impresioni i parë, i dyti është një gjë e vogël por megjithatë do ta tregoj: gjatë një darke me miqtë e mirë shqiptarë, shijova një ushqim të mirë mes miqve të mirë. A mund ta them në TV? …dhe pak raki të mirë. Ishte vërtet shumë bukur, por diçka vura re gjatë asaj darke. Në një moment, disa nga miqtë e mi u ngritën dhe e lanë darkën. Dhe mendova, mos ndoshta thashë diçka të gabuar, diçka që i preku? Pyeta dikë aty pranë dhe më thanë duke qeshur… Jo, jo absolutisht, ata duan të pinë duhan, por u duhet të dalin jashtë për të tymosur. Në Amerikë kemi thuajse të njëjtën situatë. Prej vitesh njerëzit e kanë të ndaluar ta pinë cigaren brenda në lokal. E di shumë mirë që është një gjë e vogël, por duhet të më besoni, është një nga ato gjërat e vogla të mira.
Megjithatë, shqiptarët mendojnë se gjërat në Shqipëri, ato të mirat flas, ecin si në një Tango, një hap para dhe dy hapa prapa. Duhet të kuptojmë që varfëria mbetet një çështje globale, dhe po këtu nuk mund të përjashtohet edhe rasti Shqipëri. Ju përmendët në letrën e fundit kur më shkruanit, përrallën e Oscar Wilde “Princi i Lumtur”, mbi të bërit mirë në jetën tonë aq sa mundim…
Historia e Wild-it që të përmenda është historia e një djali të vogël. Për ata njerëz që nuk e njohin, ajo bën fjalë për një statujë, të një princi, i cili gjatë gjithë jetës së tij jetonte i lumtur brenda pallatit mbretëror, ndërsa tani statuja e tij qëndronte jashtë, nga ku mund të shihte çfarëdo nëpër qytet; varfërinë, vështirësitë me të cilat përballeshin banorët e tij nga mëngjesi deri në mbrëmje. Një ditë, një zog i vogël që po vinte nga jugu ndalon pranë statujës. Të dy, princi dhe zogu i vogël, fillojnë të diskutojnë pikërisht mbi këto që princi shihte çdo ditë, varfërinë dhe shqetësimet e banorëve, duke u gjendur atyre herë pas here në hallet e përditshmërisë. P.sh. princi kërkoi që t’i hiqej një copë floriri nga statuja për t’ia dhënë një vajze të vogël në rrugë, apo një copë tjetër dikujt tjetër që po jetonte keq në të ftohtë e kështu me radhë… Ndërkohë, moti po bëhej gjithnjë e më i ftohtë dhe zogu i vogël po e ndiente këtë gjë, teksa i shërbente më të varfërve të qytetit, së bashku me princin e vogël. Por shihej se dashuria mes të dyve ishte kaq e madhe sa zogu nuk mund ta linte vetëm princin e vogël dhe nuk u largua dot. Por ju e dini se në të ftohtë zogjtë nuk mund të mbijetojnë dhe ai nuk ia doli. Dhe kur zogu vdiq, “zemra” që ende i rrihte princit të vogël brenda statujës do të thyhej. Drejtuesit e qytetit u mblodhën dhe vendosën ta heqin që andej statujën e princit. Është e shëmtuar, thanë, nuk është prej floriri më. Dhe përse gjendet ky zog i vogël këtu xhanëm? Kështu ata i mblodhën çfarë gjendej aty dhe i hodhën tej. Por ç’ndodhi më tej? Zoti lart në qiell thirri një nga engjëjt e tij dhe i tha: më sill dy nga gjërat më të vlefshme që gjen në këtë qytet. Engjëlli zbriti poshtë dhe solli trupin e zogut të vogël dhe “zemrën flakë të kuqe” të thyer brenda statujës së princit. Zoti, pasi i pa, iu kthye engjëllit të tij: ti zgjodhe gjënë e duhur. Në parajsën time ky zog do të këndojë përjetësisht, ndërsa në qytetin tim prej floriri, statuja e këtij Princi të lumtur do të nderohet përgjithmonë. Çfarë dua t’u tregoj nga kjo histori është se cilat janë në të