Kur sot filmon një ndërtesë me çarje, nuk bën ndonjë zbulim të madh. Të tilla ka me qindra, për fat të keq, në rrethet e Durrësit, Lezhës, Krujës, Kurbinit apo Tiranës, veçse një pallat me dy kate të nëndheshme në dritë të diellit, kjo është vërtet diçka tronditëse.
I tillë ky tek lagjja më lindore e kryeqytetit, e quajtur “Tek Fresku”, pranë zonës së Thesarit të Shtetit. I ndërtuar në shtratin e një përroi të devijuar, që sillte ujërat e Dajtit, e përjetoi kështu tërmetin e 26 nëntorit.
Kur mbërritëm aty, banorët po debatonin me vëllanë e ndërtuesit. Ky i fundit thoshte se kolonat e struktura ishte shumë në rregull, por njëri nga qytetarët, i quajtur Fatbardh Haka, i quan parregullsi të mëdha.
Debati ishte i ashpër, por për fat të keq, nga vetëm pak prej qindra banorëve, të cilët ose janë larguar, ose kanë frikë të flasin.
Dëmtimet në ndërtesë janë të mëdha, dhe me Bardhin nisemi për t’i parë nga afër. Bardhi thotë se pallati është ndërtuar aty ku ka qenë kolektori.
Më pas tregon dëmtime në katin e parë nëntokë, një pjesë e pallatit që nuk mbështetet mbi kolona, por që vetë bizneset aty kanë vendosur kolona hekuri.
Banore e pallatit, pronare e tokës, është një qytetare e quajtur Hanza Deliu. Ajo tregon se pallati është i papërfunduar, sipas saj pronari i pallatit nuk ka marrë asnjë masë për përfundimin e ndërtimeve.
“Pronari, Rrok Gjoka ka lënë pallatin të papërfunduar, kolonat e pallatit janë të pambuluara, gati të shemben të gjitha, brezi përfundimtar i pallatit është në ajër, nuk është si gjithë të tjerët”, shprehet Deliu.
A ka pasur interesim nga pushteti, dhe çfarë do të bëjnë banorët? “Të gjithë si banorë i jemi drejtuar Bashkisë me shkresë me dokumente, por deri tani asnjë përgjigje. Do e çojmë në Prokuroi sepse nuk po marrim asnjë përgjigje”, tha ajo. Fatbardhi sqaron sesa kohë kanë këto probleme.
“Pa përfunduar mirë punimet i kemi marrë hipotekat, shumë qartë mund të shohim se dy katet e nëndheshme nuk janë mbuluar siç i kemi parë në projekt”, tregon Fatbardhi. Aty ndodhet edhe një grua që nuk është banore, por që ka aty njerëzit e saj.
Nuk banoj në atë pallat, por jetonin të afërmit që tashmë kanë frikë të futen në shtëpi. E kanë blerë 44 milionë dhe tashmë janë strehuar në shtëpinë time. Duan siguri, të jetojmë aty apo jo”, tha ajo.
Futemi në pallat me Bardhin. Hyjmë në një apartament, ku dëmtimet duken qartë.
Banori largon suvanë me dorë, punime shumë të dobëta. “Kemi shpenzuar paratë e jetës në emigrim, ku do të shkojmë tani, jemi rrugëve”. tha ai.
Në ndërtesë vijnë dy punonjës policie, që fotografojnë dëmet, dhe foto do t’i jepen autoriteteve kompetente. Është dita e katërt pas tërmetit.
Pak më poshtë Freskut, tek Rruga Myslym Keta, është një kompleks pallatesh të nxjerrë të pabanueshëm. Janë ndërtuar në 1989, në periudhën më të keqe të sistemit të kaluar, kur vjedhjet e materialit të ndërtimit ishin sheshit.
Vendimi i bashkisë dhe i Institutit të Ndërtimit është kategorik.
Një nga banoret e pallatit, nuk dëshiron të dalë nga shtëpia. Çfarë ka ndodhur në këtë pallat?
“Ku do ti çoj materialet me vlerë, të më garantojnë që më mbron shtëpinë 30 vjeçare, por jo të më nxirren jashtë, shtëpi tjetër dua nëse kjo është e pabanueshme”, thotë ajo.
