Renditja e FIFA-s, zbret Shqipëria, ngrihet Danimarka
Pak orë para përballjes në Kopenhagen, Danimarka ka fituar në një tjetër fushë kundër Shqipërisë. E kemi fjalën për renditjen e Fifa-s ku përfaqësuesja kuqezi humbet tre pozicione dhe e sheh veten në vendin e 25-të, ndërsa Danimarka, ngjit tre shkallë dhe pozicionohet e 22-ta, duke i rrëmbyer Shqipërisë vendin.
Pavarësisht se të besuarit e Ganni De Biasit nuk kanë luajtur asnjë ndeshje, rënia në klasifikim vjen prej lëvizjes së koeficientëve të skuadrave. Në këtë mënyrë Shqipëria humbet rekordin historik në renditjen botërore, të vendosur në muajin gusht, pas fitores 3-0 në tavolinë me Serbinë. Gjithsesi, vendi i 25-të është i dyti më i lart për Kombëtaren në renditjen e FIFA-s. Rënia i zbret kuqezinjtë edhe pas Francës, organizatore të Euro 2016. Edhe pse humbi një vend, skuadra e Didier Deschamps renditet e 24-ta.
Nga rivalët e tjerë të Grupit I, Serbia mbetet në vendin e 66-të, e lënë mbrapa nga skuadra si Gaboni, Guinea dhe Republika Demokratike e Kongos. Ngjitet Armenia, që fiton 5 vende dhe tashmë pozicionohet e 83-ta në botë.
Argjentina vazhdon të kryesojë renditjen e FIFA-s, e ndjekur nga Belgjika dhe Gjermania. Me dy vende të fituara, Kili pozicionohet i teti dhe është e vetmja skuadër që realizon një ngjitje të rëndësishme mes kryesuesve. Jashtë “Top 10″ mbeten gjigandë europianë si Spanja, Holanda dhe Italia.