vërtetë vlerat më të epërme të shoqërisë njerëzore; çfarë është në të vërtetë mirësia; prosperiteti, begatia ose dhe mirëqenia duhet t’i shërbejë komunitetit, njerëzve në nevojë. Kur rikujtoja atë histori më erdhi ndër mend Nënë Tereza, sepse ajo bënte pikërisht ato gjëra. Pikëpamjet e saj ishin të njëjtat, t’i takonte dhe t’i ndihmonte njerëzit e varfër. I ndihmonte me para sa mundte’, por mbi të gjitha me dashuri. Do të të lë për pyetjen e radhës pa merak, por dua të të lexoj disa citime të saj që unë mendoj se janë nga më të bukurit që kam lexuar deri tani. Ju me siguri i njihni ato, ato flasin për gjërat që njerëzit duhet të bëjnë, por gjithashtu ato përçojnë mesazhet se si duhet t’i kalojmë pengesat që na dalin përpara. Ja ç’ka shkruar ajo: “Njerëzit janë shpesh të paarsyeshëm, irracionalë dhe egoistë. Fali, gjithsesi. Nëse jeni të sjellshëm, njerëzit mund t’ju akuzojnë se keni qëllime të tjera egoiste. Jini të sjellshëm, gjithsesi. Nëse keni sukses, do të fitoni miq të shtirur dhe armiq të vërtetë. Kini sukses, gjithsesi. Nëse jeni të ndershëm dhe të çiltër, njerëzit mund t’ju zhgënjejnë. Jini të ndershëm e të çiltër, gjithsesi. Të tjerët mund të shkatërrojnë brenda ditës atë që ju e keni krijuar për vite me radhë. Krijoni, gjithsesi. Nëse gjeni paqe e lumturi, disa mund të kenë smirë. Jini të lumtur, gjithsesi. Të mirat që bëni sot mund të harrohen shpesh. Bëni mirë, gjithsesi. Jepni më të mirën që keni e s’do të mjaftojë kurrë. Jepeni më të mirën, gjithsesi. Analiza e fundit është midis juve dhe Zotit. S’ka qenë kurrë midis juve dhe atyre gjithsesi.
I njoh këtë citime…
Po dhe jam po aq i sigurt që shumë shqiptarë të tjerë i njohin gjithashtu. Më shumë amerikanë duhet ta lexojnë këtë citim, sepse ajo që thotë, është se ka shumë probleme në këtë botë. Folëm për varfërinë; varfëria ka qenë gjithnjë me ne. Asnjeri s’ka gjetur përgjigje për varfërinë. Por njerëzit pyesin se çfarë mund të bëjnë. Besoj që nëse e njoh mësimin e Nënë Terezës, nëse e mbani mend mësimin e Princit të Lumtur, përgjigjja është: bëj gjithçka mundesh! Problemi me varfërinë është se shumë njerëz ose nuk dinë gjë për varfërinë, ose e dinë, por e shpërfillin atë. Dhe ndihmesa që mund të japin njerëzit si ju, është të shkruajnë për të. Të rrëfejnë për të. T’u tregojnë të tjerëve se çfarë është varfëria në të vërtetë. Njerëzit do ta shohin, do ta lexojnë e do të thonë që s’e dinin që paska pasur njerëz që jetonin në atë lloj mjerimi. Pasi ata të lexojnë nga ty se çfarë ti shkruan për të, do ta kenë më të vështirë ta shpërfillin. Secili nga ne duhet të japë atë ndihmesë që mundet. E rëndësishme është të ndihmosh me çfarë të mundesh.
E ndiej se duhet të jemi pak më shumë realistë, sidomos kur bëhet fjalë për jetën e përditshme të shqiptarëve. Dua t’i them popullit tim, të rinjve këtu të mos ikin nga ky vend. E di shumë mirë që ai po përballet me një situatë shumë të vështirë. Qindra njerëz janë papunë, varfëria është një realitet i pashmangshëm tanimë, rreziqet që vijnë nga arsimi i trashëguar në këta 25 vjet, mjekësia po ashtu, kanë qenë aty, por po vijnë dhe po bëhen më të prekshme. Në këta 25 vjet që nga koha e rënies së komunizmit nuk i kam parë shqiptarët më të dëshpëruar se më parë. Keni ju një koment tuajin për këtë?
