Rezultatet e dobëta në zgjedhjet në Kosovë, Bajrami ofron dorëheqje dhe kërkon largimin e Abdixhikut nga kreu i LDK-së
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, konfirmoi se ka ofruar dorëheqje të parevokueshme nga ky post gjatë mbledhjes partiake të mbajtur një ditë më parë, si dhe ka kërkuar po të njëjtën nga kreu i partisë, Lumir Abdixhiku, për shkak të rezultatit zgjedhor.
Bajrami tha se kush merr “rezultate të rënda zgjedhore për LDK-në”, duhet të marrë përgjegjësi dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve të rbenddshme partiake.
“Pas rezultateve të 28 dhjetorit, lidershipi dhe organet e partisë kanë humbur legjitimitetin prandaj duhet zgjedhje të brendshme. Zgjedhjet e brendshme në LDK janë të domosdoshme dhe nga situata ku gjendemi nuk na shpëton asnjë proces tjetër”, shkroi Bajrami.
Abdixhiku, menjëherë pas publikimit të rezultateve preliminare më 28 dhjetor, tha se merr përgjegjësinë për rezultatin zgjedhor, duke paralajmëruar edhe dorëheqjen nga drejtimi i partisë.
LDK-ja ka shënuar rezultat të dobët në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, dhe krahasuar me zgjedhjet e rregullta të mbajtura më 9 shkurt të vitit të kaluar.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, LDK-ja kishte marrë 171.357 vota, ndërsa në zgjedhjet e dhjetorit, sipas rezultateve preliminare, ajo ka fituar 126.102 vota, duke u renditur si fuqia e tretë politike në Kosovë.
Bajrami në zgjedhjet e fundit ishte e dyta në listën e LDK-së, pas kryetarit Abdixhiku, i cili e udhëheq këtë parti që nga viti 2021. Po ashtu, ajo është gruaja më e votuar për deputete në LDK.
Zgjedhjet e 28 dhjetorit i ka fituar Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit me mbi 51 për qind të votave, ndërkaq subjekti i dytë ka dalë Partia Demokratike e Kosovës./ REL











