Bilanci i zjarreve që shkatërroi bregun e Athinës është rritur në 88 të vdekur.
“Rreth 100 zjarrfikës vazhdojnë kërkimet për viktima të mundshme në këtë zonë të Atikës të përfshirë nga flakët të hënën në mbrëmje”, – shtoi zëdhënësja e zjarrfikëseve, Stavroula Maliri.
“Në qytezën turistike të Mati-t, 40 kilometra në lindje të Athinës, 26 persona janë gjetur të karbonizuar në grup, në përpjekje për të shpëtuar”, – tregon një anëtar i forcave të shpëtimit, Vassilis Andriopoulos.
Qeveria njoftoi mbërritjen e 308 inxhinierëve në rajon për të përshpejtuar inventarin e dëmeve.
Sipas zëdhënëses, nga një total prej 187 personash të shtruar në spitale, 82 po marrin ende kujdes mjekësor, 10 prej të cilëve janë adoleshentë dhe 11 fëmijë që kanë probleme me frymëmarrjen.
Një polake dhe djali i saj bëjnë pjesë mes të vdekurve, sipas Varshavës, që nuk ka dhënë më shumë detaje.
Rreth 715 persona janë evakuuar me anije ushtarake deri në portin fqinj të Rafinas.
“Mati nuk ekziston më”, – është shprehur kryetari i bashkisë së Rafinas, Evangelos Bournous.
Autoritetet dhe vullnetarët janë organizuar për t’u ardhur në ndihmë të pastrehëve me ujë, ushqime dhe veshje./a.m.