Keni ngritur një pyetje të rëndësishme. Pyetje që ia bëj shpesh vetes. E bëj për shqiptarët, sepse i kam shumë për zemër si popull. Ndihem shumë pranë halleve dhe shqetësimeve të tyre. Por është thënë diçka para disa vitesh në Vlorë, nga miku im, Sokol Balla. Ai kishte ardhur të më vizitonte dhe tha që kishte parë shumë gjëra nga Shqipëria në shtëpinë time. Aty e kishte kuptuar se sa i lidhur ndihesha me Shqipërinë, se sa mendime të mira kisha për shqiptarët dhe historinë e tyre, por më tha gjithashtu se ndihej i paqartë se përse unë e vlerësoja historinë dhe vlerat e shqiptarëve më shumë, se shumë shqiptarë të tjerë e ndiejnë atë. Natyra që përshkruan, ndjesia e tensionit dhe vështirësitë që shqiptarët kanë me njëri-tjetrin, është shumë ndryshe nga ngrohtësia dhe mikpritja, imazhi dhe përshtypjet që krijojnë ata te të huajt. Që prej lashtësisë, që nga Lord Bajroni. Përse ndodh kjo? Nuk e di përgjigjen për këtë. Nuk e di pse kam mendime më të larta për shqiptarët se ç’kanë shqiptarët për veten e tyre. Nëse kam një mesazh, ai është ky. Shqiptarët janë popull shumë i veçantë. Do të doja të përpiqesha t’i bindja për veçantinë që kanë. Në Amerikë flas gjithë kohën për Shqipërinë e shqiptarët. Kur flas, ndodhin gjëra të pazakonta. Gjëra të vogla nga njeriu te njeriu. Ju jap një shembull: të gjithë e dinë që më pëlqen tenisi. Ende më pëlqen të luaj tenis. Luaj me djemtë e klubit të tenisit, të cilët s’kanë qenë kurrë në Shqipëri. Nuk i njohin shqiptarët, por ne bisedojmë shumë për ta. Një ditë, një nga shokët më bëri disa pyetje rreth Shqipërisë dhe nisëm të bisedojmë. Zbulova që i përkiste një klubi amerikan që pëlqente të bëjë vallëzime popullore. Kryesisht vallëzime popullore amerikane, që nga jugperëndimi i Amerikës, e deri tek indianët vendas të saj. Por ndonjëherë kërcejnë edhe valle popullore të vendeve të tjera. Ka shumë klube të tilla nëpër Amerikë. Janë shumë të njohura madje. Unë i tregova që meqë i pëlqente vallëzimi folklorik, kisha qenë në Gjirokastër. Kisha parë këngët dhe vallet në festivalin atje dhe më ishte dukur i mrekullueshëm ai lloj vallëzimi folklorik. Nuk tha gjë, por pas disa ditësh erdhi e më tha që kishte gjetur video të festivalit me këngë e valle popullore në Gjirokastër, dhe që i ishin dukur vërtet të mrekullueshme. Dhe shtoi më pas: E di ç’gjeta tjetër?. Klubet ndërkombëtare me grupe muzikore ndërkombëtare kanë shpesh edhe video me udhëzime që të mësojnë si të bësh lëvizjet. Kërkova në internet dhe gjeta se si të bësh lëvizjet për vallet popullore shqiptare. Kur shkuam sërish në klubin e vallëzimeve popullore, unë dhe gruaja u thamë që do t’u mësonim një tjetër lloj kërcimi popullor, nga Shqipëria. Kjo është diçka shumë e vogël, por ndihmon të tregojë historinë e Shqipërisë në mënyrë shumë pozitive. Ky njeri nuk kishte dëgjuar kurrë për Shqipërinë, por tani ai mësoi diçka për festivalin popullor në Gjirokastër. Nëpërmjet kësaj kupton bukurinë dhe pasurinë e një pjese të kulturës shqiptare. Mendoj se shqiptarët e marrin këtë si të mirëqenë, por është e rëndësishme të mos e shohësh ashtu. Është e rëndësishme të kuptohet kjo lloj historie dhe kjo kulturë e pabesueshme, e cila është ruajtur kaq besnikërisht ndër shekuj. Shqipëria është një vend i bukur. Të gjithë kanë dashur ta marrin përgjatë historisë. Të gjithë kanë kërkuar ta pushtojnë gjatë historisë. Otomanët e nënshtruan për 500 vjet. Pastaj erdhën komunistët dhe e mbajtën për dekada. Kur ikën otomanët, ato vlera shqiptare ishin ende aty. Kur ikën komunistët, sërish ato vlera shqiptare ishin ende aty. Ajo që po them, është kjo: do të doja të kuptoja, dhe ende s’e kuptoj si duhet, se nga vijnë ato vlera të mira shqiptare. Dua të kuptoj se pse mbeten ende aq të rëndësishme për çdo shqiptar. Dua të kuptoj se si i ruani përmes këtyre viteve të vështira të historisë. Pasi të mësoj këtë, atëherë do të kuptoj me të vërtetë se përse shqiptarët janë një popull i veçantë dhe i jashtëzakonshëm.
