Tensionet janë në rritje në Bosnje dhe Hercegovinë për shkak të rezultateve të regjistrimit të parë të popullsisë prejse ka përfunduar lufta në këtë shtet. Këto të dhëna thonë se tani boshnjakët myslimanë përbëjnë shumicën e qartë në popullatën e këtij shteti.
Në përgjithësi, Bosnja dhe Hercegovina ka humbur një të pestën e popullatës gjatë 25 vjetëve të fundit, sipas të dhënave të publikuara mbi regjistrimin, që në fakt është kryer qysh në vitin 2013. Menjëherë pasi Agjencia e Statistikave të këtij shteti ka publikuar të dhënat, Republika Serbe e Bosnjës ka thënë se refuzon të njohë regjistrimin si valid, transmeton REL.
Publikimi i këtyre të dhënave është shtyrë për tri vjet, pasi përfaqësuesit politik që i përkasin etnive të ndryshme nuk janë pajtuar me metodologjinë.
Sipas këtyre të dhënave, shteti ka 50.1 % popullatë që vetën e quajnë boshnjakë myslimanë.
Ky grup ka shënuar rritje, pasi në vitin 1991, kur Bosnja dhe Hercegovina për herë të fundit kishte realizuar regjistrim të popullsisë, vetëm 43.5 % ishin deklaruar si boshnjakë myslimanë. Shumë shpejtë pas regjistrimit të popullsisë në vitin 1991, Bosnja dhe Hercegovina u përfshi nga lufta e cila zgjati nga viti 1992 -1995, gjatë së cilës u vranë 100 mijë njerëz dhe 2 milionë të tjerë nga grupe të ndryshme etnike u zhvendosën.
Regjistrimi i vitit 2013 tregon se popullata e këtij shteti tani ka 30.8 % serbë, numër më i vogël ky prej vitit 1991, kur atëbotë në Bosnje dhe Hercegovinë 31.2 % e popullatës ishin serbë. Edhe grupi i kroatëve ka shënuar rënie, pasi në vitin 1991, 17.4 % e popullatës së Bosnjës i përkisnin këtij grupi etnik, derisa në regjistrimin e vitit 2013 kanë dalë 15.4 % kroatë.
Në përgjithësi, popullsia e tërë Bosnje Hercegovinës prej vitit 1991 ka shënuar rënie prej rreth 20 %, duke pasur tani pak më shumë se 3.5 milionë.
Rezultatet shihen tej mase nga prizmi politik, pasi ngjarjet e luftës vazhdojnë të jetë të freskëta, ndërsa marrëveshja e Dejtonit në nëntor të vitit 1995, e cila i dha fund luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, ndarjen e pushtetit e ka bërë në mes të tri grupeve etnike.
Disa analistë presin që këto të dhëna tani të ringjallin përpjekjet e partive boshnjake që të kërkojnë më shumë pushtet në çështjet e shtetit.
“Pa kaluar 50 përqindëshin nënkupton se pushteti duhet ndarë në tri pjesë të barabarta. Kur një grup etnik përbënë më shumë se 50 % të popullatës, atëherë shteti do të jetë ndryshe. Atëherë do të kemi një shtet boshnjak , pra Bosnja dhe Hercegovina me dy minoritete në të”, thotë Zlatko Dizdareviç, gazetar i pavarur në Sarajevë.
Duke refuzuar njohjen e këtyre të dhënave, zyrtarët e Republikës Serbe kanë sinjalizuar se ata nuk pranojnë ndryshime në mënyrën se si ndahet pushteti momentalisht në Bosnje dhe Hercegovinë.
Bile edhe vet zyra e entitetit serb, e cila e ka për detyrë të bashkëpunojë me agjencinë shtetërore të statistikave, nuk i ka publikuar rezultatet brenda Republikës Serbe, pasi ka thënë se regjistrimi ka numëruar edhe njerëz që janë larguar nga vendi gjatë luftës dhe tani jetojnë diku tjetër.
