Kjo e premte i ka gjetur qytetarët e Durrësit përsëri nën ujë. Siç ndodh shpesh herë kur bie shi në qytetin bregdetar, edhe mëngjesin e kësaj të premteje rrugët janë mbushur me ujë ndërsa qytetarët kanë hasur vështirësi me qarkullimin.
Zonat ku janë hasur probleme me qarkullimin janë rrugët tek stadiumi “Niko Dovana”, shëtitorja “Taulantja”, zona e plazhit dhe zona e ish-Kënetës. Vështirësi kanë hasur edhe nxënësit ndërsa shkonin për në shkolla.
Gazetarja Enlekeda Arapi në një raportim live për Klan News nga Porti i Durrësit tha se janë hasur vështirësi sa i takon sektorit të ngarkim-shkarkimit të mallrave, ndërsa probleme ka patur edhe me lundrimin e mjeteve të tonazhit të ulët apo dhe anijeve të peshkimit, të cilat janë ndaluar të dalin në det të hapur nga autoritetet portuale.
Ndërsa kapitenët e anijeve të tjera janë paralajmëruar të tregohen të kujdesshëm. Tragetet nuk kanë pasur probleme gjatë mëngjesit të sotëm të cilat kanë mbërritur në orar.