Po thoni që jemi me të vërtetë një popull i veçantë?
Po, sipas përvojës sime, po. Kam jetuar në të gjithë botën, që kur isha një djalë i vogël. Kam pasur miq në shumë vende të ndryshme. Në Azi, Afrikë e Europë, si në Laos, Kore, Kinë, Rusi, Nigeri dhe Etiopi e i kam shijuar të gjitha ato. Kam miq në secilin vend. Po të jem në vendet e tyre do t’u them sërish se sa shumë i respektoj, i dua dhe se ende jam mik i tyre. Megjithëkëtë, s’do t’u thosha dot kurrë që ky vend është ndryshe apo më i mirë se të tjerët. S’do ta thosha kurrë atë, sepse nuk e besoj. Por ka diçka brenda meje që gjithnjë më bën të ndihem i tërhequr nga Shqipëria. Kthehem këtu. Nuk e shpjegoj dot. Por gjithnjë kthehem këtu. Mund të thoni pse kthehem?
… ndoshta sepse ju shihni diçka që ne kemi humbur shpresën ta shohim e jo më ta kemi. Shqiptarët kanë nevojë t’u flasësh hapur. Ne jemi një popull që nuk na është mësuar të dialogojmë me njëri-tjetrin dhe as të na i thonë të mirat e të këqijat që kemi. Ajo që unë perceptoj, z. ambasador është se këtu është vrarë shpresa, shpresa e të ringriturit të këtij vendi, e të ringjallurit të tij. Si mund t’ua themi shqiptarëve ndryshe?
Kanë ndodhur shumë ngjarje të vështira, ka pasur shumë përpjekje. Por u kërkoj si dikush që e quan veten mik të shqiptarëve: Mos e humbni shpresën, e di që është e vështirë, por mos e humbni atë. Sepse ka ende shumë potenciale në këtë vend. Kam dëgjuar shqiptarët të thonë të kundërtën e asaj që thashë unë. Flasin në mënyrë negative. I dëgjoj të thonë gjithnjë “ne shqiptarët s’e bëjmë dot kurrë këtë vend, s’jetohet më këtu, ky vend s’bëhet”. I kam dëgjuar të thonë “ai ose ajo është nga kjo pjesë e vendit, ndaj ata janë kështu ose ashtu”. Dhe gjëra të tilla. Sërish, mund të shtoj gjithashtu që shqiptarët bëjnë garë me njëri-tjetrin, ndërsa me popujt e tjerë nuk e bëjnë. Kam dëgjuar të tjerë që thonë “ne s’kemi talent për të pasur sukses”, por u kam thënë: jo, kjo është gabim. Unë jetoj në Amerikë dhe shoh shumë shqiptarë që kanë ardhur në Shqipëri. Shikoni se çfarë kanë arritur, janë 300 milionë amerikanë, u gjet një astronaut mes tyre të shkojë në Hënë. Ky kishte lidhje nga një origjinë shqiptare. Ka fitues të çmimeve “Nobel” kudo si aktorë, aktore, njerëz të kulturës apo artit. Shqiptarë janë ata. Pra, ajo që po them është, se s’ka mungesë talenti. Përkundrazi ka shumë talent, shumë energji dhe vizion në këtë vend. Por …
Por ata duhet të bëhen bashkë …
Ja, ky është problemi. Ju duhet të ma thoni, nëse e kam gabim, meqë jeni shqiptare e unë jo. Besoj me sinqeritet se nëse shqiptarët kanë hapësira për të arritur diçka, ata e arrijnë me patjetër. Sepse e kanë bërë këtë gjë në të gjithë historinë. Por kur shqiptarët kanë dyshime për shqiptarët e tjerë dhe kur nuk bashkëpunojnë, atëherë kjo energji humbet, gjithë ky vizion shtypet. Më duket se ky element kritik, dhe ju lutem më thoni nëse gabohem, pra nëse shqiptarët bashkohen, – ju përdorët fjalën “energji”, e pëlqej këtë fjalë – pra nëse bashkohen dhe e përdorin atë energji për të ndërtuar këtë vend, për të krijuar një të ardhme më të mirë, për të rritur fëmijët e tyre, nuk ka kufij në atë që shqiptarët mund të arrijnë. S’ka fare.