Dëmtime jashtë. Edhe këtu hyjmë në një shtëpi.
Banori i saj na tregon dëmet, ndërsa e pyesim se ku do të shkojnë. “Ku të na çojnë ato, ne nuk kemi dalë, do rrimë të vdesim këtu, deri tani asnjë nuk ka ardhur të analizojë situatën”, tha ai.
Dëmtimet nuk duken tepër të mëdha, të paktën me sy të lirë, por specialistët thonë ndryshe. Halli është i mprehtë pasi flitet për qindra familje që mbeten pa strehë, që duhet të lenë shtëpitë pas 30 vjetësh. Nga kthesa e Tufinës, ja ku jemi tek ish-konviktet e shkollës së Komunales në Allias.
Këtu gjendja duket që është katastrofike. Ndërtesa të vjetra, pa breza betoni antisizmikë, dëmtime të mëdha. Hyjmë në ndërtesë nën shoqërinë e një banori, të quajtur Renato. Është vështirë të mendosh se këto mund të quhen ambiente banimi.
“Shyqyr zotit nuk ka pasur njëri në banjo në momentin e tërmetit, gjithë këto betone do të shkaktonin pasoja të rënda”, shprehet ai.
Renato ka 30 vjet këtu, dhe pavarësisht gjithçkaje është i detyruar të mbajë fort këtë të ashtuquajtur apartament, pa dyer e dritare.
Ai thotë se nuk mund të largohet nga banesa. “Nuk dimë ku të shkojmë, na presim vetëm rruga, çadrat, nuk kam asnjë garanci rikthimi. Nuk largohem nga këtu, kam punën këtu, shkollën e fëmijëve, nuk mund të zhvendosem në vendet ku na thonë”, tha ai.
Ka edhe më shumë se kaq. Duhet të kalojmë nga dritarja për në në tarracën e jashtme.
Pamje të frikshme, ndërsa autoritetet nuk duket se u ka rënë ndonjëherë rruga këtej. Një dru fiku ka mbirë dhe është rritur aty, padyshim rrënjët e tij kanë dëmtuar muret. Banorët e mbetur aty, hyjnë e dalin nëpër godina, ndërsa qendrojnë të mbledhur në sheshin para tyre.
Hyjmë brenda sërish, dhe takojmë babain e Renatos, Bertin i cili thotë se ka qënë i internuar. “Kam qënë i internuar, babai më ka vdekur në internim dhe sërish këtu na sollën, në internim”, tregon ai i revoltuar.
Bertit i ka ardhur deri në fyt me partitë që duken veç për zgjedhje, teksa thotë se kujtohen vetëm për zgjedhje. “Na dërgojnë disa ushqime, 1 kg oriz, sheqer, makarona dhe rroftë Partia e Punës, rroftë Xhaxhi Enver thonë këto, jemi në internim, këta janë zero”, thotë ai. Nëse këtu nuk bëhet diçka, tragjedia e Durrësit apo Thumanës mund të jetë në kryeqytet.
Në skajin tjetër të Tiranës, në Rrugën e Elbasanit, ndodhet Fakulteti Ekonomik. Këtu nuk mund të takoje studentë apo pedagogë, pasi është ditë pushimi, plus që shkollat janë mbyllur. Ekonomiku është kthyer në kantier ndërtimi, për rregullimin e dëmeve të tërmetit të shtatorit, ndërsa ky i nëntorit krijoi të tjera.
Ndërsa udhëtojmë nëpër Unazën e Madhe, drejtohemi për në Kombinat.
Ndërtimet vazhdojnë dhe për fat aty nuk është krijuar rrezik. Ja edhe zona më e rrezikuar e këtyre ditëve në qytetin tonë më të madh.
Pallati 160 në Kombinat, por edhe të tjerë. Disa banorë janë në çadrën e vetme përpara tij.
Të tjerë, të ulur aty rrotull, të dëshpëruar. Dëmtimet janë të shumta në tarraca, që rrezikojnë jetë njerëzish, ndërsa shiritat kërkojnë që njerëzit të mos afrohen.
Ja një banor i moshuar, i quajtur Halit Haznedari. “Asnjë gjë, asnjë ekip specialistësh, 4 ditë jemi në pritje dhe sipas fjalës së kryeministrit do të vinin specialistët, por asgjë deri tani thotë” ai.
