Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, pas verifikimeve të kryera në disa qarqe.
Rinumërimi nga ana e KQZ, ka zbuluar vjedhje votash brenda llojit në tre partitë kryesore, PS, PD dhe LSI, sa i takon votës preferenciale për kandidatët.
Numëruesit kanë manipuluar vota, duke ia hequr një kandidati dhe shtuar një kandidati tjetër brenda të njëjtës parti.
Në zgjedhjet e 25 prillit, më i votuari nga radhët e socialistëve në Tiranë rezultoi Fatmir Xhafaj me 16738 vota, pas tij, më i votuari në radhët e PS-së rezultoi Ornaldo Rakipi me 15697 vota, në vend të tretë Belinda Balluku me 15,361, e ndjekur nga Etjen Xhafaj me 12,782 vota.
Ky rezultat solli edhe debate brenda PS. Kandidatët që dështuan të merrnin vota duke mos arritur që të fitonin votat e duhura për mandatin e deputetit, kritikuan fituesit se u kishin marrë vota.
Por nga procesi i rinumërimit të tyre që po bën KQZ me 10 përqind të kutive të votimit, kanë dalë edhe kandidatët më të dëmtuar.
Nga një vëzhgim i listës së publikuar, rezulton se Fatmir Xhafaj është sërish personi më i “vjedhur” në zgjedhje brenda PS, ku nga kutitë e numëruara deri më tani nga kampioni prej 10 % të kutive të Tiranës, atij i kanë marrë 55 vota, i ndjekur nga Belinda Balluku dhe Xhemal Qefalija që gjithashtu rezultojnë me minus.
Nisur nga trendi, ky numër pritet që të shkojë mbi 100 vota për 10 përqind të kutive të rinumëruara. Nëse do të llogaritet ky marzh gabimi për gjithë kutitë që kanë qenë në zgjedhjet e 25 prillit, rezulton se deputetit socialist i kanë marrë rreth 1 mijë vota në Tiranë.
Nëse rinumërimi do të kishte vlerë dhe do të ndikonte në rezultat, në përfundim të këtij procesi kandidati i listuar si i 23-ti nuk do të kishte rreth 17 mijë vota, por 18 mijë të tilla.
Ndërkohë, kandidatja Belinda Balluku rezulton me -30 vota dhe kandidati Qefalia me -15 vota që gjithashtu në një rinumërim total do të kishin mundësi për një rritje të ndjeshme të hambarit të votave.
Nga ana tjetër, në Tiranë, numëruesit i kanë hequr Sali Berishës 21 vota, ndërsa Lulzim Bashës i kanë shtuar 13 vota.
Po ashtu, kandidatit të PD-së Asllan Dogjani i kanë hequr 53 vota, Petrit Dodës 54 vota, ndërsa Lediana Fratarit i kanë shtuar 49 vota si dhe Ornela Nebijajt i kanë shtuar 30 vota.
Belind Këlliçit i janë shtuar 25 vota, ndërsa Alfred Rushajt i janë vjedhur 16 vota.
/a.r