Nga Eduard Zaloshnja
Këtë fundjavë PD-ja do të mbledhë Këshillin Kombëtar, për të zgjedhur organet drejtuese të saj. Pas dy humbjesh të rënda nën drejtimin e Lulzim Bashës, ekipi i ri drejtues rreth tij do të ketë detyrën e vështirë të tërheqë elektoratin e humbur në vitet e fundit, me shpresën për të arritur një rezultat më të mirë pas 5 muajsh, në zgjedhjet lokale. Le ta analizojmë me shifra se sa e vështirë do të jetë kjo detyrë për Bashën dhe ekipin e tij të ri.
Në dy dekadat e fundit, partitë e vetëquajtura të djathta e arritën rekordin e tyre elektoral në zgjedhjet e 2009-ës, ku morën pothuaj 750 mijë vota. Ndërsa partitë e vetëquajtura të majta e arritën rekordin e tyre në zgjedhjet e 2013-ës, ku morën pothuaj 1 milion vota.
Pas vitit 2013, zhvillova një sondazh për fondacionin gjerman Konrad Adenhauer, për të përcaktuar se sa banorë të rritur të Shqipërisë janë nga familje që u persekutuan nga regjimi komunist për arsye politike apo pronësie. Dhe nga ekstrapolimi i atij sondazhi më rezultoi se rreth 800 mijë banorë të rritur të Shqipërisë i përkisnin kësaj kategorie. Çereku i tyre rridhnin nga familje komuniste, që eventualisht, ishin persekutuar nga Enver Hoxha, si p.sh. familja e Mehmet Shehut, Todi Lubonjës, Kiço Ngjelës, Beqir Ballukut e mijëra të tjera.
(Shënim: Familjet e përmendura këtu janë marrë vetëm si shembuj të njohur publikë, por nuk kanë rastisur të jenë pjesë e kampionit të sondazhit tim.)
Nga sondazhi i mësipërm, rezultonte se, në zgjedhjet e 2013-ës, gjysma e 800 mijë votuesve me prejardhje nga familjet e persekutuara kishin votuar për partitë e vetëquajtura të djathta, çereku nuk kishte votuar fare dhe çereku tjetër kishte votuar për partitë e vetëquajtura të majta. Pra qysh në 2013-ën, partitë e vetëquajtura të djathta kishin krijuar një deficit prej të paktën 200 mijë votash në elektoratin e tyre natyral të djathtë (pra, çereku i 800-mijëshit të votuesve nga familje të persekutuara, që nuk votoi fare atëherë).
Në zgjedhjet e 2017-ës, deficiti elektoral i partive të vetëquajtura të djathta u bë gjigant – ato zbritën nga kuota e 680 mijë votave të 2013-ës, në kuotën e 460 mijë votave të 2017-ës (shihni grafikun shoqërues). Pas zgjedhjeve të 2017-ës, nuk kam zhvilluar ndonjë sondazh të ngjashëm me atë që zhvillova para katër vjetësh për fondacionin gjerman Konrad Adenauer, por kam zhvilluar para pak muajsh një sondazh për një revistë anglisht këtu në Tiranë, nga i cili mund të ekstrapolohet tërthorazi se sa është aktualisht rezervuari potencial i votave të djathta në Shqipëri.
Në këtë sondazh të para pak muajve, pyeta për opinionin që kanë banorët e rritur të Shqipërisë për figurat kryesore politike (kryeministër, ish-kryeministër, president, ish-president, kryeparlamentar, ish-kryeparlamentar, etj). Dhe nga ekstrapolimi i këtij sondazhi, më rezultoi se rreth 635 mijë votues me banim në Shqipëri kanë opinion pozitiv për ish-kryeministrin Berisha, ndërsa rreth 640 mijë kanë opinion pozitiv për ish-kryeparlamentaren Topalli.
Meqenëse këta të dy janë figurat më të spikatura historike të partive të vetëquajtura të djathta (njëri ka qenë 22 vjet kryetar i PD-së e tjetra 16 vjet nënkryetare e PD-së, partisë më të madhe të vetëquajtur të djathtë), opinioni pozitiv ndaj tyre mund të shërbejë si një letër lakmusi për ata votues që kanë prirje të votojnë për parti të vetëquajtura të djathta. Prandaj ndërtova një algoritëm të thjeshtë, që ekstrapolonte me afërsi se sa votues me banim në Shqipëri kanë opinion pozitiv ose për Berishën, ose për Topallin, ose për të dy. Dhe rezultati ishte se rreth 950 mijë të tillë futen në këtë kategori (shihni tabelën shoqëruese). Ndërsa për Lulzim Bashën kanë opinion pozitiv vetëm 360 mijë votues me banim në Shqipëri (nga 460 mijë që votuan në 2017-ën për partitë e vetëquajtura të djathta).
Siç shihet, deficiti mes votave të partitive të vetëquajtura të djathta në zgjedhjet e fundit dhe rezervuarit potencial të votave të djathta është pothuaj gjysmë milioni (950,000 – 460,000). Dhe kjo mund të shpjegohet me faktin se udhëheqësi zyrtar i së djathtës (Basha) ka kuotë edhe më të ulët se kuota e ulët e regjistruar nga partitë e vetëquajtura të djathta (vetëm 360 mijë votues me banim në Shqipëri kanë opinion pozitiv për Bashën).
Pikërisht për këtë arsye, në qoftë se partitë e vetëquajtura të djathta duan ta marrin një ditë pa paterica apo pa pazare pushtetin, duhet ose të zgjedhin një udhëheqës tjetër (të përkrahur fuqimisht si nga Berisha, edhe Topalli), ose ta shtrëngojnë Bashën të bëhet një udhëheqës i besueshëm edhe për ata 500 mijë votues të djathtë, që nuk morën pjesë në zgjedhjet e 2017-ës…
/afp.al