Këtë javë në futbollin shqiptar u rikthye në skenë dhuna ndaj arbitrave.
Viktima ka rënë arbitri i kolegjiumit të Fierit, Alvi Paço.
Ky i fundit ishte ngarkuar të drejtojë ndeshjen derbi Përmeti-Këlcyra, ndërsa pas një 11-metërshi të akorduar për vendasit është sulmuar dhe dhunuar në grup nga lojtarët e Këlcyrës.
Gjyqtari Alvi Paco nga Fieri për shkak të akordimit të një penalltie në favor të skuadrës së Përmetit në minutën e 82 (kur rezultati ishte 0-0) është dhunuar duke u goditur me shqelma dhe grushte nga lojtarët dhe stafi drejtues i ekipit të Këlcyrës.
Miqtë akuzuan arbitrin se kishte marrë ryshfet për t’i dhënë fitoren ekipit të Përmetit në minutat e fundit.
Gjyqtari ka disa hematoma në fytyrë dhe në pjesë të tjera të trupit nga dhuna fizike që ushtruan lojtarët e Këlcyrës.
Pas ndeshjes gjyqtari Alvi Paço ka denoncuar në polici rastin, ndërsa janë shoqëruar trajneri i Këlcyrës dhe 5 lojtarë për dhunën.
Trajneri i Këlcyrës, Robert Spahiu, në një prononcim për “Report Tv” është shprehur se gjyqtari i ka denoncuar për të mbyllur ryshfetin që ka marrë për të përcaktuar ndeshjen. “Gjyqtari i takimit ka marrë ryshfet dhe për ta mbuluar ka bërë denoncimin në polici.
Me djersën tonë ai nuk tallet dot”, ka deklaruar Spahiu.
Aktualisht lojtarët dhe trajneri po mbahen në komisariat deri në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Atje ndodhet edhe vëzhguesi i FSHF-së. Ndërkohë që deri tani nuk ka asnjë reagimin zyrtar nga Federata Shqiptare e Futbollit për të dënuar atë që ndodhi sot në qytetin e Përmetit.