Gjykata e posaçme e Apelit urdhëroi hapjen e dosjes ndaj ish- ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, emri i të cilit lidhet me shpërthimin tragjik të Gërdecit, por që për shkaqe proceduriale të imunitetit ai shpëtoi pa u gjykuar prej vitit 2009.
Ishte gjyqtarja e posaçme e Apelit Saida Dollani që hodhi poshtë një vendim të pak javëve më parë të një gjykatësi të shkallës së parë të posaçme.
Një vendim i tillë do të thotë se SPAK është i lirë të ngrejë akuzë mbi aktet që gjenden prej 2009, atëherë kur fashikulli u dorëzua në Gjykatën e Lartë dhe ku Mediu në cilësinë e ish ministrit të Mbrojtjes nuk u gjykua pasi fitoi imunitet nga zgjedhjet e 2009.
Në dosjen e Gërdecit ku humbën jetën 26 persona, u plagosën rëndë 27 dhe 109 të tjerë u plagosën lehtë dhe ku shtetit iu shkaktua një dëm në vlerë 2.243.843.616 lekë, u hetuan një sërë ushtarakësh dhe pronarë të Albademil të shpallur më pas fajtorë.
Por Mediu, në cilësinë e ish ministrit, megjithëse u akuzua për shpërdorim detyre në bashkëpunim me subjektet ushtarake si Agim Lala, Ndue Marku, Ardian Mullai, Zija Bahja, Luan Hoxha, Zenun Fero, Hysni Cocka, Lavdi Shatro, Jorgo Mino, Fiqiret Mato, Armand Tartari, Fatbardh Kuci, Shpetim Spahiu, Adriatik Mema, Rezart Tershana, Denis Hajdari, Gëzim Hoshafi, Besnik Dauti, Agim Babameto, Fahri Toska, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, nuk pati asnjë penalitet.
Megjithëse gjatë hetimeve Prokurori i Përgjithshëm i kërkoi Kuvendit autorizimin për procedim penal ndaj shtetasit Fatmir Mediu, i cili në atë kohë ushtronte funksionin e Ministrit të Mbrojtjes dhe njëherazi edhe deputet në legjislaturën e XVII të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Kuvendi lëshoi autorizimin, fati i zyrtarit të lartë u vulos në Gjykatën e Lartë .
I dorëzuar mes 31 të pandehurve në këtë gjykatë çështja u copëzua dhe në 22 maj Gjykata e Lartë shpalli mos kompetencën për 30 të tjerët duke e lënë ish ministrin vetëm në gjykatën supreme e cila pushoi gjykimin për shkak të zgjedhjeve parlamentare.
Shkresat disponon tregojnë se si në vazhdim familjarët e viktimave të Gërdecit nuk u dorëzuan. Hapi i parë u hodh në 2011.
“Shoqata e Familjarëve të viktimave të Shpërthimit Gërdecit, pas refuzimit të kërkesës nga organi i akuzës (Prokuroria e Përgjithshme) që të niste edhe një herë procedimin ndaj shtetasit Fatmir Mediu i është drejtuar Gjykatës së Lartë duke kërkuar: “Dhënien e informacionit dhe procedimin e fajtorit”. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vendimin nr. 9, dt. 13.06.2011 ka vendosur: “Rrëzimin e kërkesës së bërë nga Shoqata e Familjarëve të Viktimave Shpërthimit të Gërdecit, sit ë pa bazuar në prova dhe në ligj”. Në këtë vendim Gjykata e Lartë ndër të tjera ka arsyetuar: “… Gjykata e Lartë ka vendosur pushimin e procedimit penal në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu, për shkak të mungesës së autorizimit për procedim, të cilin ajo është kompetente ta kërkojë vetëm në rastin e veprave penale të parashikuara nga neni 59 i K.Pr.Penale, për të cilat lejohet ankimi i drejtpërdrejtë në gjykatë.
Për veprat e tjera penale, autorizimi për procedim mund të kërkohet vetëm nga prokurori, i cili sipas nenit 292 të K.Pr.Penale nuk ka asnjë pengesë ligjore për ushtrimin e ndjekjes penale për të njëjtin fakt dhe të njëjtin person, nëse i jepet autorizimi nga organi kompetent, ose në momentin që zhduket kushti personal-që e bën të domosdoshëm autorizimin” (bie imuniteti për shkak të mos qenit më deputet), mund të rifillojë përsëri ndjekjen penale. Duke arsyetuar si më sipër, Kolegji Penal arrin në përfundimin që kërkesa e paraqitur nga Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Shpërthimit të Gërdecit është e pa bazuar në prova dhe në ligj, prandaj si e tillë ajo duhet të rrëzohet”.