Autoriteti shtetëror i regjistrimit të popullsisë, kur ka publikuar rezultatet më 30 qershor, ka thënë se ata kanë përfshirë edhe 196 mijë njerëz që jetojnë jashtë shtetit, por që kanë ende prona në Bosnje.
Republika Serbe ka kërkuar përjashtimin nga ky regjistrim të të gjithë atyre që punojnë apo studiojnë jashtë shtetit, duke u mbështetur në shqetësimin që e kanë pasur se shumica e atyre që jetojnë jashtë janë boshnjakë dhe kroatë, të larguar gjatë luftës.
Përfshirja e një numri të madh të boshnjakëve myslimanë dhe kroatë në kuadër të popullatës që jeton në Republikën Serbe mund të dobësojë pushtetin e partive serbe në atë rajon, me gjithë faktin se sipas regjistrimit të ri, gati 16.5 % e popullatës në Republikën Serbe nuk janë serbë.
Zyrtarët kryesorë shtetëror në Republikën Serbe ende nuk janë deklaruar se çfarë do të jetë përgjigja e tyre drejt të dhënave të regjistrimit të popullatës, por politikanë të kësaj zone thonë se qeveria e Republikës Serbe do vazhdojë ta konsiderojë jo valid regjistrimin derisa aty të jenë të përfshirë edhe boshnjakët që jetojnë jashtë vendit.
“Rezultati (i regjistrimit) nuk do të aplikohet në Republikën Serbe, pasi kështu është vendimi i parlamentit të Republikës Serbe. Do të ketë pasoja të tjera, gjithashtu. Përfaqësuesit serbë në agjencinë (kombëtare) të statistikave të Bosnje dhe Hercegovinës do të tërhiqen nga pozitat e tyre”, ka thënë Dragan Caviç, udhëheqësi i Partisë Nacional Demokratike.
Këto të dhëna të reja për popullatën mund të nxisin telashet rreth ndarjes së pushtetit, sepse marrëveshja e Dejtonit ishte arritur duke u mbështetur në të dhënat e regjistrimit të bërë në vitin 1991. Kjo marrëveshje, megjithatë, nuk e thotë se çfarë duhet bërë kur të kryhet regjistrimi i ri i popullatës. Marrëveshja ka pasur qëllim thjeshtë të vendos Bosnjën në rrugën e stabilitetit.
Momentalisht, qeveria e Republikës Serbe ka 16 ministri, tetë prej të cilave udhëhiqen nga serbët, pesë nga boshnjakët dhe tre nga kroatët etnikë. Entiteti tjetër, Federata e Bosnje Hercegovinës, që dominohet nga boshnjakët dhe kroatët, gjithashtu ka 16 ministri, por tetë udhëhiqen nga boshnjakët, pesë nga kroatët dhe tre nga serbët.
Regjistrimi kësaj radhe tregon edhe ndryshimin e boshnjakëve ndaj fesë.
Para luftës, myslimanët e Bosnjës e konsideronin vetën kryesisht jo besimtar, ndërsa sondazhet kryesisht tregonin se jo më shumë se 5 % e të anketuarve e tregonin fenë e tyre, islamin.
Megjithatë, regjistrimi i ri tregon se numri i njerëzve që e definojnë vetën si boshnjakë është pothuajse i njëjtë me numrin e atyre që e tregojnë përcaktimin e tyre fetar, Islamin. Diferenca është vetëm një përqind.
Ngjashëm qëndron puna edhe me serbët dhe zbulimin e përcaktimit të tyre fetar, ortodoksinë, si dhe kroatët, të cilët në masë të madhe e kanë treguar përcaktimin e tyre fetar, katolicizmin.
Publikimi i të dhënave të regjistrimit është bërë pas presioneve të mëdha nga Bashkimi Evropian që thotë se zbulimi i këtyre të dhënave është esencial për mundësinë që Bosnja të përfitojë fondet shumë të nevojshme nga Brukseli.
Mirëpo, shumë njerëz besojnë se këto të dhëna vetëm sa do të thellojnë ndasitë në mes të grupeve rivale që mezi bashkëpunojnë me njëra tjetrën, referon Koha. (b.an)