Dy komisione të reja të ngritura nga entiteti me shumicë serbe i Bosnjës, Republika Srpska, për të shqyrtuar krimet e kohës së luftës në Srebrenicë dhe Sarajevë, janë akuzuar se po kërkojnë të shtrembërojnë të vërtetën për të minimizuar rolin e serbëve në mizoritë e kryera.
Nga Albina Sorguc
Dy komisionet e reja polemike të ngritura nga qeveria e Republikës Srpska për të shqyrtuar krimet e kohës së luftës në Srebrenicë dhe Sarajevë, do të mbajnë takimet e tyre të para në fund të marsit pavarësisht shqetësimeve të shumta të ngritura nga ekspertët ndërkombëtarë, diplomatët dhe organizatat e viktimave boshnjake të luftës se qëllimi i tyre është të rishkruajnë historinë.
Të dy komisionet kanë emra me shumë peshë – Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar për Hetimin e Vuajtjeve të të Gjithë Popujve në Rajonin e Srebrenicës në periudhën 1992-1995 dhe Komisioni i Pavarur Ndërkombëtar për Hetimin e Vuajtjeve të Serbëve në Sarajevë në periudhën nga viti 1991 deri në 1995 – dhe përbëhen nga disa akademikë nga e gjithë bota. Se si do të funksionojnë në fakt këto komisione dhe çfarë metodologjie do të përdorin, kjo nuk dihet ende.
Milorad Kojiç, drejtori i qendrës së financuar nga qeveria e Republikës Srpska, Qendra për Hulumtimin e Luftës, Krimeve të Luftës dhe Kërkimin për të Zhdukurit, këmbënguli se qëllimi i vetëm i komisioneve ishte “të përcaktojë të vërtetën”.
“Mund të ketë vetëm një të vërtetë. Këto janë komisione ndërkombëtare që do të punojnë pa presione. Ne presim që ata të përcaktojnë të vërtetën,” tha Kojiç për BIRN.
Por javën e kaluar, 31 ekspertë ndërkombëtarë mbi konfliktet në ish-Jugosllavi publikuan një letër të hapur duke thënë se komisionet duket se janë një përpjekje për të rishikuar të vërtetat e vendosura dhe “përfaqësojnë kulmin e më shumë se një dekade të mohimit të gjenocidit dhe revizionizmit historik nga qeveria e udhëhequr nga Partia e Social Demokratëve të Pavarur”.
Drejtori i Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut i Republikës Srpska, Branko Todoroviç, gjithashtu tha se qëllimi i komisioneve ishte të shfajësonte serbët e akuzuar për përgjegjësi për krimet e kohës së luftës.
“Qëllimi i tyre është t’i mundësojnë autoriteteve që kryen krimet të justifikojnë veten dhe të relativizojnë, minimizojnë, falsifikojnë dhe justifikojnë krimet. Ky nuk është vetëm qëllimi i këtyre komisioneve, por edhe i të gjitha strukturave politike në Bosnjë dhe Hercegovinë gjatë 20 viteve të fundit,” tha Todoroviç për BIRN.
Fokusimi te vuajtjet e serbëve
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe gjykata shtetërore e Bosnjës i kanë klasifikuar vrasjet masive të më shumë se 7,000 burrave dhe djemve nga Srebrenica në korrik të vitit 1995 nga forcat serbe të Bosnjës si gjenocid.
Megjithatë, autoritetet serbe të Bosnjës dhe politikanët qeveritarë në Serbi kanë refuzuar vazhdimisht të pranojnë se masakrat përbënin gjenocid.
Në vitin 2004, qeveria e Republikës Srpska miratoi një raport të një komisioni të mëparshëm mbi ngjarjet në dhe përreth Srebrenicës, nga 10 deri më 19 korrik 1995 – një raport që pranonte se forcat serbe të Bosnjës vranë mijëra boshnjakë dhe thoshte se ekzekutimet përbënin një shkelje serioze të së drejtës humanitare.
Por ky raport u anulua në një seancë të posaçme të Asamblesë Kombëtare të Republikës Srpska vitin e kaluar. Presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, i cili nisi seancën parlamentare, tha se dokumenti përmbante “të dhëna të rreme” dhe ishte hartuar nën presion nga Paddy Ashdoën, përfaqësuesi i lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje në atë kohë.
