Gjermania po përjeton ditë tepër të vështira në pandeminë koronavirus. Në 24 orët e fundit, ky shtet raportoi bilancin më negativ të regjistruar ndonjëherë me rreth 30 mijë raste të reja dhe 600 humbje jete.
Izolimi i butë, që përfshin mbylljen e bareve, restoranteve, ekspozitave dhe sallave të argëtimit, i impelemtuar në nivele të ndryshme në rajone të Gjermanisë, mund të ketë ndikuar kurbën, por nuk ka arritur të ulë shifrat.
Ekspertët thonë se qytetarët nuk po bëjnë mjaftueshëm për të minimizuar kontaktet shoqërore. Përballë kësaj situate shqetësuese, ministri gjerman i Brendshëm, Horst Seehofer, kërkoi që të hyjë menjëherë në fuqi një izolim i ri më i ashpër, duke thënë se nuk ka ndërmend të presë që të kalojnë Krishtlindjet për të vepruar.
“Vetëm kështu mund të marrim kontrollin e situatës”, u shpreh ai. Ndërkohë, Franca po has një rritje të lehtë të shifrave në pandeminë koronavirus. Duke marrë shkas nga kjo, autoritetet vendosën që muzetë, kinematë dhe teatrot të qëndrojnë mbyllur dhe për 3 javë të tjera, ndërsa pritet që të vendoset dhe një shtetrrethim nga ora 20:00 deri në 06:00.
Në Itali situata epidemiologjike është pak më komplekse. Zyrtarët shëndetësorë raportojnë një ulje të ndjeshme të rasteve ditore me Covid-19 në javët e fundit, por shqetësues mbetet niveli i lartë i vdekshmërisë. Qeveria u bëri apel të rinjve që të veprojnë me përgjegjshmëri, veçanërisht për festën e Krishtlindjes. Ndërkohë, Greqia po zbut masat duke ulur ditët e karantinës dhe synon të hapë kishat si pjesë e rregullave për Krishtlindje.
/a.r