Në përpjekjet e mëtejshme, SPAK ju drejtuan gjatë 2021 familjarët e fëmijës Erison Durda që u vra në fshatin e tij të lindjes. Kërkesa e tyre kishte të bënte konkretisht me hapjen e Gërdecit
Në dosje thuhet “ Në datën 26.02.2021 shtetasit Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj (në cilësinë e trashëgimtarëve të viktimës E.D i cili ka humbur jetën në moshën 7 vjeçare në ngjarjen e dt. 15.03.2008 në Gërdec) i janë drejtuar Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me një kërkesë e cila rezulton që të jetë protokolluar me nr. 175 prot..
Me anën e kësaj kërkese shtetasit Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj i kërkojnë organit të akuzës që të vijojë me ushtrimin e ndjekjes penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu pasi tashmë nuk ekziston më pengesa ligjore që konstatoi Gjykata e Lartë (mungesa e autorizimit për procedim).Në bazë të kësaj kërkese të trashëgimtarëve të viktimës, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i është drejtuar Gjykatës së Lartë me kërkesën penale objekt gjykimi ku ka kërkuar: “Revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale në ngarkim të shtetasit Fatmir Mediu, e pushuar me vendimin nr. 6, dt. 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë”.”
Por Gjykata e Lartë shpalli mos kompetencën në 1 qershor 2021 duke kujtuar se nuk e ka ajo kompetencën lëndore për shqyrtimin e kërkesës penale të SPAK por një gjykatë e posaçme
Çfarë kërkon SPAK?
Është e qartë se SPAK do synojnë ngritjen e akuzës ndaj ish ministrit të Mbrojtjes dhe dorëzimin e tij në gjykatën e posaçme si të pandehur. Kjo do të ndodhe menjëherë mbas vendimit të kësaj të premteje, edhe pse avokatët mbrojtës të Mediut pritet të bëjnë rekurs në Gjykatën e Lartë me pretendimin se nuk ka shkaqe për hapjen e dosjes së pushuar. Po ashtu lëvizja tjetër e avokatëve do të jetë pretendimi se çështja është parashkruar dhe se nuk mund të ngrihet akuzë tej 10 viteve.
Megjithatë SPAK thotë në kërkesën e vet: Në rastin e vendimit për pushimin e çështjes penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu, pas vendimit të pushimit të çështjes me nr.6, datë 14.09.2009, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, kanë ndodhur ndryshime të statusit juridik të deputetit, ndryshime kushtetuese dhe ligjore të shtrirjes së imunitetit parlamentar ndaj procesit penal, rrethana të cilat arrijnë të përbëjnë të dhëna të reja në kuptim të nenit 329/c të K.Pr.Penale. …
Heqja e pengesës së “autorizimit për proçedim” si kusht paraprak për të proceduar me ushtrimin e ndjekjes penale ndaj deputetit, që ka qenë e parashikuar në nenin 73, paragrafi (2) i Kushtetutës në kohën e marrjes së vendimit nr. 6, datë 14.09.2009, nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë është një rrethanë e re që nuk ka ekzistuar në kohën e marrjes së vendimit penal të mësipërm.
Mungesa e autorizimit për procedim, ku është bazuar vendimi i pushimit i dhënë nga Gjykata e Lartë, edhe sipas ligjit të kohës ka qenë kusht pengues i përkohshëm, pasi nëse jepej autorizimi apo nëse zhdukej kushti personal për të cilin jepej autorizimi, ndjekja penale mundej të vazhdonte. Kështu, që në kuptim të ligjit procedural penal, kërkesa për revokimin e vendimit të pushimit, nuk sjell asnjë situatë të re, të paparashikuar nga dhe që buron nga një ligj i mëvonshëm, për vendimin e pushimit të çështjes penale.
Në ligjin e kohës, në nenin 292 të K.Pr.Penale, parashikohej mundësia e rifillimit të ndjekjes penale. Në ligjin aktual, në nenin 329/c të K.Pr.Penale, parashikohet mundësia e revokimit të vendimit të pushimit”./Si
/m.j