Dodik pohoi se krimet e Srebrenicës po ekzagjeroheshin “me qëllim satanizimin e serbëve”.
Kojiç tha se detyra e komisionit të ri të Srebrenicës nuk ishte vetëm të shihte ngjarjet që ndodhën gjatë “shtatë apo nëntë ditëve në korrik 1995” – kur boshnjakët u masakruan nga forcat serbe të Bosnjës – por gjithçka që ndodhi në rajonin e Srebrenicës midis vitit 1992 dhe 1995.
Kur urdhëroi raportin e ri, parlamenti serb i Bosnjës tha se ai duhet të theksojë “vuajtjet e serbëve në dhe rreth Srebrenicës”, si dhe krimet kundër boshnjakëve.
Por ambasada e SHBA-së në Sarajevë këmbënguli se vendimet e gjykatave ndërkombëtare nuk mund të viheshin në diskutim.
“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY, kanë arritur të dyja në përfundimin se ajo që ndodhi në Srebrenicë, në korrik 1995, ishte gjenocid. Të gjithë duhet të respektojnë vendimet e gjykatave dhe të përballen me të vërtetën e ta pranojnë atë, pavarësisht se sa e dhimbshme ishte ajo,” tha ambasada e SHBA-së në një deklaratë pasi autoritetet serbe të Bosnjës njoftuan themelimin e komisioneve të reja.
Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur ndërkohë vuri në dukje se komisionet nuk mund të ndikonin faktet rreth numrit të trupave të viktimave të gjetura dhe të identifikuara.
“Më shumë se 8,000 persona u raportuan të zhdukur gjatë rënies së zonave të mbrojtura të Srebrenicës dhe Zepës në korrik 1995. Nga ky numër, 6,979 persona janë identifikuar përmes një analize të ADN-së. Vetëm 84 persona ishin identifikuar para se ICMP të prezantonte procedurën e identifikimit të bazuar në ADN në vitin 2001,” tha ICMP për BIRN.
“Përcaktimi i identitetit të një personi bazohet në besueshmërinë e së të paktën 99.95 për qind. Identiteti i shumicës së madhe të personave të zhdukur në Srebrenicë dhe Zepa është konfirmuar shkencërisht dhe përfundimisht,” shtoi ai.
Kojiç, megjithatë, mohoi se qeveria e Republikës Srpska synonte të ulte seriozitetin e dhunës së kohës së luftës.
“Akuzat se qeveria e Republikës Srpska dëshiron të minimizojë krimet në Srebrenicë janë të pakuptimta,” tha ai.
Gjysmë të verteta dhe mohim gjenocid
Qeveria e Republikës Srpska ka emëruar historianin izraelit dhe studiuesin e Holokaustit Gideon Greif, një profesor i historisë hebreje dhe izraelite në Universitetin e Teksasit, si kryetar të Komisionit të Srebrenicës.
“Qëllimi i komisionit është të përcaktojë të vërtetën, prej të cilave mund të ketë vetëm një dhe është detyrim moral i komisionit t’i qëndrojë besnik fakteve, të vërtetës dhe viktimave,” tha Greif për televizionin publik serb të Bosnjës, RTRS, më parë këtë muaj.
Adenrele Shinaba, një ekspert nigerian për organizatën terroriste Boko Haram, i cili gjithashtu është emëruar në komisionin e Srebrenicës, tha për mediat boshnjake në tetor 2018 se komisioni është një hap “për të arritur të vërtetën përmes gjetjeve objektive dhe kështu të kontribuojë në pajtimin mes popujve”.
Megjithatë disa anëtarë të komisionit kanë shprehur opinione pro-serbe ose anti-islamike në të kaluarën, ose kanë deklaruar se masakrat e Srebrenicës nuk ishin gjenocid.
Një anëtar i komisionit të Sarajevës, Raphael Izraeli, një profesor në Universitetin Hebraik të Jerusalemit, tha për gazetën serbe Pecat në vitin 2011 se “i vetmi gjenocid i vërtetuar është Holokausti, ishte një përpjekje për të shfarosur sistematikisht një komb të tërë”.