Zoti ambasador, është kjo një lloj tjetër diplomacie që ju po ushtroni, diplomacia e këshillave të mira …
E sigurt që nuk është diplomaci zyrtare.
Po, duket sikur është një diplomaci zemrash …
Ja e shihni? Duhej t’ju merrja unë juve në intervistë. Më pëlqen kjo shprehje, është diplomaci nga zemra. Është diplomaci e zemrës sime. Sepse e kam për zemër këtë vend dhe shqetësohem për popullin. Nuk kam përgjigje e nuk bëj sikur kam, por e besoj se Shqipëria ka një histori të bukur, të fuqishme dhe prekëse për ta treguar, ndaj do të bëj sa mundem që ta tregoj atë. Por mendoj se do të jetë akoma dhe më e rëndësishme që shqiptarët ta tregojnë atë vetë së shpejti. Ju vetë mund ta tregoni atë më mirë se unë. Por duhet të jetë historia e vërtetë, jo lista e problemeve, jo lista e kritikave dhe e qortimeve. Duhet të tregohet historia e vërtetë, ajo që Shqipëria ka bërë gjatë holokaustit. P.sh. ne folëm më parë së bashku për planet që kemi, për të ndërtuar në Shqipëri një monument që do të përkujtojë përjetësisht Holokaustin dhe shqiptarët me historinë e tyre dhe nëse kjo ndodh, do të jetë monumenti më i veçantë që do të ngrihet ndonjëherë për holokaustin. Kam jetuar në vende ku holokausti ka qenë i tmerrshëm, në vendet baltike p.sh. ka histori të tmerrshme të tij. Kur ndërtojnë monumente për holokaustin, bëhet për njerëzit që vdiqën gjatë tij. Në Gjermani, Francë, Itali apo kudo ka të tillë. Të gjithë pa përjashtim janë ndërtuar për të përkujtuar viktimat e Shoah e që kanë vdekur në këto rrethana tragjike. Po të ndërtohet në Shqipëri, ai do të jetë një monument krejtësisht i veçantë. Ju pyetët më parë nëse shqiptarët janë një popull i veçantë. Kjo është e veçanta e shqiptarëve. Sepse këtu pritet të ndërtohet i vetmi monument përkujtimor holokausti për ndër të atyre njerëzve që jetuan.
Kjo është një ngjarje madhështore …
Sepse është një histori e vërtetë. Ky është thelbi. Jo vetëm është një histori e bukur, por është një histori e vërtetë. Dhe ju, me studimet e kërkimet tuaja mbi historinë e hebrenjve këtu në Shqipëri, e dini më mirë se unë atë.
Kam një shqetësim të përhershëm z. ambasador, nisur dhe si kërkuese shkencore. Vërej gjatë kërkimeve të mia se perceptimi i shqiptarëve sot krahasuar me 25 vite më parë ndaj një të ardhmeje më të mirë në vendin e tyre nuk është më si atëherë kur Muri i Berlinit ra, kur u rrëzua komunizmi dhe qindra mijëra njerëz iu sulën anijeve dhe ambasadave të huaja. Pse ka një proces kthimi sërish prapa në perceptimin e tyre të ëndrrës europiane? Përse ata duan sërish të ikin?
Nuk mund të flas për anën politike, por lejomëni të flas për anën historike. Kur pyesni nëse demokracia ka arritur gjithçka në këta 25 vjet për shqiptarët, do të duhet të kuptojmë se shumë shqiptarë e ndiejnë se mjaft gjëra nuk janë arritur. E vërteta është që është e vështirë të arrish gjithçka që njerëzit shpresojnë dhe presin. Ja çfarë do të thosha unë: nëse njerëzit besojnë se historia lëviz nga pika A në pikën B në një vijë të drejtë, si një tren që ecën gjarpërueshëm drejt shinave, mendoj se e kanë gabim. Kështu ata nuk mund të kuptojnë se si ndryshimet ndodhin apo për ç’arsye ato ndodhin. Shumë më shpesh, historia nuk shkon si një tren që lëviz, por ajo mund të krahasohet më shumë me një varkë me vela. Nëse era fryn ndryshe, varka s’mund të ecë drejt. Duhet të shkojë një herë në këtë anë, e një herë në tjetrën. Njerëzit në këtë varkë atëherë shohin e mendojnë se stacioni i tyre është ende shumë larg. Mund të jetë vërtet larg, por çdo herë që varka lëviz këtej ose andej, i afrohet këtij stacioni më shumë. Gjithnjë e më shumë. Por a duhet të vazhdojnë shqiptarët të jenë të lidhur me udhëheqësit e tyre e t’u thonë: “Ju lutem bëni më shumë”? Sigurisht që po. Për këtë është demokracia. Zgjedhjet e fundit në vitin 2013 ishin vërtet historike, sepse shqiptarët thanë se “ne me votën tonë jemi ata që vendosim për drejtimin e këtij vendi. Që ne me votën tonë vendosëm që platformat e qeverisë së mëparshme nuk janë më të duhurat për ne. Ne duam tjetër erë mendësie, të reja dhe vizionare”. Ndaj vazhdoni të punoni, vazhdoni të veproni kështu. Mos ndalni kurrë!