Ndjenja e braktisjes dhe e pasigurisë është kudo, dhe shtohet nga pamjet e shkatërrimeve e apartamentet e braktisura. Ngjitemi në pallatin e dëmtuar, bashkë me një banor, me Florin. Rreziku është i madh sepse një tërmet tjetër mund ta rrënojë ndërtesën.
Hyjmë në një apartament. Bilanci duket si prej lufte, sidomos në njërën nga dhomat.
Flori tregon gjendjen e rëndë. “Ka dëmtime muri, pllakat janë dëmtuara, shihet qartë”, tregon ai.
Ndërsa ngjitemi në katet e sipërme, dallojmë më mirë gjendjen rreth e rrotull. Në pallatin përballë, punonjësit zjarrfikës po largojnë copa tullash nga tarraca që të mos rrezikojnë jetë njerëzish poshtë.
Vështirë të parashikosh sesa gjatë do të mbeten jashtë këta banorë. Ajo që dihet është vetëm se ka rrezik shembjeje, pra edhe jete.
Jemi në Festat e Nëntorit, por qytetarëve sot as nuk u shkon ndër mende për të kremtuar. Na thonë se ka shumë më tepër ndërtesa të rrezikuar por banorët e tyre nuk u bënë bashkë si ata të pallatit numër 160. Gjithsesi, autoritetet e kanë kuptuar.
Ndërsa largohemi shohim punonjësit zjarrfikës që rrethojnë me shirita objekte të tjerë banimi në Kombinat. Etapa jonë e fundit për të parë dëmet e tërmetit në Tiranë, ishte në lagjen e re në zonën e ish-komunës së Kasharit.
Një pallat i ri, me dëmtime të mëdha. Edhe këtu gjithçka duket qartë, qoftë në fasadë, qoftë edhe në ambientet e brendshme të përbashkëta.
Cilësia e punimeve kuptohet menjëherë që ka qenë e dobët. Kolonat ndoshta mbajnë mirë, por jeta apo shëndeti rrezikohen edhe kështu.
Hyjmë në një apartament, ku banorët janë të shqetësuar, por edhe të lumtur për një fakt, siç e sqaron i zoti i shtëpisë, Mahmut Çera.
“Fati më i madh për mua ishte se më shpëtoi djali i cili në momentin e parë u zgjua dhe erdhi pranë nesh”, tregon ai.
Dalim nga shtëpia, na përcjell e zonja e shtëpisë. Aty shihet një lokal me mure të shkatërruar që nga tërmeti i shtatorit.
Po ashtu, muri në pallatin përballë, i çarë lart dhe poshtë. Sokoli, një banor tjetër, shpjegon se dy pallatet nuk janë ndarë nga njëri-tjetri sipas rregullave.
Banorët përpiqen të qendrojnë sa më pak aty, për të ruajtur veten dhe fëmijët. Shkatërrim edhe në krahun tjetër. Mur i rrëzuar në këtë dyqan, por edhe në ndarësen për transformatorin e energjisë elektrike.
“Ky mur e ka pasur ndërtimin siç e ka niveli i ndërtimin te pallati lart, në shtator ky është dëmtuar, pra një luhatje tjetër do sjellë dëmtime më të mëdha. Kanë ardhur e kanë parë murin, por nuk kanë bërë asnjë lloj reagimi” thotë ai.
Fusha me bar pranë pallatit, natën ishte plot me makina me njerëz, por që u larguan prej aty për shkak të reshjeve të shiut.
Ata janë të pakënaqur me autoritetet. “Vetëm pas dy ditësh erdhi policia për të parë, bënë vëtëm dy tre foto anjë fo rmular i plotësuar asnjë dokument, me duar në xhepa më këkruan numrin pa një mjet dëshmie”, tregon Çera.
Largohemi edhe nga kjo godinë e ndërtuar së fundmi, e re, por thuajse e pabanueshme. Hulumtimi ynë përfundon këtu, ndërsa trishtimi është I madh kur sheh kryeqytetin e Shqipërisë, ndërsa bie nata. Ndërtesat janë thuajse të zbrazura, dhe rrugët janë bosh, në një orar zakonisht me trafik të rënduar.
Tirana ngjan me një qytet fantazëm.(ABC News)