Një anëtar tjetër i komisionit të Sarajevës, ish-oficeri francez Patrick Barriot, dëshmoi për mbrojtjen e presidentit serb Sllobodan Millosheviç dhe liderit rebel serb të Kroacisë të kohës së luftës Milan Martiç në Gjykatën e Hagës. Barriot pretendoi gjatë gjyqit të Millosheviçit se serbët thjesht po mbronin vetëm kundër terrorizmit islamik dhe më vonë qe bashkë-autor në një libër që përshkruante gjyqin si një “aktakuzë të popullit serb”.
Letra e hapur e ekspertëve ndërkombëtarë vë në pikëpyetje besueshmërinë dhe paanshmërinë e komisioneve, duke pretenduar se anëtarët e tyre “përbëhen nga elementë të ndryshëm, individë që nuk përfaqësojnë as pikëpamjet e konsensusit të komuniteteve akademike apo ligjore dhe që duken të zgjedhur si me dorë për të prodhuar narrativa që do të çojë para politikën revizioniste të qeverisë së tanishme të Republikës Srpska”.
Kojiç megjithatë argumentoi se politikanët boshnjakë në Sarajevë po kërkonin të impononin narrativën e tyre të konfliktit të viteve 1992-1995 që kur ai mbaroi.
Ai tha se “në qarqet politike të Sarajevës, e vërteta u përcaktua në vitin 1996 dhe ata po përpiqen ta imponojnë atë mbi të gjithë të tjerët që nga ajo kohë”.
Kojiç pranoi se nuk ka gjasa që autoritetet e qytetit të Sarajevës të bashkëpunojnë me komisionin e hetimit të dhunës në kryeqytet, i cili u rrethua nga forcat serbe të Bosnjës gjatë kohëzgjatjes së luftës.
“Megjithatë, po i bëj thirrje autoriteteve të Sarajevës të bashkëpunojnë dhe, nëse kanë dokumentacion që mbështesin qëndrimin e tyre, ta bëjnë atë në dispozicion të komisionit. Ata po shmangin të vërtetën. Ata po përpiqen të mbajnë një tezë të rreme duke fshehur dokumentacionin, përmes raporteve të medias dhe procedurave groteske të gjykatave,” tha ai.
Ai shtoi se të dyja komisionet do të merren gjithashtu me mënyrën se si media raportoi për luftën në Bosnje “duke krijuar një imazh për publikun ndërkombëtar se serbët kishin përgjegjësi ekskluzive për krimet”.
Fernando Travesi, drejtor ekzekutiv i Qendrës Ndërkombëtare për Drejtësinë Tranzicionale, tha se disa komisione të kërkimit të së vërtetës të ngritur nga qeveritë thjesht duket se synojnë të kërkojnë të vërtetën.
“Disa qeveri, të cilat nuk kanë interes të vërtetë për zbatimin e drejtësisë, përgjegjësisë, dëmshpërblimeve apo reformave që në thelb merren me pasojat e shkeljeve të të drejtave të njeriut ose rrënjët historike të dhunës, kanë mësuar të luajnë një lojë dhe të përdorin gjuhën e drejtësisë tranzicionale për të kënaqur komunitetin ndërkombëtar ose që të duken sikur ndjekin standardet ndërkombëtare. Synimet e tyre aktuale, megjithatë, janë të kundërta me qëllimet e drejtësisë tranzicionale,” tha Travesi.
Ish-gjykatësi i Bosnjës Vehid Sehiç vuri në dukje se problemi më i madh që pengonte Bosnjën dhe Hercegovinën nga përballja me ndershmëri me të kaluarën ishte fakti se askush në tre komunitetet kryesore të vendit – boshnjakët, kroatët dhe serbët – nuk dëshiron të vlerësojë atë që ndodhi ekskluzivisht në bazë të fakteve që janë përcaktuar nga gjykatat.
“Në Bosnje dhe Hercegovinë ka gjithmonë tre të vërteta, por mund të ketë vetëm një,” tha Sehiç. “Në fakt, këto janë gjysmë të vërteta të cilat ndonjëherë mund të jenë më shkatërruese sesa gënjeshtrat.”(reporter)