U mbajt paraditen e sotme, konferenca për shtyp e trajnerit Edi Reja së bashku me kapitenin Etrit Berisha, në prag të “finales” së Ligës së Kombeve, ndaj Bjellorusisë që do të zhvillohet ditën e nesërme në orën 16:00.
Kuqezinjtë do të kërkojnë triumfin, për t’u pozicionuar në vendin e parë dhe për të vijuar aventurën në Ligën e Kombeve. Luhet për plot 1.1 milionë euro shtesë…
NDESHJA NDAJ KAZAKISTANIT- Rezultati ndaj Kazakistanit ishte i rëndësishëm. Gabimet që kemi bërë i kemi analizuar. Jo thjesht në fazën ofensive, por edhe në mënyrën se si ka luajtur skuadra. Kërkojmë të përmirësojmë çdo gjë, pas çdo ndeshjeje. Është normale.
Në çdo ndeshje, kemi qenë të detyruar të ndryshojmë skuadrën dhe formacionin. Pavarësisht kësaj, kemi krijuar një koncept për lojën tonë. Nuk kemi bërë ndeshje të jashtëzakonshme. Kishim mundësi të fitonim ndaj Kazakistanit dhe Lituanisë në transfertë për kjo nuk ndodhi. Kemi shanse për të arritur vendin e parë nëse mundim Bjellorusinë. Të përpiqemi të eliminojmë çdo gabim të mundshëm në këtë fazë të rëndësishme.
FORMACIONET- Mungon Abrashi i skualifikuar. Kandidati për ta zëvendësuar është Laçi. Nuk mendoj të bëj ndryshime të mëdha në skuadër. Në linjën mbrojtëse kam 3 lojtarë të gatshëm, dhe nuk është e nevojshme të bëj ndryshime. Në mesfushë, të shikojmë si duhet të rrjedhin ngjarjet. Aty duhet të ndryshojmë diçka. Të gjithë janë të rikuperuar. Për formacionin do të vendosim nesër.
RËNDËSIA E NDESHJES DHE PRESIONI – Është një ndeshje finale. Duhet të jemi të qetë, të kemi siguri. Duhet të kemi besimin e njerëzve dhe stafit teknik. Të qëndrojmë të qetë. Presioni është pjesë e futbollit. Kemi cilësitë e duhur për të bërë një ndeshje futbolli. Jam i bindur që do të bëjmë një ndeshje të mirë. Mos bëjmë gabime të nisemi me nxitim. Duhet të kemi ekuilibër, ndeshjet zgjasin 90 minuta. E rëndësishme është që të mos humbasim ekulibrin. Është një skuadër që mblidhet mirë mbrapa dhe ka kundërsulm të shpejtë. Duhet ta menaxhojmë ndeshjen sipas situatave të krijuara. Nëse ruajmë ekuilibrin do të bëjmë gjëra të mira.
RASTET E SHPËRDORUARA- Manaj bëri maksimumin. Jam dakord që krijuam raste, por nuk i shfrytëzuam maksimalisht. E dhashë edhe në fund të ndeshjes që nuk isha plotësisht i kënaqur për lojën që bëmë. Kundërshtari nuk krijoi shumë raste. Pas golit të dytë, prisnim të kishim ndeshje më të lehtë dhe më të kënaqshme. Terreni na ka krijuar vështirësi. Topi nuk të vjen siç duhet për shkak të terrenit. Për këtë arsye edhe aksioni ngadalësohet dhe kjo krijon probleme në mënyrën e të shprehurit të skuadrës. Rëndësi ka rezultati që është thelbësor në këtë ndeshje. Kemi mundësi të marrim rezultat pozitiv, por duhet të përdorim kokën.
CIKALLESHI DHE MANAJ NË SULM? Ka shumë mundësi që sulmi të jetë i njëjte me Kazakistanin. Kur bëj listën marr 5 sulmues. Cikalleshi dhe Balaj janë alternativa, njësoj si Manaj dhe Seferi. Kam provuar edhe Cikalleshin dhe Balajn, por janë lojtar të ngjashëm. Preferoj një që të sulmoj portën dhe një që të tërhiqet. Kur luan me 2 sulmues nuk mund të luash me 2 të ngjashëm. Kur të duhet goli dhe je në presion mund të përdorësh 2 lojtarë të njëjtë si Cikalleshi dhe Balajn, por në fillim kam preferuar 2 futbollistë të ndryshëm. Është trajneri ai që merr vendimet për zgjedhjet.
ÇALIMI TE MESFUSHA- Mesfusha është boshti i lojës. Aty është filtri, për të ndëruar dhe mbrojtur. Nuk duhet të mendojnë vetëm për të mbrojtur, por edhe për të luftuar. Kemi pasur shumë ndryshime për shkak të COVID. Këta lojtarë që kemi përfshirë, sidomos të rinjtë kanë bërë paraqitje të mirë. Lojtarët e rinj kanë treguar karakter të fortë, edhe pse kanë luajtur për herë të parë në Kombëtare. E kanë treguar veten si veteranë. Nuk kemi punuar vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen. Përveç Brojës, kemi edhe Cokatjen, që është lojtar interesant.
PSE KA LËNË BROJA GRUMBULLIMIN?- Nuk bëri asnjëherë stërvitje të plotë, gjatë gjithë javës për shkak të problemeve.
GJASULA- Pati një problem në shpatull në fundin e ndeshjes. Nesër do të vendosë stafi mjekësor. Nëse do të jetë mirë do të luajë, nëse jo do duhet të bëjmë pa të.
STADIUMI- Kur caktohen datat nuk mund të lëvizim. Kishim dëshirë të luanim në një fushë tjetër për shkak të terrenit. Por nuk ishte e mundur. Di që është punuar për ta rikthyer fushën në një gjendje sa më optimale. Fusha do të jetë njësoj për të dy, kush është më i zoti do të fitojë.
GABIMI I BERISHËS- Duhet ti japim meritat futbollistit të Kazakistanit, që pati edhe fat. Berisha do të përpiqet ta rikuperojë gabim. Zakonisht gabimet e portierëve komentohen së shumti. Berisha është i fortë në aspektin karakterial. Gabimet ndodhin, nuk është se duhet komentuar 100 herë për këtë gjë. Janë raste të rralla. 80% të meritave i merr lojtari. Asnjë nuk e kuptoi çfarë ndodhi te goli. Topi mori një trajektore te çuditshme.
E ARDHMJA- Unë mbaroj këtë edicion dhe sigurisht do të filloj një edicion tjetër. Kemi një kontratë të përcaktuar. I kam gjërat e qarta. Unë jam këtu për të dhëna maksimumin. Më pas do të jetë FSHF ajo që do të nxjerrë konkluzionet. Një ndeshje nuk mund të jetë vendimtare, për të dalë në konkluzion të gjithë sezionit”, u shpreh Reja.