Dikur një burrë i mençur me një histori të trishtuar, u bë trajneri i një ekipi shumë të famshëm basketbolli në Shtetet e Bashkuara. Në kulmin e suksesit u godit nga kanceri dhe fatkeqësisht, sëmundja ishte e pashërueshme. Ai e dinte që do të vdiste. Të gjithë i thoshin që do të ishte hera e fundit që do të shiheshin. E pyesnin nëse do të rrinte në spital, nëse do të shtrihej. Ai thoshte që “Jo!”. “Sa herë që kam forcë në trup, do të dal e do të flas.” Dhe një ditë po zhvillohej një ceremoni që shpërndante çmime për njerëz të ndryshëm. Ishte aq i dobët sa nuk mund të ngjitej dot vetëm në skenë. Por shkoi atje dhe qëndroi aty duke mbajtur madje dhe një fjalim shumë të fuqishëm. Ai tha: “Janë tri gjëra që ti duhet të bësh çdo ditë, duhet të qeshësh çdo ditë, duhet të qash çdo ditë, duhet të kesh ide të reja çdo ditë dhe nëse e bën këtë çdo ditë, ka qenë vërtet një ditë e bukur”. Pastaj shtoi: “Mund të mos jetoj që ta shoh këtë të ditë të bukur një ditë, por çdo ditë që jam gjallë, do të luftoj e s’do të heq dorë nga shpresa për ta pasur atë”. Dhe këto janë fjalët e mia të fundit për ju: Mos u dorëzoni!! Mos u dorëzoni kurrë!!!
Mos na duhet të presim ende të dalin në Shqipëri personalitete të fuqishme shtet-ndërtuesish, të tillë si Xhorxh Uashington, Lincoln, Wilson, Roosvelt etj.?
Jo, jo, jo dhe jo, ok?! Shqiptarët, gjatë holokaustit nuk kishin udhëheqës, nuk kishin as një Xhorxh Uashington dhe bënë gjënë e duhur. Fillimi i rrëzimit të regjimit komunist në Shqipëri sërish nuk kishte një lider të tillë. Ata që e bënë ishin individë, studentë, mësues dhe shqiptarë të zakonshëm që nisën lëvizjen për të rrëzuar komunizmin. Jo, mos prisni! Ashtu siç tha Nënë Tereza, “bëj atë që mundesh, por bëj gjithçka që ti mundesh”. Një tjetër gjë që do të thosha në fund të kësaj interviste, është të gjesh mënyra për të ecur përpara së bashku. Të gjesh mënyra për të bërë gjënë e duhur të bashkuar. Në vitin 1899, Sami Frashëri shkroi një libër që ju duhet ta njihni me siguri, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”. Lërmëni t’ju lexoj fjalët e fundit në atë libër. Mendoni ka qenë viti 1899 dhe është shkruar sikur të ketë folur për vitin 2015. Ja çfarë thotë: “Ky është qëllimi ynë! Ja puna jonë e shenjtëruarë! Ja besa jonë! Në mes të shqiptarëve të vërtetë s’ka ndonjë ndarje, ndonjë çarje, ndonjë ndryshim! Janë të tërë vëllezër, të gjithë një trup, një mendje, një qëllim një besë! Bashkohuni nën një betim, me një qëllim të përbashkët. Aty është shpëtimi”. Ka qenë Sami Frashëri, i cili e ka shkruar këtë mesazh, ndërsa unë jam ai që mund ta përsëris. Mund ta përsëris këtë mesazh e t’i nxis shqiptarët ta lexojnë.