Renditja e universiteteve në Shqipëri ka një domosdoshmëri të lartë, pasi studentët e ardhshëm e kanë më të lehtë për vendimmarrjen e tyre se ku duhet të studiojnë, çka i bën ata më të pavarur dhe më të vetëdijshëm.
Nuk ka dyshim se rankimi i universiteteve është bërë një pjesë e rëndësishme e tablosë së arsimit të lartë, qoftë kjo në nivel global edhe në atë lokal.
Renditjet universitare globale janë një biznes konkurrues – jo vetëm për universitetet, por për kompanitë që kërkojnë dhe publikojnë ato. Ata janë kritikuar dhe vlerësuar në të njëjtën kohë. Dhe pse disa nuk mund të bien dakord se cila është metodologjia më e mirë që duhet të përdoret. Gjithsesi ekziston konsensusi se renditjet universitare globale janë shumë të rëndësishme dhe se ndikimi i tyre po rritet.
Ekzistojnë tri sisteme serioze në botë të rankimit universitar që marrin një qasje globale. Ato janë QS “World University Ranking”; Times Higher Education; Academic Ranking of World Universities (ARWU) – shpesh referohet si renditja e “Shanghai Jiao Tong”, pasi të dhënat përpunohen nga një njësi në Universitetin Shanghai Jiao Tong.
Renditja e parë ndërkombëtare është bërë nga Academic Ranking of World Universities (ARWU) apo siç thuhet ndryshe Rankings Shanghai, i cili u botua në vitin 2003 nga Shanghai Jiao Tong University në Kinë. Kjo renditje fillimisht u përdor për të vendosur një lloj rregulli të universiteteve kineze në nivel ndërkombëtar pas nisjes së një iniciative qeveritare për të krijuar universitete të klasit botëror.
Është e vështirë të thuash se cila nga këto sisteme të rankimit është më e mira pasi secila prej tyre ka qasje të ndryshme metodologjike në marrjen dhe përpunimin e të dhënave. Por e përbashkëta është se në renditjet e tyre të fundit 100 universitet më të mira, 66 prej tyre janë amerikane dhe britanike, kurse universitet europiane dhe aziatike janë më pak të përfaqësuara nga kjo renditje.
Universitetet lidere në botë besojnë se renditjet ndihmojnë në ruajtjen dhe ndërtimin e institucionit dhe në reputacionin e tij. Shumë studentë në botë përdorin rankimin e universiteteve për të marrë një tablo më të qartë rreth tyre, siç mund të jetë akreditimi, financimi, rekrutimi i pedagogëve etj.
Në Shqipëri janë bërë vetëm dy përpjekje për të bërë një lloj rankimi të universiteteve, por që kanë ngelur vetëm në fashën e akredimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë.
Përpjekja e parë ka qenë në vitin 2011 nga kompania gjermane CHE (Center for Higher Education) University Ranking, si dhe nga Agjencia Britanike “Quality Assurance Agency” QAA, ku filluan në muajin shtator të vitit 2016, përfaqësues të kompanisë kanë qenë në Institucionet e Arsimit të Lartë duke marrë këto të fundit në vlerësim për 5 fushat kryesore: Organizimi dhe menaxhimi; burimet njerëzore; mësimdhënia; kurrikulat dhe mbështetja e studentëve. Por që edhe kjo përpjekje ngelet vetëm në kuadrin e akreditimit institucional dhe nuk ka dhënë një produkt të mirëfilltë për renditjen e IAL-ve në Shqipëri.
Ka shumë arsye pse edhe Institucionet e Arsimit të Lartë në Shqipëri duhet të përfshihen të paktën në renditje lokale dhe më pas atë rajonale edhe me gjerë.
Së pari, IAL-të duke marrë vlerësimin nga një institucion krejtësisht të pavarur siç janë Times Higher Educatiuon dhe Rankimi i Shangait (ARËU) kuptojnë më së miri avantazhet dhe disavantazhet e tyre.
Së dyti, Renditjet kanë efekte reale në atë që universitetet e vlerësojnë dhe si funksionojnë. Popullariteti i IAL-ve mund të ketë ndryshime të thella. Universitetet nuk mund të jenë “mjaftueshëm mirë” ose “pothuajse të barabartë”. Nën etikën e konkurrencës, disa tani duhet patjetër të jenë më mirë se të tjerët.
Së treti, rankimi i universiteteve krijon pavarësi te studentët, ku ata mund të përdorin renditjet për të përcaktuar me kujdes se në cilin universitet duhet të venë apo se çfarë dege studimi do të ndjekin. E gjitha kjo krijon një treg cilësor për dijen, pasi do nxisë konkurrencën.
Së katërti, rankimi mund të jetë shumë i dobishëm për monitorimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë nga organet ligjzbatuese të qeverisë.
Në këtë mënyrë renditja e universiteteve është një proces shumë i rëndësishëm dhe shumë efikas, pasi i lehtëson studentët në vendimmarrjen e tyre, por gjithashtu edhe punëdhënësit pasi kanë një tablo më të qartë se çfarë punonjësish duhet të rekrutojnë.
Gjithashtu, renditja mund të përdoret nga qeveria në politikën e saj të arsimit të lartë, nga institucionet që kërkojnë partnerë ndërkombëtarë dhe nga studentët e ardhshëm jashtë. Studentët që kërkojnë një vend për të studiuar, ku shpesh për shkak të mungesës së renditjes refuzojnë të studiojnë në universitetet shqiptare.
Webometrics, i vetmi rankim për universitetet shqiptare
Këto ditë në një apo dy portale ka dalë një rankim i universiteteve botërore, ku bën pjesë edhe universitetet shqiptare nga Webometrics, ku të dhënat bazë për renditjen i merr nga website që disponojnë universitetet. Web Ranking ose Webometrics është një renditje akademike e Institucioneve të Arsimit të Lartë.
Që nga viti 2004 çdo gjashtë muaj në mënyrë të pavarur kjo organizatë kryen një ushtrim shkencor nga Cybermetrics Lab (Këshilli Kombëtar Spanjoll i Kërkimeve, CSIC) për ofrimin e informacionit të besueshëm, shumëdimensional, të përditësuar dhe të dobishëm rreth performancës së universiteteve nga e gjithë bota, bazuar në praninë dhe ndikimin e tyre në internet
Tabela më poshtë jep renditjen e universiteteve shqiptare sipas WEBOMETRICS
Ja renditja e universiteteve në Maqedoni
Maqedonia është i vetmi vend në rajon që ka bërë renditjen e Institucioneve të Arsimit të Lartë. Ministria e Arsimit dhe e Shkencës në Maqedoni firmosi në shkurt të vitit 2011 një marrëveshje 5-vjeçare me Academic Ranking of World Universities (ARWU), për të kualifikuar dhe për të bërë një renditje të 19 Institucioneve të Arsimit të lartë në Maqedoni.
Rankimi sipas ARWU në Maqedoni.
















