Tarifat e shkollimit për këtë vit akademik nuk do të pësojnë asnjë rritje, por do të vijojnë të jenë të njëjta si vitin e shkuar.
Kështu është shprehur rektori i UT-së, Mynyr Koni. Sipas tij, renditja e 10 degëve që do të bëjnë maturantët nuk ka rëndësi, pasi ata e kanë në dorë ta zgjedhin vetë se ku dëshirojnë të studiojnë.
Pra, maturanti edhe pse mund të shpallet fitues në 5 apo 10 programe studimi, ai do të zgjedhë vetëm një program, atë që preferon më shumë. Në lidhje me kriteret e pranimit, ai ka sqaruar se Universiteti i Tiranës nuk ka asnjë kriter përjashtues, me përjashtim të kushtit të notës mesatare 6, të përcaktuar me vendim qeverie.
Në lidhje me lëndët preferenciale të një programi studimi, kur rezulton se një kandidati i mungon një lëndë pasi ai mund ta ketë pasur në kurrikulën me zgjedhje dhe nuk e ka zgjedhur, kjo nuk e pengon atë për të garuar, por në vlerësim do t’i mungojë pesha e asaj lënde.