FIFA ka azhurnuar renditjen e të gjitha kombëtareve, të ndikuara së fundi nga Copa America dhe Kupa e Afrikës.
Si për çudi Shqipëria ka fituar dy pozicione, pa luajtur asnjë ndeshje së fundi. Kjo ka ardhur nga rënia e Ekuadorit dhe Hondurasit, që kanë humbur 6 pozicione në renditjen e tyre të mëparshme.
Një pozicion ka fituar edhe Kosova. Përfaqësuesja Dardane ka marrë asist nga Namibia, që ka humbur 8 pozicione nga renditja e mëparshme.
Në tërësi rritje të madhe kanë patur përfaqësueset e Amerikës Latine, që morën pjesë në Copa America.
Kështu, Brazili kaloi Francën duke u ngjitur në vend të dytë, teksa fronin nuk e lëshon Belgjika. Tre pozicione përfitoi Uruguai, 5 të tjera i mori Kolumbia, 6 Meksika, ndërsa Argjentina u ngjit vetëm me një shkallë (vendi i 10-të).
Rritjen më të madhe e pati Algjeria, plot 28 pozicione përfituan kampionët e Afrikës, duke u renditur në vend të 40-të.